Kujdes nga trazirat zgjedhore 

Është kohë zgjedhjesh, po ne jetojmë në vendin e çudirave, ndaj, të dielën mund të kemi edhe trazira. Konflikt përmasash të mëdha, s’e besoj, sepse i ka dalë boja ujkut ndër dhen…, ama kurbanë të kotë, dëme kolaterale – humbje jetësh njerëzore për kurgjë, e mundshme, ruajna Zot!

E dëgjuat kanosjen e hapur të ish kryeministrit për likuidimin fizik të oponentit kryesor politik të tij? E patë sa me qetësi tha: Po të ishte gjallë Dellçevi, do t’ia kishte dërguar Zaevit Andon Qoseto për t’i dhënë fund shfaqjes…

Tmerr! Në cilin shtet normal mund të kalojë kjo pa asnjë pasojë? Në cilën demokraci duartrokitet shakaja për shuarjen e tjetrit? Askund, natyrisht, po, siç thamë, ky është shtet interesant, prandaj ndodhin gjëra të pakapshme për mendjen e shëndoshë.

Mjerim! Në vend se të apelojnë për zgjedhje të qeta e të mbara, prijësit e vendit nxisin turbullira. Ish kryeministri (padroni i kryeministrit aktual dhe pretendenti për kryeinistër të ardhshëm) i frynë hapur zjarrit të konfliktit; kryetari i vendit e qet kryet nga sqetulla e të parit dhe barazon pa fije parimësie kanosësin me të kanosurin; borizanët e partishëm ripohojnë se gjendja është tejet serioze; mediet e vërdhemta të burektorëve qeveritarë krekosen për rritjen e influencës/ prezencës ruse në rajon; opinionistet me fustane grashë e mustaqe burrash trimërojnë kopenë e tyre me forcimin e aleancës evro-aziatike (ruso-kineze)…, kurse shqiptarët, si përherë në kapërcyej historishë, janë të zënë me ngrënien e kokave të njëri-tjetrit për pak pushtet fiktiv, sepse tjetri e ka pasur dhe do ta ketë sërish shumicën e gishtave.

Pa nënvlerësuar gabimet e bëra të politikanëve tanë në kuvend dhe qeveri, të gjithë e dimë se zëri ynë do të vazhdojë të jetë i vogël edhe pas zgjedhjeve të së dielës. Prandaj fiton në absurditet mekami i përçarjeve kaq të mëdha e kaq të serta brendashqiptare, mungesa e vullnetit minimal për t’ia zgjatur dorën njëri-tjetrit, për t’u ulur në një tryezë, për të hartuar një plan të vetëm dhe të përbashkët, për të hjekur vijën e kuqe përtej së cilës askush nuk do të mund të kalojë pa llogaridhënie kombit e vatanit, për të rënë në ujdi lidhur me turrinjtë e ngritur të tjerit, që janë të njëjtë për shqiptarët… Nëse nuk na ka mjaftuar përvoja historike për ta kuptuar këtë, mund ta kuptojmë nga betimet aktuale të Gruevskit, i cili thotë se Shqipja nuk do të bëhet kurrë gjuhë zyrtare në nivel vendi dhe nga premtimet e Zaevit, që garanton se nuk do të ketë asnjë ndryshim në kushtetutën e vendit.

Së këndejmi, si do të ndryshojë për të mirë pozita e shqiptarëve pa ndryshuar gjeneratorin e krizave dhe konflikteve potenciale ndëretnike? Si do të bëhemi shtetformues dhe të barabartë me kombin biblik, pa përmirësuar preambulën dhe nenet kyçe kushtetuese, të cilat e përkufizojnë vendin si shtet të kombit maqedonas dhe bashkësive/ pakicave etnike? Si të ndihemi të barabartë përpara ligjit të shtetit, që, në oborrin e gjykatës së kryeqytetit, ka ngritur përmendoren e ekzekutorit të VMRO-së, engjëllit mbrojtës të Gruevskit – Andon Qoseto?

Ç’metaforë mund të jetë kjo e bashkëjetesës së institucionit më të lartë të drejtësisë me thikën përgjakur të një kaçaku me fytyrë të kthyer nga lagjet shqiptare të Shkupit?

Kjo besoj mjafton për të qenë të kujdesshëm ditën e zgjedhjeve, për të mos rënë pre e skenarëve eventualë, që me dëshirë do të instrumentalizonte shqiptarët. Ndaj, pa pretenduar imazhin e urtakut dhe shpëtimtarit: apeloj të votojmë me dinjitet për subjektin që mendojmë se do të përfaqësojë më së miri interesin e shqiptarëve.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button