Itali, pesë gjëra që do të ndodhin pas JO-së së referendumit dhe dorëheqjes së Renzit

Reforma kushtetuese nuk është një temë që zakonisht e bën botën të mbajë frymën. Por referendumi i së dielës në Itali, ku votuesit hodhën poshtë me shumicë ndryshimet që u përpoq të sjellë në procesin kryeministri Matteo Renzi, është një përjashtim.

Pas humbjes, Renzi dha dorëheqjen. Me Evropën tashmë nervoze rreth paqëndrueshmërisë politike dhe rritjes së populizmit, të gjithë pyesin se çfarë domethënie ka ky rezultat dhe çfarë do të ndodhë më pas.

Ja pesë gjëra që duhet të mbahen parasysh:

Zëvendësimi i Renzit

“Në politikën italiane, askush nuk humbet”, tha Renzi në një konferencë për shtyp natën e së dielës. “Por unë jam ndryshe. Përvoja ime politike në qeveri merr fund këtu”. Ndërsa disa të moderuar evropianë kishin shpresuar Renzi do të mbahej, edhe përballë refuzimit, ai vendosi të mos rrezikojë. Ajo që nuk është e qartë, është se si do të zgjidhet pasardhësi i tij, lëre më se cili do të jetë. Një qeveri e përkohshme mund të marrë “stafetën”, me ministrin e financave Pier Carlo Padoan më të mundshmin, në mesin e disa udhëheqësve, ose në horizont mund të ketë edhe zgjedhje të parakohshme.

Një yll i ri ngjitet

Kjo nuk ishte një votë e drejtpërdrejtë populiste: pala që mbështeste “JO”-në në referendum mbështetej nga Mario Monti, ish-kryeministri teknokrat i Italisë dhe nga “The Economist”, një konkurrente e fortë për pozicionin e revistës më të madhe të establishmentit në botë. Por Lëvizja Pesë Yjet, një grup majtistësh ekstremë të djathtësh ekstremë, euroskeptikësh dhe aktivistësh anti-korrupsion, e udhëhequr nga komediani Beppe Grillo të, ishin disa nga fushatëbërësit më të fortë kundër Renzit. Debati ka çuar në një rritje të mbështetjes për ta në sondazhe, dhe ata mund të përfitojnë nëse ka zgjedhje. Edhe Lega Nord e ekstremit të djathtë ishte gjithashtu në anën e fituesve.

Bankat

Për një sërë arsyesh kryesisht të palidhura me referendumin, bankat italiane janë në vështirësi, dhe rezultati nuk do të ndihmojë. Si kurrë më parë, perspektiva e paqëndrueshmërisë politike ka trembur tregjet dhe, teksa euro filloi të bjerë kundrejt dollarit sapo doli lajmi, aksionet në Banca Monte dei Paschi di Siena SpA mundet gjithashtu të vuajnë, njoftoi Bloomberg. Ajo ishte në mesin e një përpjekje të minutës së fundit për të siguruar 5 miliardë euro (5.3 miliard dollarë) kapital të ri, dhe situata aktuale mund ta bëjë më të vështirë këtë gjë. Kjo ngre mundësinë e shtetëzimit, gjë që mund të godasë investitorët italianë.

Brohoritjet e “kryengritësve”

Nuk është ende e qartë se pse italianët votuan ashtu si bënë, por populistët e djathtë të Evropës ishin të etur për ta shpjeguar gjithësesi. Nigel Farage, ish kreu i UKIP dhe luftëtar pro Brexit, e përshëndeti  si një refuzim ndaj euros, ashtu si edhe Marine Le Pen, kandidate e Frontit Nacional të ekstremit të djathtë, për Presidencën franceze. Është e vështirë për të argumentuar se euroskepticizmi ishte më shumë se një prej disa faktorëve në votim; ky ishte një sondazh për politikën e brendshme, jo atë të BE-së. Dhe në çdo rast, është jashtëzakonisht e vështirë për çdo vend me aftësi paguese brenda Eurozonës, që të lërë monedhën e përbashkët.

Bllokimi vazhdon

Ekspertët janë të ndarë nëse reformat e Renzit do të kishin sjellë ndryshimin, për të cilin Italia ka nevojë. Por ato kishin për qëllim rritjen e kompetencave të dhomës së ulët, në kurriz të Senatit, si dhe ndryshimin e sistemit politik, për ta bërë më të lehtë për qeveritë që të miratonin ligje. Tani për tani, “bikameralizmi i përsosur” që u fut pas rënies së Benito Musolinit, për të mbajtur larg fashizmin, mbetet në fuqi. Por reformatorët do të duhet që të hartojnë përgjigje të reja për pyetjet e paraqitura nga bllokimet e shpeshta politike të Italisë.

Newsweek – www.bota.al

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button