Shkup, hapet ekspozita ‘Universi im’ për tolerancë dhe respekt

Në objektin “Çifte Hamam” të Çarshisë së Vjetër të Shkupit gjatë kësaj jave do të jetë e hapur ekspozita “Universi im”, veprat e të cilës janë punuar nga nxënësit e disa shkollave të mesme të qytetit, përfshirë edhe persona me aftësi të kufizuara, përmes së cilës synojnë të shënojnë 3 Dhjetorin – Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, raporton Anadolu Agency (AA).

Ekspozita e përbërë prej veprave të punuara në qelq dhe kërp, ka për qëllim që të nxisë publikun për trajtim sa më të mirë të personave me aftësi të kufizuara dhe socializimin e tyre, ndërsa përmes përfshirjes sociale të kësaj kategorie synojnë të zhvillojnë ndjenjat e tolerancës dhe respektit për diversitet.

Edukatorja në Galerinë Kombëtare të Maqedonisë, Maja Dimitrova, për AA tha se përmes këtyre veprave të artit, ata çliruan potencialin e tyre krijues dhe punuan vepra të bukura në teknika të ndryshme të artit, ndërkohë shprehën edhe idetë, mendimet, ndjenjat dhe vizionet e tyre, duke krijuar një botë të tyre në të cilën përshkruhet universi i tyre.

“Qëllimi është që t’i njohim nga afër personat me aftësi të kufizuara. Folim dhe dëgjojmë për to, por shumë rrallë i takojmë në jetën e përditshme apo në këtë rast nxënësit në mësim të rregullt. Mendoj se pikërisht përmes këtij modeli të përfshirjes sociale, nuk ka mënyrë më të mirë për t’i afruar pranë njëri-tjetrit. Mirëpo, jo vetëm ajo, por me këtë do të mësojnë edhe respektin dhe tolerancën, pranimin dhe mbështetjen e ndërsjelltë”, u shpreh Dimitrova për AA.

Dimtrova shtoi se duke marrë parasysh se kohëve të fundit të gjithë janë të mbushur me disa stereotipe dhe paragjykime, kjo është e vetmja mënyrë për t’u afruar pranë njëri-tjetrit.

Organizatorët e ekspozitës “Universi im” konsiderojnë se për një të qenë një shoqëri në të cilin çdo individ do të ketë të drejta dhe mundësi të barabarta pavarësisht nga dallimet individuale, është e nevojshme përfshirja sociale e personave me aftësi të kufizuara.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button