ÇILTËRSI E GUXIMSHME

Saherë që shoh pejsazhet e tij, më fanitet në kujtesë një udhëtim nëpër Finlandë në periudhë dimri kur drita e diellit zgjaste vetëm disa orë: nga dritarja e busit dukeshin hapësirat e pafundme ku gjithçka ngjante si e ngrirë, e palëvizshme, e gatshme për t’u kredhur në gjumë. Pak drunj në largësi dhe pak dritë në sfond. Pejsazhet si të thuash nordike të Biges kanë efektin “sfumato”, teknikë e vjetër kjo që jep pamjen e mjegullnajës.

Nga kujtimet e fëmijërisë dhe rinisë së hershme në Opati të Kroacisë, është deti dhe efekti qetësues i ujit ajo që i mungon më së shumti…dhe është arkitektura e bregdetit mediteran e reflektuar në ciklin “Qytete”. Nëpër atë tonalitet kryesisht të verdhemë përvijohet një tis vetmie që të kujton më tepër qetësinë se sa trishtimin.

Ai bën pjesë tek piktorët e pavarur shqiptarë që tek ne mund të numërohen me gishtat e dorës.

Baba i dy vajzave, e shoqja e papunësuar. Prandaj vendosmëria e tij që së paku deri më tash të mos bëjë punë dytësore duket ende më e guximshme.

Thonë që të guximshmit i ndjek fati.

Më e drejtë është të thuhet se ata vetë e krijojnë fatin.

Blerës të pikturave të tij janë biznesmenë, kolekcionerë arti, institucione shtetërore në vend dhe jashtë. Rekordin e mban ekspozita në Konja të Turqisë,  ku ka prezantuar cikël me motive nga qyteti dhe komuna e Konjës ia ka blerë të gjitha. Sytë i shkëlqejnë kur përmend individët që ia përcjellin dhe pëlqejnë veprimtarinë dhe anise realisht nuk munden, sërisht ia dalin disi që të kenë të paktën një vepër të tij. Kjo për artistin përbën kategorinë më të çmuar të klientëve.

…Bige ka shikim të drojtur dhe buzëqeshje speciale, që të ndjekin pas edhe gjatë kohë pasi të jesh ndarë prej tij, një si rrezëllimë që ta zbukuron ditën duke të përkujtuar se sa të çiltër mund të jemi, sot si në çdo kohë tjetër.

Koha është kategori abstrakte anise ndonjëherë të lodhur nga ajo na pëlqen të themi “ashtu është koha…”.

Gabim.

Nuk është koha në pyetje, por janë njerëzit.

Ata e bëjnë kohën, e bën secili prej nesh veç e veç.

Me mënyrën se si duket, si të qaset, zakonisht i prirur më shumë të dëgjojë se sa të flasë, me delikatesën dhe sinqeritetin pasi njëra nuk përjashton tjetrën, ai të krijon ndjesinë e mirë, sado i shkurtër qoftë takimi. Prandaj njerëzit me atë lloj energjie kanë shumë miq të cilët “koha i filtron, mbeten më pak dhe bëhen më të vlefshëm. Mik është ai që t’i thotë gjërat troç dhe ti s’lëndohesh. Ngaherë më pyesin se si merrem vesh me miqtë gjuhën e të cilëve nuk e flas, them që nuk është gjuha por është shpirti që i bën njerëzit t’a kuptojnë njëri-tjetrin”.

S’duhen fjalë për t’u marrë vesh.

Për Bilgaip Koçishta-Bigen artistët janë si fëmijë të rritur, në kuptimin e bukur të fjalës. “Pasi s’ka krijesë më të sinqertë se sa fëmija, e mira është që ta mbajmë brenda vetes atë shkallë çiltërsie, si në jetë si në krijimtari”.

Përshëndetemi me Bigen, shikimi i tij tash më pak e drojtur, buzëqeshja njëlloj speciale.

Vazhdoj nëpër mbrëmjen e vjeshtës duke risjell në kokë copëzat e bisedës që i ndërlidhte një mesazh i pafjalë: sa çiltër mund të jetojmë, sot si në çdo kohë tjetër.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button