“Gropa e vdekjes”, flet babai i 18-vjeçarit që u aksidentua në Vlorë

Babai i Kristi Panajotit, 18-vjeçarit që humbi jetën rreth një javë më parë në një aksident tragjik në Vlorë, ka folur për herë të parë në emisionin “Pasdite në Top Channel” për dramën që ka tronditur familjen e tij, njofton Top Channel.

Ai ka treguar mes lotësh se si e mori vesh lajmin e tmerrshëm dhe si i shkroi kryeministrit se zyrtarë të firmës po tentonin të manipulonin ngjarjen.

“Atë ditë nuk isha në Vlorë, kam qenë larg më kanë marr në telefon; hajde urgjent se djali është shumë sëmurë është në spital. Nipi ishte me gjithë djalin, pas tyre makina me shokët e tyre, ishin nisur për një xhiro në darkë. Asgjë tjetër, po bënte shëtitjen e fundit… Në atë moment morën djalin e madh në telefon, hajde se djali s’është mirë, kur ka ardhur Filipo e ka gjetur pa ndjenja nuk reagonte fare, më pas më njoftoi nusja: eja shpejt, urgjent… Isha shumë larg, më mbylli telefonin, s’më la kohë as ta pyesja. Në ecje e sipër që nxitoja për të arritur bëj një telefonatë tjetër marr nipin e pyes ça po ndodh, mendova djali ndonjë sëmundje, s’më shkonte në mendje që djali mund të më vdiste në aksident se edhe vetë jemi një familje që jemi marrë me makinat, unë babai jemi rritur me hekurin me timonin, e kemi në gjak makinën dhe kjo është ajo që më vret më tepër”, tregoi Renato Panajoti.

Ai tregon se menjëherë ditën tjetër ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe thotë se në rrugë nuk kishte asnjë tabelë. “Në mëngjes, kur kam ardhur e kam gjetur rrugën pa asnjë tabelë, absolutisht asnjë pengesë, vetëm një tabelë e mbuluar totalisht me baltë që thoshte ngushtim rruge e kalo këtej, ishte vendosur gabim dhe poshtë saj një tjetër 20 km në orë që s’kishte shanse ta lexoje se ishte e mbuluar nga balta, komplet baltë, nuk dallohej”.

Renato Panajoti tregon edhe se si, sipas tij, u tentua të manipuloj ngjarja. “Gjatë ngushëllimeve, mbas kurrizit tim bëheshin veprime nga më skandalozet, për shembull, policia, persona të policisë shkuan te nipi dhe i thoshin të masnin pulsin dhe reagimin e tij që të bëhej palë me palën e ndërtimit të Lungomares se, këta persona s’janë të vetëm, është gjithë shteti, zinxhiri”.

Renato shprehet se i shkroi edhe kryeministrit dhe ministrit Tahiri mbi rastin. “Me kryeministrin njihemi prej vitesh, jo personalisht por kemi miqësi të hershme, m’u përgjigj menjëherë. Faleminderit atij dhe ministrit të Brendshëm, shumë faleminderit. Ministri më tha: Renato si e ke hallin? I tregova, me tha: Mbylle e të them për 2 minuta. Pastaj më mori, më tha: po ke të drejtë, do merren masat përkatëse e do shkojnë të gjithë në burg, kush ka përgjegjësi. Më tha edhe këtë: Më ke 24 orë në 24 në dispozicion brenda hapësirës që më lejon detyra e ministrit. Ministri e çoi në Gjykatë, por prokuroria nuk na shërben ashtu siç duhet të na shërbejë. Prokuroria nuk më ka thirrur”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button