Dënimi i Barcës, Vilarrubi: Jam absolutisht i shokuar, nuk di çfarë të them

Zëvendëspresidenti i Barcelonës, Carles Vilarrubi është shprehur i habitur se si askush nga Federata Spanjolle nuk ka dalë të mbrojë klubin blaugrana pas penalizimit të FIFA-s për parregullsitë në transferimet e disa lojtarëve minorenë. Për këtë çështje, qeveria e futbollit ndëshkoi me gjobë edhe Federatën e Spanjës.

“Jam shumë i surprizuar, kanë kaluar gati 3 ditë nga vendimi i FIFA-s dhe askush nuk ka dalë të mbrojë federatën apo Barcelonën, që është shtylla vertebrale e sukseve të kombëtares. Askush nuk ka dalë në mbrojtje të këtij klubi me 115 vjet histori. Jam absolutisht i shokuar, nuk di çfarë të them”.

Nga ana tjetër, Vilarrubi deklaroi se reagimi i FIFA-s është jo i drejtë, teksa hodhi dyshime të forta se diçka e pistë po ndodh në prapaskenë, transmeton Supersport.

“Diçka po ndodh. Po kalojmë një situatë jo të zakontë dhe kemi ndjesinë se diçka mund të fshihet pas kësaj historie. Nëse FIFA e ka marrë vendimin për këtë sanksion që në mesin e muajit Nëntor, si ka mundësi që e komunikon në Prill, afër fundit të sezonit? Me këtë penalizim synohet që të na dobësojnë për sezonin tjetër”.

Në ofensivë kundër të gjithëve, drejtuesi i lartë i Barçës drejtoi më pas gishtin edhe te mediat spanjolle, duke thënë se nëse një klub tjetër do të gjendej në të njëjtën situatë, atëherë FIFA dhe presidenti Blatter do të sulmoheshin nga të gjitha mediat, por kjo nuk po ndodh në rastin e blaugranave.

Lajme të ngjashme

Back to top button