Më lehtë bëhesh magjistër e doktor sesa berber

Shkrimtari i shquar amerikan, Mark Tuen, me një rast, ndër të tjera do të konstatojë se njerëzit shpesh bëhen zarfe pa adresë. Ky aforizëm i krijuesit të një nga personazheve me të njohura të letërsisë botërore, Tom Sojerit, mund të interpretohet në variante të ndryshme, por edhe në kontestin e problemit të shtruar. 

Çështja e arsimit shqip në Maqedoni ka kohë që është bërë problem kronik, e cila gjithnjë e më shumë po fundoset para syve tanë, ndërkaq askush nuk ofron dalje nga kjo e keqe që e ka katandisur shoqërinë shqiptare. Po pse shoqërisë shqiptare i ndodhin dështimet e njëpasnjëshme dhe pse elitat e kësaj shoqërie assesi të mbushen me mend? Ndaj, çfarë mund të presim kur mungon vullneti, analiza dhe strategjia, të cilat qëmoti janë zëvendësuar me veprimin në stilin sot për nesër, duke manifestuar një diletantizëm të pashembullt. 

Në 20-vjetshin e fundit në përmasa fantastike na u shtuan “akademikët me tituj”, që në kushte dhe rrethana normale, kjo shumësi akademikësh do të konsiderohej si pasuri kombëtare. Për shumicën prej tyre kemi dëgjuar se kanë mbaruar fakultete dhe janë kurorëzuar me tituj “magjistër” e “doktorë”, por nuk dimë se kur dhe ku e kanë mbaruar shkollën e mesme. Interesimi i jashtëzakonshëm i marrjes së titujve shkencorë në forma të dyshimta, ka bërë që sot në institucionet më të larta arsimore të vegjetojnë individë me kapacitete të zbehta intelektuale e morale. Të tillëve dikush ua ka hapur portat që t’i edukojnë gjeneratat e reja, të cilët, mund ta marrim me mend, se çfarë njohuri do të përfitojnë prej profesorëve që vegjetojnë nëpër kabinetet e fakulteteve, duke mos u skuqur fare përballë faktit se janë duke bërë krim të madh. 

Pjesa dërmuese e tyre fatkeqësisht nuk kanë njohuri elementare për gjuhën shqipe, për të mos thënë se gjuha e tyre shqipe është gjuhë e çoroditur. Janë me qindra profesorë e asistentë që nuk mund ta shkruajnë një lutje të thjeshtë ose, nëse e shkruajnë, do të jetë një lutje me shumë gabime gjuhësore. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë shtrohet pyetja se a ishin të gatshme temat e tyre (të shkruara në Tiranë, Prishtinë e Sofje) apo e gjithë procedura e marrjes së titullit u bë me anë të rabushit?!

Janë edhe disa profesorë që shkruajnë tekste (disa i vlerësojnë edhe si tekste universitare), të cilat në esencë janë kompilime të vjedhura dhe të përkthyera (kryesisht nga maqedonishtja dhe serbishtja). Por, ka edhe të tillë që përdorin edhe teknologjinë copy-paste, duke u mbështetur në ueb-faqen google.com. Të gjithë e kanë të qartë se çfarë po ndodh me arsimin e lartë në gjuhën shqipe dhe ky është një fakt i pamohueshëm. Por, është edhe një fakt tjetër, po kështu i pamohueshëm: të gjithë heshtin para kësaj gjendjeje më shumë se të mjerë. Po, çfarë duhet bërë? Sikur të ofrohej mundësia për një komision të pavarur, të jashtëm dhe kompetent që do t’i hartonte disa pyetje të lehta për profesorët tanë universitarë, atëherë realisht do të krijohej edhe mundësia për ndarjen e shapit nga sheqerit. Pa hezitim do të thoshim se provimin do ta kalonin shumë pak profesorë. Pas kësaj gjithsesi do të kishim një profil të ri të profesorëve, të cilët do të ishin në hap me kohën, që do ta kuptonin rëndësinë e arsimimit sipëror, do të ishin koshientë për faktin se studentët tanë paguajnë para të majme për të përfituar njohuri, do të ishin të përgatitur në çdo çast, do të ishin të çliruar nga kthetrat e politikës dhe, natyrisht, nuk do të lejonin që në mesin e tyre të përvidhen injorantët e llojit të sotëm, të cilët i kemi me bollëk.

Fatkeqësisht “elitat” tona nuk e respektojnë kodin e përgjegjësisë. A keni dëgjuar që dikush të japë përgjegjësi për dështimet e njëpasnjëshme në lëmin e arsimit. Shoqërinë shqiptare deri në ngufatje e ka shtrënguar amatorizmi dhe logjika provinciale, që herë- herë na e krijon tipin e zombit, si produkt të një shoqërie të dështuar për shkak të mungesës së idealeve. Janë shumë shenja që tregojnë se papërgjegjësia nuk e turpëron askënd, përfshi edhe ata që veten e konsiderojnë “intelektualë”. Ndaj kjo fakton një gjendje të rëndë të shoqërisë shqiptare në Maqedoni, ku niveli i arsimit shqip ka arritur pothuaj në pikën kritike, për të mos thënë në pikën zero. Sot, fatkeqësisht më lehtë bëhesh magjistër e doktor sesa berber, sepse askush nuk i përfill kriteret dhe rregullat. Kësaj të keqe askush nuk del t’i thotë stop. Askush. As nga shoqatat që rreth vetes tubojnë kinse intelektualë. A i ka shkuar dikujt ndërmend ta shtrojë pyetjen: po nesër kush do t’i edukojë gjeneratat e reja? Apo, përse proceset nëpër të cilat duhet të kalojnë shqiptarët kanë kahe të mbrapsht? Një herë e përgjithmonë duhet të bindemi se rruga e shkollimit nuk është e lehtë ashtu siç u ndodh viteve të fundit “akademikëve” analfabetë, por është një rrugë e vështirë, e cila kërkon përkushtim dhe punë të përditshme, sepse pasojat e diturisë që falet apo blihet janë të pariparueshme. Asnjë diplomë, çfarëdo qoftë ajo, nuk mund ta kamuflojë analfabetizmin e atyre që pretendojnë ta marrin në dorë fatin e kombit. Efektet e atyre diplomave sot i ndjejmë dhe i përjetojmë kudo që sillemi. Besoni se sikur vetëm 1 për qind e atyre që kanë tituj të magjistrave dhe doktorëve të ngrenë zërin kundër anomalive të shumta, me siguri se sot gjendja e shqiptarëve në Maqedoni do të ishte më ndryshe. Zëri i tyre nuk do të dëgjohet kurrë, sepse ata kanë pasur vetëm një synim: ta marrin një diplomë, t’i shërojnë komplekset e tyre dhe të sigurojnë ndonjë punë. 

Derisa nuk vjen faza e vetëdijesimit dhe zgjimit të ndërgjegjes shqiptare, arsimi shqip në Maqedoni do të jetë një poligon i përshtatshëm për rekrutimin e një armate të madhe të analfabetëve. Është koha që të bëhemi zarfe me adresë dhe ta adresojmë përgjegjësinë, duke filluar secili prej vetvetes. Nëse është e mundur…

Burimi SHENJA

Lajme të ngjashme

Back to top button