Maqedoni, filloi “heshtja zgjedhore”: Sot voton diaspora

Partitë politike mbaruan me tubimet e tyre të fundit, me çka dhe përfundoi fushata zgjedhore prej 20 ditëve, ndërkaq prej mesnatës ka filluar “heshtja zgjedhore” e cila do të zgjasë deri në mbarimin e votimit më 11 dhjetor të këtij viti, njofton Portalb.mk.

Sipas rregullave të Kodit Zgjedhor, prej mesnatës në kontekst të “heshtjes zgjedhore”, nga hyrja e saj në fuqi, deri në mbylljen e kutive zgjedhore, janë të ndaluara të gjitha format e paraqitjes zgjedhore mediale të pjesëmarrësve në fushatën zgjedhore.

Sipas ligjit, gjatë “heshtjes zgjedhore”, mediat nuk guxojnë të shpallin informata, fotografi, audio dhe video materiale lidhur me pjesëmarrësit në zgjedhje. Shkelje e “heshtjes zgjedhore” konsiderohet edhe lajmërimi i hapur apo i fshehur për ndonjë fushatë zgjedhore.

LEXO: Kontrolloni a jeni në Listën Zgjedhore

Sot voton diaspora

Votuesit në diapsorë votojnë një ditë para zgjedhjeve, përkatësisht sot, më 10 dhjetor, prej orës 7:00 deri në orën 19:00 sipas kohës lokale.

Të drejtën e vetë të votës jashtë vendit shtetasit e Republikës së Maqedonisë do të mund ta realizojnë në 46 përfaqësitë diplomatike konsullare dhe zyrat konsullare.

Më së shumti të paraqitur për të votuar ka në Bernë 4256, në Venecie 2724, në Detroid 1170, Nju-Jork 1168, Melburn 1112… Për këto zgjedhje për votim në Bernë janë hapur tre vendvotime plotësuese, përderisa në Venecie dy, transmeton Portalb.

Më së paku të paraqitur ka në Madrid – 10, në Pekin 13 dhe në Varshavë 14 votues.

Sot, gjithashtu, duhet të votojnë edhe 13 persona të zhvendosur në brendësi, 2015 persona të cilët janë në paraburgim apo në burg dhe të sëmurë dhe të pafuqishëm që janë paraqitur për të votuar.

Të mërkurën, siç është kumtuar në ueb-faqen e KSHZ-së, kanë votuar 325 anëtarët e Këshillave Zgjedhorë të cilët e kanë kryer votimin në përfaqësitë diplomatike-konsullare dhe zyrat konsullare të Republikës së Maqedonisë.

KSHZ i publikoi oraret e konferencave për shtyp

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), i ka publikuar orarin e konferencave për shtyp, që do t’i mbajnë sot dhe nesër në hapësirat e tyre.

Sot KSHZ mbanë konferencë në ora 12:00, në të cilën do të flitet për logjistikën e ditës së votimit, ndërkaq për nesër janë caktuar tre konferenca për shtyp. E para do të jetë në ora 11:00, e dyta 14:00, ndërkaq e treta në ora 18:00. Prej orës 19:00  andej, do të deklarohen rezultatet në mënyrë të drejtpërdrejtë.

“Konferencat për shtyp do të jenë të hapura për mediat e brendshme dhe të jashtme, vëzhguesit e akredituar të brendshëm dhe të jashtëm, por edhe për personat e autorizuar”, thonë nga KSHZ.

Kush dhe si do të votojë?

Zgjedhjet do të zhvillohen sipas modelit proporcional në gjashtë njësi zgjedhore. Në çdo njësi do të zgjidhen nga 20 deputetë. Në Listën zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit të regjistruar për votim janë 1.784.416 shtetas të moshës madhore të Republikës së Maqedonisë. Në Maqedoni do të votojnë 1.531.368 qytetarë, në Listën e posaçme zgjedhore janë regjistruar 230.122 persona të cilët në pajtim me evidentimin e organit kompetent konsiderohet se janë në punë të përkohshme jashtë vendit, ndërkaq për votim në diasporë KSHZ i pranoi paraqitjet e 20.573 qytetarëve, përcjellë Portalb.

Nëse i bëni këto veprime gjatë zgjedhjeve, do të dënoheni me burg ose me para

Dënime të larta me para dhe burg parashihet për rastet e shkeljeve të rregullave të procesit zgjedhor të 11 dhjetorit të këtij viti, njofton Portalb.

  • Prej 3 deri më 6 vjet burg do të dënohet personi i cili pengon për të votuar, mbajtje të armës dhe detyrim për votim.

  • Personi i cili e fotografon votën e tij do të dënohet nga 300 deri më 100 euro.

  • Deri më 500 euro është dënimi nëse mbani simbole në vendvotimin.

  • Një anëtar i organit i cili punon në kundërshtim me dispozitat e Kodit zgjedhor mund të merr kallëzim kundërvajtës dhe gjobë në vlerë prej një 1.000 deri në 3.000 euro.

  • Gjoba në vlerë prej 750 deri në 2.250 do të shqiptohet për personin fizik i cili voton për më shumë persona në emër të tjetër kujt.

  • Dënime të mëdha me para Kodi Zgjedhor parasheh edhe për partitë politike dhe për mediat të cilat nuk i përmbahen Kodit Zgjedhor.

Për më shumë rreth procesit zgjedhor lexo: KËTU

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button