BDI vazhdon të premtojë gjimnaz në Haraçinë

Banorët e komunës së Haraçinës dhe Sarajit nuk u besojnë premtimeve të dhëna të partisë shqiptare në pozitë, BDI por gjithashtu as edhe partive të tjera shqiptare në vend. Në Haraçinë mosbesimi vjen si pasojë e premtimit dhjetëvjeçar të tyre për ndërtimin e gjimnazit, gjë që ende mbtetet i pa realizuar.

Ata thonë se premtimet politike janë thjesht fjalë dhe jo vepra, shkurt e shqip, duan votën dhe premtojnë gjëra që më pas nuk i realizojnë.

BDI premtoi se gjimnazi do të ishte gati deri më tani, por nga mos-realizimi ata premtojnë të njejtën gjë edhe për mandatin tjetër. 

Këtë e konfirmon edhe platforma e re e BDI-së, pasi që ndër projektet që do të realizohen është edhe shkolla e mesme në Haraçinë për të cilën janë ndarë 123 milion denarë dhe afati i përfundimit është parashikuar të bëhet në vitin 2017. Kurse ndërtimi i shkollës së mesme në Saraj vlerësohet si projekt i realizuar i cili kap vlerën prej 50 milion denarësh.

“Secili kryetar komune që është kandiduar ka premtuar se do të ndërtohet gjimnazi, po ashtu edhe partitë politike në fushatë parazgjedhore thonë se në këtë mandat do të përfundojnë ndërtimin e gjimnazit por asgjë nuk bëhet. Ky plan dhe premtim mund të them se ekziston tani më dhjetë vite dhe ende asgjë nuk është bërë. Fëmijët tanë duhet të udhëtojnë deri në Shkup dhe të ndërrojnë dy apo tre autobusë për të shkuar në shkollë. Është maltretim. Nëse nuk mund të mbajnë premtime më mirë të mos premtojnë asgjë, sepse kot na ngjallin shpresa. Por më jemi dëshpëruar e dimë që do shkojnë edhe shumë vite deri sa të ndërtohet një objekt shkollor tek ne”, thanë banorët e komunës së Haraçinës.

Nga ana tjetër në komunën e Sarajit, vitin e kaluar u hodh gurëthemeli për ndërtimin e gjimnazit dhe u premtua se do të ndërtohet për dy vite, mirëpo edhe ndaj këtij premtimi banorët janë mjaft skeptik edhe pse punët vazhdojnë.

“Është duke u punuar, na kanë thënë se deri në shtator do të përfundojnë punimet por duke pasur parasysh se çfarë po ndodh me çerdhen e cila u premtua para pesë viteve dhe ende nuk është askund, është pak e vështirë të besohet se do ta bëjnë gjimnazit. Megjithatë është shumë i nevojshëm sepse rruga që bëjnë fëmijët tanë për çdo ditë është shumë e largët si dhe vitin që kaloi kishte mjaft incidente në autobus dhe tërë kohën rrimë me frikë për shëndetin e fëmijëve tanë”, thanë banorët e Sarajit. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button