DIMRI NË DIBËR

Si u krijua Serbia e madhe e para Luftës së parë botërore, si ndërtohej ajo, cila ishte politika e saj ndaj “Jugut”, pra ndaj Kosovës dhe Maqedonisë, treva këto që ranë në duart e Serbisë pas ngjarjeve të përgjakshme në vitet 1912/13? Disave nga këto pyetje lexuesi do t’ua gjejë përgjigjet edhe drejtpërsëdrejti, por edhe midis rreshtash në fletëzat vijuese nga dëshmitë e njërit nga ideologët dhe krijuesit e projektit të ashtuquajtur Serbia e madhe, Milosav Jeliçit, që i shtron në Librin Kronikë e jugut. Përndryshe M. Jeliçi ka marrë pjesë aktive në pushtimin e këtyre anëve shqiptare si oficer i lartë dhe pastaj edhe në ndërtimin e pushtetit shovinist serb të asaj kohe. Tekstin e përshkojnë fjali të qarta, përshkrime mjaft interesante, me një dozë romantizmi “patriotik”, prapa së cilës fshihet bërthama e politikës serbomadhe ndaj njerëzve të pambrojtur të këtyre anëve, e veçmas ndaj shqiptarëve.

Libri është botuar në vitin 1930, pra para më shumë se tetëdhjetë vjetësh, kurse një pjesë e shënimeve është edhe më e hershme. Po kryesisht përshkruhen ngjarje që kapin periodën prej vitit 1923-1926. Shënimet, fletëzat, ditarin dhe përkujtimet do t’i japim të plota në mënyrë që lexuesi ta shohë se politika serbe ndaj fqinjëve të vet në thelb nuk ka ndryshuar asnjëherë, veçmas ndaj shqiptarëve. Si ka qenë, ashtu ka mbetur. Dhe, se dhuna politike, mospërfillja e tjetrit dhe shovinizmi mbeten në qendër të kësaj ideologjie. Për fat të keq edhe sot këto të këqija përsëriten në format më të egra nga disa qarqe politike në trevat e ish Jugosllavisë, duke mos përjashtuar këtu as disa qarqe maqedonase.

Si rezultat i kësaj politike të hershme janë edhe ngjarjet e përgjakshme të dhjetëvjetshit të fundit të shekullit të njëzet dhe të fillimit të këtij shekulli që ndodhën brenda kufijve të ish Jugosllavisë, si në Kroaci, në Bosnje, në Maqedoni dhe në Kosovë. Urrejtja ndaj shqiptarëve edhe këtu në Maqedoni, i ka rrënjët te po kjo politikë. Dhe lexuesi i nderuar në  reportazhet M. Jeliçit  do ta vërejë edhe vetë se çka na sjellin këto shënime nga e kaluara dhe sa ka lëvizur përpara qëndrimi i inteligjencies dhe i politikanëve të këtyre hapësirave ndaj shqiptarëve.

DIMRI NË DIBËR

            Ortekë të mëdhenj bien në Vllehas, Radika është fryrë, lart ka plot shtresa bore. Nëpër fushat e borës dhe nëpër gryka psherëtin Drini i Zi për fatin e tij që askund mbi të s’ka mulli. Këtu është një Zvicër shkëmbinjsh gjithandej përmbi Gostivar, deri te Dy Vllaznit e te Qafa e Murrës, prej Korabit deri në Jamë e Kërçovë. Dhe, tutje përmes Grykës, drejt Ohrit. Një shtresë e madhe e ftohtë bore i ka mbuluar majat e malet madhështore krenohen me pafundësinë e tyre dhe me reflektimin e dritave e të ngjyrave kur dielli i derdh për një çast mjegullat e malit. Rrugicat i ka mbuluar bora e kaçakë nuk ka. Vetëm arushat dhe thitë e egër e prishin qetësinë. Në Jamë stacioni i xhandarmerisë vret nga ndonjë rrëqebull. Përmbi shtëpinë time në Dibër fëmijët e mbytën një shqarth.

            Vet qytetin e ka prekur njëfarë fryme e ngrohtë dhe njëfarë kulture. Para së gjithash Ramadan Agë Pustina e ka ndërtuar hotelin “Ballkan”. Ishte kjo një ngjarje e madhe për Dibrën. Kur u krye dhe kur qiraxhiu Sofre Iliçi i solli mobilet u bë thuajse festë. Iliçët “prej kohësh” kanë qenë serbë. Njëri vëlla është radikal, tjetri demokrat, kurse i treti deputet komunist nga Prilepi, me fjalë të tjera lëmsh, nëse ky mandat mund t’ju duket edhe sot diçka. Të gjithë, megjithatë, janë njerëz të mirë dhe kjo ndarje partiake nuk ua zvogëlon vlerën. Ramadani, nga ana tjetër, është mjaft i dashur. Nuk i ngjan babait të tij Sefedin Agës i cili ka ngritur kokë edhe kundër sulltanit. Ndonjëherë është si fëmijë: luan, flet, qesh, këndon. Sa ia nis “Zoricë, moj Zora ime…” e dimë sa është sahati. Se ai kur pi, pi si burrat. Nuk e kërkon gotën e të iki. Po kërkon “një dopio” dhe ulet si njeri. Pastaj vijnë njëqind të tjerë e kështu me radhë.(1)

            Më vonë në “Ballkan” e sollën edhe kinemanë. E bleu Petko Strezoviç-i, rrobaqepës (2). Aman, aman Petko kineasti! E merrja me mend si bëhej hijerëndë, i rëndësishëm kur treguan për kinemanë. Më dinjitoz ishte shumë se sa atëherë kur e luante Pisareviçin në “Inspektorin e shkollës” së Trifkoviçit e kur unë e pata bërë regjinë. Bëlbëzoi atëherë në shfaqje edhe aty duhej edhe aty ku s’duhej, kështu që populli u këput së qeshuri. Si patron i kinemasë nuk mundte ta argëtojë popullin në ndeja si dikur kur këndonte:
                                    O ndize moj ndize një tufë pishe
                                    mos të të hajë terri me dhëmbë bishe…
            Kjo kohë është kohë ndejash. Jashtë është kthjellët dhe ftohtë, kurse nëpër shtëpi gumëzhin muhabeti, loja, kënga. Kitara, mandolina, violina, “kambana”, valle, vallja e hajdutëve, kurse përpara e luajnë me instrumente “serbijankën”. Ose Leoni, prijësi i korit e rregullon se çka duhet të bëhet në kor me rininë. Qesin verë e ëmbëlsira. Më të moçmit i nxisin të rinjtë mos të heqin dorë nga argëtimi. Jaçe Spasiçi derisa nuk e humbi këmbën nuk e prekte tokën “në tre hapa”. Koncerton edhe ndonjë damë “solo”, si e bija e Lambes ose e këndojmë që të gjithë “Biljana pëlhurën lante”. Ose Petkoja sërish ia kriste “Na u mblodhën krushqit”. Kështu njësoj nëpër dasma, fejesa, festa, ndeje. Te Spiro Vasileviçi, te Bojaxhiçi, te Milan Lazareviçi, te Jordani (2). Pastaj vijnë argëtimet e vërteta: të rinisë, të Sveti Savës, të partive.

Pastaj ajo: “Të shtunën tjetër te unë”. Ose martohet Alltanja e Strezit. Dhe atëherë për tri ditë shtrohen disa darka. Ndërsa kryeshefit të mençur të rrethit nuk i shpëton gjë. Ai ka marrë vesh se aty është kënduar ndonjë këngë anacionale, prandaj e ka thirrur aty një mësuese. Pastaj ec e drejtoje atë punë dhe dëshmoje se është shpifje. Ai përsëri bëhet nacional: është nga Magareva, pranë Manastirit. Në këto argëtime ka edhe vallëzime vitale që përfundojnë me valcer. Mund të gjendet edhe ndonjë damë për vallëzim. Tash për tash kjo liri ende ndodh vetëm në shtëpi. Kur luhet valle jashtë, vetëm burrat kapen dorë për dore. Gratë shikojnë përreth. Të luhet së bashku merret si punë e pahijshme, si në rastet kur burri e gruaja shkojnë rrugës së bashku. Asnjëherë nuk shkojnë krahas, asnjëherë gruaja nuk shkon përpara. Gjithmonë burri shkon pak përpara, kurse gruaja pas tij. Mirëpo rinia ka nisur të bëjë rezistencë, t’i kundërshtojë këto adete dhe ato shpejt do t’i mbulojë harresa.

            Te myslimanët është më qetë nëpër ndeja (3). Shkojmë në selamllëkun e Ramadanit, zakonisht ose edhe në shtëpi. Familja është në dhomat tjera. Vetëm Irfani i tij ka të drejtë ndonjëherë të na shërbejë me duhan. Të gjithë rrinë rreth e më rreth dhomës, mbështetur në jastëkë, për toke, pa këpucë e në çorapë, këmbëkryq: myftiu, hafëz Sherifi, Sabri Beu, Saki Beu, pastaj ndonjëri nga farefisi i Ramadanit e pastaj esatistët: Ymer Efendiu, Ibrahim Kaba, Murat Beu. Mua m’i japin tre jastëkë ose ma japin një karrige që të mos i mbledh këmbët. Në mangall vlon çaji ose ngrohet qumështi. Pasi të shërbehen çaji e qumështi, vjen kafeja dhe pastaj përsëritet “rituali” nga fillimi. Biseda është e lehtë. Kur flet njëri, të tjerët heshtin, dëgjojnë. Lëndë bisede është: politika, historia, feja, doket, çështjet ditore. Shpesh shpërthen gazi.

            Kështu në një ndeje te Maliq Beu paska filluar një muhabet politike. Unë s’kam qenë aty, por ka qenë aty tashmë i ndjeri esatist Halit Lleshi. Po afroheshin zgjedhjet për deputetë dhe zhvillohej biseda për kandidatët. Llogaritej se radikalët do ta kandidonin Nikola Blazhiçin, kurse demokratët mua. Dhe, atëherë disa ishin për njërin, disa për tjetrin. Te arnautët (2) është adet që shoqëria kur nuk pajtohet për diçka, atëherë e zgjedh njërin për gjykatës. Ai do ta thotë fjalën përfundimtare dhe pas kësaj mbarojnë më mosmarrëveshjet pa marrë parasysh se kush ka të drejtë. Shorti i ra Halit Lleshit dhe ai pasi heshti pakëz, tha:
            – Nëse bëhet deputet Nikola Blazhiçi, ai do të thotë në Beograd: “Këtu s’ka tjetër popull, të gjithë janë serbë”. Kurse Jeliçi do të thotë: “Pritni, pritni se dalëngadalë: të gjithë do të bëhen serbë”.
            U mashtrua Halit Lleshi. Zoti ia faltë kusuret. Ky mendim dëshmon se sa mërzitej ai për kombin e vet. Mirëpo Halitin e vranë ata të Peshkopisë, e s’i vinin Halitit as te gishti  i vogël as si trima, as si shqiptarë (3). E pastaj duke u kthyer nga ato ndeja e vërejmë se si hëna është ngatërruar diku rreth Gorencës dhe si bëhet e qelqtë Drinia në teshat e bardha solemne. Drita e mbulon hapësirën nga Deshati deri në Gollobordë. Diku-diku vetëtin pasqyra e lumit dhe ta jep përshtypjen sikur merr zjarr diçka. Dëgjohet ulërima e ujkut dhe një e shtënë në largësi. Ndoshta është në Malësi.
            Të nesërmen, kur e sjell i ati deri te dera ku bëjmë muhabet, hipën shkallëve Silkoja i vogël i Jovo Damnjanoviçit. Ai ka tre vjet e gjysmë dhe vjen këmbadoras te oda, kurse te dera ngrihet në këmbë dhe troket.
            – O mirëmëngjesi, Silko! Pse paske ardhur?
            – Ta marr ëmbëlsirën.
            – E ne sa po mendonim ç’u bë Silkoja, që s’po vjen. Hajde, shërbeju. Ulu pakëz.
            – Do të shkoj në shtëpi.
            – E ç’bën nëna?
            – Mirë është, mirë.
            Dhe largohet i kënaqur.
            Kur është festë na vizitojnë edhe njerëz të tjerë, përveç Silkos. Vjen gruaja e Andreja Sareviçit me vjehrrën. Ose zonja e Spiro Vasileviçit e veshur dibrançe, e bukur shumë, ndonëse është në moshë. Ka një farë qëndrimi dinjitoz, të natyrshëm. Bash i ka hije të jetë kryetare e Shoqatës së motrave. Kthen këtu te ne edhe Pavle Nikoliçi, mësues. Ka qenë mësues edhe në kohë të Turqisë. Edhe tash është mësues në Gostivar. Flet e flet, i thotë nja njëqind e pesëdhjetë fjalë në minutë. Dhe çdo gjëje i jep një rëndësi të veçantë me grimasa dhe me disa fjalë të huaja të cilat i përdor vend e pa vend. Dhe, për gjithçka pret pohimin e bashkëbiseduesit duke pyetur: a është ashtu?
            – Duhet vetëm me harmoni. A është ashtu?
            – Ashtu është.
            – Dhe, me elasticitet… A është ashtu?
            – Po.
            – Dhe, pa opozitë?
            – Tamam.
            Pastaj kur shkon ai, gruaja më thotë:
            – E pse ti ia miraton çdo fjalë, kur nuk është ashtu si thotë ai?
            – Hajde, pashë Zotin! Po si të nisi ta kundërshtoj, atë as terri nuk do ta nxjerrë prej këtu.
            Abdullahu vjen me të shoqen. Ai është njeri “yni”. Ka qenë në Frontin e Selanikut dhe prej atje e ka medaljen e artë për shërbim besnik. Na thirri, na thirri dhe ne i bëmë një vizitë. Pastaj na e ktheu vizitën. Dhe, për të na treguar se çfarë miku është, e lejoi të shoqen të mos fshihet prej meje. Mirëpo një njeri i varfër – një djall e gjysmë. I ka shpenzuar në pije gjithë çka ka pasur, e me këtë miqësi të re donte të nxjerrë diçka dhe kështu e prishëm miqësinë.

            Kur erdhi vrap nga fqinjët Beglia, një vashë bionde, e re, atëherë mua më çuan në dhomën tjetër. Ajo është fejuar për një njeri të moshuar, “e forcuar” siç thonë, mirëpo ai nuk mund të kthehet prej Shqipërie për shkak të disa telasheve politike (3) . Kurse ajo e pret dhe do ta presë. Sa të jetë jeta? Po, sa të jetë jeta.
            Na vizitojnë të bijat e xha Jovo Kojoviçit. Ai është i varfër për shkak se ka pasur guxim që në kohë të Turqisë ta hapë shkollën serbe në shtëpi të vet. Të gjitha meritat kombëtare shpërblehen kështu. Edhe në botën tjetër, gjetiu pra, pa dyshim. Vetëm gjatë kohës së “Dekretligjit” ka qenë kryetar komune. Po ky vend nuk i përgjigjej. Nuk qëndron mirë me arsim. Dhe është naiv.
            Ditën e pazarit e pastrojnë borën dhe i shtrojnë rrogozat. Sjellin lakra turshi gjatë gjithë dimrit, arra, pemë, lëkura, dru, misër, lesh. Shallet rreth koke, kandarin në dorë. Galiçnikaset, llazaropolaset dhe garaset i njeh sipas tufëzave të cilat dibranet nuk i qesin në teshat e tyre. Po edhe midis tyre ka disa dallime në veshë. Përshëndeten:
            – Si je?
            – Mirë, shyqyr.
            – Carrokun e paske humbur?
            – Po.
            – Ti qofsh shëndoshë!
            Arrijnë në sheshin Spas: kryetari i Zhupës së Ulët, pastaj Ymer hoxha nga Koxhaxhiku, pop Tasa nga Melniçani. Ja edhe Lazar Cubaleviçi nga Galiçniku dhe Pavle Haxhievski, mësues. Kuajt u shkojnë me revan, kurse kalërojnë përhumbur sikur t’i kenë nga tridhjetë vjet. Pastaj, pranë gotës me raki, u shkrihet bora që ka i mbuluar, kurse biseda nis nga Kulin bani.
            Në vitin e ri fëmijët na përgëzojnë me tufa borziloku, ndërsa era e ftohtë vjen e na godet nga malet tmerrësisht të larta.
            Po megjithatë ndjehet ngrohtësia midis zemrave të këtyre njerëzve.
_______________________________________________________________________________
1 Sarkazëm
2 Shumica e njerëzve që kanë mbiemra që mbarojnë me iç ose viç janë vendës2 Renditen emra që të krijohet përshtypja e një shumice joshqiptare në Dibër
3  Fjala është për shqiptarët 
2 Te shqiptarët
3 Autori për qëllime propagandistike herë e përdor termin arnaut e herë shqiptar, varësisht nga efekti që kërkon ta arrijë. Në këta rreshta, midis tjerash, padiktueshëm, përpiqet t’i përçajë shqiptarët në të dy anët e kufirit, duke i lavdëruar këta që janë “në Serbi” dhe ata që janë në Shqipëri.
3 E njëjta punë është përsëritur gjatë gjithë kohës së Jugosllavisë së Titos

LEXO PJESËN PARAPRAKE: SHËNIME NGA JUGU

Autor i librit: M. Jeliç
Përktheu, komentoi dhe përgatiti për botim: Xhabir Ahmeti.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.? 

        

Lajme të ngjashme

Back to top button