Ibrahimi: Kërkojmë një Maqedoni të kthyer kah Shqipëria dhe Kosova (VIDEO)

Kërkojmë një Maqedoni që do të jetë e kthyer kah Shqipëria dhe Kosova, theksoi kandidati për deputet nga koalicioni “Rilindje me Besë”, Zeqirja Ibrahimi në emisionin #DEBAT në Portalb.mk.

“Ne kërkojmë një Maqedoni, e cila është e kthyer kah Shqipëria dhe Kosova e jo kah Serbia. Ne e shohim edhe cili është interesi i shqiptarëve, por ne jemi shumë të bindur që një Maqedoni e kthyer kah Shqipëria dhe Kosova së pari herë e ka të fuqishëm stabilitetin e brendshëm në shtet për shkak të shumicës shqiptare që është këtu në Maqedoni, e fuqizon kohezionin e brendshëm shtetëror” u shpreh Ibrahimi.

Kjo kërkesë sipas Ibrahimit, nënkupton forcim të marrëdhënieve ekonomike e arsimore me Shqipërinë dhe Kosovën. Ndërsa nuk paraqet aspak rrezik për vendin, pasi dy vendet do të duhet të garantojnë se nuk kanë pretendime territoriale ndaj Maqedonisë.

Ibrahimi sqaroi se koalicioni “Rilindje me Besë” është po ashtu i orientuar kah SHBA-të dhe se nuk do të bashkë-qeverisin me ata që mendojnë ndryshe.

Ibrahimi po ashtu tha se pas zgjedhjeve mund të priten koalicione të reja me të gjitha partitë shqiptare, përveç BDI-së.

Ibrahimi sqaroi çështjen e financimit të partisë.

“Në qoftë se është puna për financimin e përgjithshëm apo për financimin e fushatës, Lëvizja Besa dhe fushata zgjedhore e koalicionit Rilindje me Besë është me vetë-financim, një pjesë e madhe vijnë nga burime të brendshme, një pjesë tjetër vjen nga afaristët shqiptarë të Maqedonisë dhe një pjesë tjetër vjen prej mërgatës shqiptare të Perëndimit” tha.

Ibrahimi foli edhe për çështjen e ridefinimit të shtetit, dallimin e koalicionit “Rilindje me Besë” nga ofertat tjera politike, për Prokurorinë Speciale Publike, projektin “Shkupi 2014”, administratën shtetërore, ndotjen, strategjinë për të mbajtur të rinjtë në vend dhe çështje tjera.

Për më tepër ndiqeni videon e bashkëngjitur në vijim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button