АNALIZË: Investime – paralajmërime të mëdha, rezultate të dobëta!

Në fund të tremujorit të dytë ekonomik, Banka Kombëtare regjistroi se niveli i investimeve të huaja të drejtpërdrejta në raport me Prodhimin e brendshëm bruto ishte 1.1 për qind, që është njëri nga nivelet më të ulëta që është matur gjatë viteve të kaluara. Nga ana tjetër, në mes të krizës politike, madje edhe në prag të zgjedhjeve, u paralajmëruan investimeve të reja të huaja. Disa ekonomistë dhe biznesmenë konsiderojnë se megjithatë, realizimi i investimeve nuk shkon aq lehtë, shkruan analiza ekonomike e Portalb.mk.

Niveli i investimeve të huaja prej 1,1% e PBB-së – pse?

Mungesa e transparencës në konceptin e deritanishëm të tërheqjes së investimeve të huaja në njërën anë, dhe subvencionet e mëdha mirëpo të panjohura që i jep shteti për të huajt nga ana tjetër, e bën gjithë politikën për rritjen e investimeve të keqe, konsiderojnë në Odën Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.

“Ky koncept i tërheqjes së investimeve të huaja ne mendojmë se është i gabuar, ai para së gjithash është jotransparent dhe nuk e dimë se sa para tona nga buxheti shkojnë në xhepat e të huajve. Pastaj e keqja më e madhe që është bërë me këtë koncept është atraktiviteti ynë me fuqi të lirë të punës, për shkak të të cilit kemi punësime të shumta. Ne duhet të përpiqemi për investime që kanë vlerë më të lartë të shtuar dhe të cilat gjithsesi do të kërkojnë kuadro cilësore dhe që me siguri do të paguhen të paktën në bazë të rrogës mesatare në Maqedoni. Procesi i ardhjes dhe i largimit të investitorëve të huaj është i panjohur për publikun dhe përderisa është jotransparent, nuk mund të themi saktësisht se pse dhe si”, thotë Fatmir Bytyqi nga OEMVP-ja.

Për dallim prej tij, profesori universitar Marjan Petreski konsideron se modeli për tërheqjen e investimeve të huaja duhet të ruhet, mirëpo me ndryshime thelbësor.

“Qëndrimi im është se si model për zhvillim ekonomik, tërheqja e investimeve të huaja duhet të ruhet. E pamë, shumë vite para se të futet ky model, se sektori privat në vend nuk kishte kapacitet të gjenerojë vlerë të mjaftueshme të shtuar që të mundet ta absorbojë kontingjentin e madh të fuqisë së papunësuar punëtore. Mirëpo, koncepti aktual ka së paku dy probleme kryesore: e para, ajo është vlera e shtuar të cilën e krijojnë IHD-të, dhe i dyti, transparenca e subvencionimit të tyre. Në fakt, pjesa më e madhe e IHD-ve të tërhequra shtojnë vlerë të vogël në Maqedoni, gjegjësisht kanë eksport të madh, mirëpo kanë edhe import të madh. Ato shumë pak janë të lidhura me ekonominë e vendit, kryesisht për shkak të dallimit akoma shumë të madh teknologjik ndërmjet tyre dhe firmave të vendit. Momentalisht ajo që firmat e vendit e ofrojnë si input për IHD-të janë vetëm shërbime të keteringut dhe transportit. E kjo është kështu për shkak se strategjia për tërheqjen e IHD-ve u bazua në tërheqjen e teknologjisë së lartë. Nëse në vend të kësaj, fokusi do të vendosej në tërheqjen e fabrikave nga industria ushqimore, e konservimit, e qumështit dhe e metalit, atëherë ato më lehtë do të mund të lidheshin me firmat e vendit, gjegjësisht të bëheshin furnizuese të tyre, dhe në atë mënyrë do të krijohej një efekt i shumëfishtë mbi ekonominë tonë”, thotë profesori Petreski dhe shton:

“Kjo është me rëndësi, për shkak se nëse një ditë IHD-të do të vendosnin të largohen nga vendi, atëherë ajo që do ta lenin në vend do të ishin ndërmarrjet e zhvilluara të vendit, të cilat në atë moment do ta kishin shumë më lehtë të gjejnë treg të ri, për shkak se do të ishin ngritur në nivel më të lartë teknologjik, e madje edhe të bëhen furnizues në zinxhirin global të asaj kompanie multinacionale. Për aspektin e dytë – transparencën e subvencionimit, ka konsensus të gjerë se duke pasur parasysh faktin se bëhet fjalë për para të qytetarëve, ata kanë të drejtë ta dinë se si harxhohen ato. Qëndrimi im është se, në parim, subvencionimi i IHD-ve nuk është problematik, mirëpo duhet të dihet shuma e subvencionimit, për këtë të ketë konsensus se pajtohemi që të harxhohen për këtë qëllim, dhe të ketë llogaritje precize se përfitimet nga IHD-të dukshëm i tejkalojnë shpenzimet që i bën vendi për tërheqjen e tyre. Ta përmbledh këtë që e them, modeli ekzistues i IHD-ve duhet të korrigjohet në drejtim lidhjes më të madhe të IHD-ve me firmat e vendi dhe në drejtim të transparencës së plotë të financimit të tyre”, transmeton Portalb.

Deri në fund të tremujorit të tretë në vend kanë hyrë gjithsej 199.08 milionë euro investime të huaja të drejtpërdrejta, ndërsa në shtator u regjistrua largim i 22.6 milionë eurove. Shtatori ishte muaji i dytë i vitit në të cilin investimet e huaja kishin parashenjë negative. Kjo ka ndodhur edhe në muajin qershor, kur ka pasur largim prej rreth shtatë milionë eurosh. Në periudhën e analizuar më shumë investime kanë hyrë nga Turqia dhe Gjermania. Tani, kur deri në fund të tremujorit të dytë investimet u zvogëluan në nivelin e 1.1 për qind të PBB-së, sipas disa ekonomistëve dhe biznesmenëve, treguesit janë të pritur.

“Ne disa vite me radhë assesi nuk mundëm t’i arrijmë qëllimet e përcaktuara në lidhje me investimet e huaja, dhe kjo situatë, i vërtetën qëndrimet tona si Odë ekonomike për politikat joadekuate për tërheqjen e IHD-ve. Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore në disa raste kemi theksuar se me një ambient të këtillë të sektorit të biznesit, kompanitë e vendit, të cilat janë më tepër imune ndaj turbulencave të këtilla, të investojnë, ndërsa investitorët e huaj të cilët shumë më pak janë të njohur me vendin tonë, assesi nuk do ta merrnin guximin të investojnë te ne”, thotë Bytyqi.

Viti i kaluar, 2015, përfundoi me saldo të investimeve të huaja të drejtpërdrejta prej 216 milionë eurosh. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button