Aromë pranvere

Prilli është i veçantë; muaji i parë i pranverës, kësaj stine të bukur që këndell gjithçka. Prilli është muaji që rinon. Në fjalët e George Orwell, është stina për të cilën kanë shkruar të gjithë poetët nga Epoka e Bronzit deri sot. Fjalët nuk mund të përshkruajnë aromën e secilës fryme të pranverës. 

Pranvera është  e larë edhe me legjenda, të një trimërie të pashoqe të disa burrave të cilët nuk tuteshin përballë Balozit, kokëkuqve e kokëzinjve që me përbuzjen dhe urrejtjen e vet përlyenin tokën e tyre. Legjenda të cilat i kam përjetuar në jetën time; legjenda që ironia e të sotshmes mi largon shpeshherë nga kujtesa.

Ndërkaq pranvera jonë ka nisur në një mënyrë akoma më poetike – me zgjedhje. Dy në një, bile, si Nescaffe-ja që e pi çdo mëngjes. Është periudha më e mirë e vitit për mua, sepse zgjedhjet i japin kuptim të plotë pranverës sime. Më mbushin me shpresë bile edhe me hare kur e mendoj që e nesërmja do të jetë më e mirë. Vëmendje të veçantë ju kushtoj numrave, s’kam çka të bëj – e kam nga profesioni. Këndellem kur marr informacionin se eksporti është rritur në krahasim me vitin e kaluar, e gjithë kjo si rezultat i angazhimit të mëparshëm të qeverisë për sjelljen e investimeve të huaja në vend. Përpjekje këto që, sigurisht falë edhe reklamave të përditshme në CNN po japin frytet në formën e investimeve të reja që sapo s’kanë ardhur dhe që premtojnë rreth 2.000 punësime të reja në vitet e ardhshme. 

Falë zgjedhjeve mësoj që mirëqenia e këtij populli pas zgjedhjeve është e paevitueshme. Imagjinoni, falë iniciativës së qeverisë për ulje të tatimeve për kompanitë të cilat do të punësojnë të rinj nën moshën 29 vjeçare, për një kohë të shkurtër janë punësuar 600 sish. 
Kur dëgjoj edhe palën shqiptare që në prioritetet e programit elektoral vendos rritjen ekonomike, bindem në çiltërsinë e haresë sime. Mendohem me vete, hallexhinjtë e shumtë që i shoh të enden me karrocat e tyre nëpër Bit Pazar duke lutur blerësit t’jua transportojnë mallin e blerë në këmbim të 100 apo 200 denarëve nuk do t’i shoh më të zymtë pas një kohe të shkurtër, sepse fëmijët e tyre do ta kenë barkun plot. Ata fytyra të ngrysura që i shoh rrugëve të Serovës dhe Gazi Babës do të jenë të hareshme si pranvera. E gjithë kjo falë partive tona të cilat kanë përpiluar program progresiv ekonomik. 

Dëgjoj lajmet dhe nuk më besohet çka dëgjoj. Ndalem e mendohem, hap kalendarin për ta vërtetuar. 1 Prilli ka qenë të martën. Domethënë nuk është aprili-lili. Ka thënë dikush që pranvera është revolucionari i vetëm, revolucioni i të cilit ka qenë I suksesshëm. Edhe revolucioni jonë ekonomik post-elektoral do të jetë i suksesshëm, sepse është i vërtetë. Këtë e mësova sot nga lajmet. 

I shfryrë nga gëzimi dhe i kthjellur nga distorzionet elektronike kuptova se të dëgjosh lajmet nëpër mediumet nacionale është njëjtë sikur të dëgjosh buletinet e Ministrisë të së Vërtetës në botën fantastike të librit “1984” të George Orwell-it. Kuptoj që jeta jonë është shumë e ngjashme me botën e këtij libri, fatkeqe në thelb. 

Fatkeqësia është që e vërteta që do pasojë harenë dhe shpresën është shkatërruese për çdo shpirt. Përputhja e këtyre bombave propagandistike të lajmeve që janë ofenduese për mendjen e shëndoshë me Ditën e shakave ndoshta është vetëm ironi e fatit. E vërteta është se si ekonomi jemi akoma shumë e dobët për t’u mburrur me rritje të eksportit, kur importet dis-afishojnë eksportin, duke zhbalancuar bilancin e pagesave dhe duke krijuar një barrë të madhe në ekonominë vendase. E vërteta është se në një vend ku fuqia punëtore është ndoshta më e lira në rajon, ato pak punësime që bëhen në sektorin privat janë të parëndësishme relativisht me numrin eskalant të të papunësuarve. Në një vend ku investimet e huaja janë më të ultat në rajon si rezultat I sistemeve akoma të dobëta zhvillimore si sistemet arsimore, legjislativo-gjyqësore dhe administrative, ka pak vend për mburrje parazgjedhore.

Të pakta janë arsyet për t’ju gëzuar kësaj pranvere, sepse nuk më duket që do sjellë ndryshime rrënjësore në qasjet mendore të politikanëve dhe popullit. Por ajo do të vijë sidoqoftë, me gjithë bukurinë e vet. Të paktën, t’i gëzohemi kësaj. Të paktën, bukuria e saj nuk është aprili-lili. 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button