АNALIZË: Zgjedhjet, mbi 1 milionë euro janë harxhuar, ja kush janë donatorët

Në një periudhë prej dhjetë ditësh, vetëm katër parti politike, BDI-ja, PDSH-ja, VMRO-DPMNE-ja dhe LSDM-ja kanë harxhuar 1,1 milionë euro për qëllime zgjedhore. Në fatin ligjor, partitë i publikuan raportet e para financiare për paratë e mbledhura dhe të shpenzuara në fushatën zgjedhore, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk. Një pjesë e organizatave joqeveritare, që bëjnë ndjekjen dhe monitorimin e procesit zgjedhor i potencojnë shkeljet e mundshme. Më shumë para gjatë dhjetë ditëve të para të fushatës zgjedhore ka harxhuar VMRO-DPMNE-ja.

Vetëm për tubime dhe reklama janë harxhuar 600.000 еuro?       

Në periudhën prej 21 deri më 27 nëntor, sipas Raportit të parë të partive politike për shpenzimet zgjedhore, “Transparency international” konstaton se tashmë nga ana e lojtarëve politikë në zgjedhje vetëm për tubime janë harxhuar 300.000 еuro dhe po aq të tjera për reklamim mediatik.

“Në gjithsej 43 tubime të mëdha që u organizuan brenda një jave mund të konstatohet se janë harxhuar rreth 300.000 еuro. Për 11 stacione televizive (Kanal 5, Sitel, Telma, Alfa, TV Nova, Alsat M, TV 21, 24 Vesti, Era, Shenja, TV Art) janë harxhuar rreth 325,000 еuro”, thuhet në raportin e TI Maqedoni.

Sipas Sllagjana Tasevës, qarkullimi i parave, gjegjësisht transparenca dhe llogaridhënia, që janë të obligueshme me ligj, janë tregues i qëndrimit të një partie ndaj politikave të ardhshme.

“Fillimi i korrupsionit aspak nuk gjendet në këto procese të zgjedhjeve dhe të financimit të fushatave politike, për shkak se mënyra ose rruga e parave, gjegjësisht burimi i parave që hyjnë në llogaritë partiake dhe që harxhohen për fushata do të jetë tregues për atë se çfarë politike do të udhëhiqet” – thotë për Portalb.mk Sllagjana Taseva nga Transparency International.

Cilët janë donatorët dhe për çka janë harxhuar paratë …

Për dhjetë ditë Bashkimi Demokratik për Integrim ka harxhuar pothuajse 87 mijë euro, ndërsa në llogarinë partiake si rezultat i donacioneve janë mbledhur 111.882 еuro. Te pjesa e të ardhurave, te BDI-ja gjatë dhjetë ditëve të para janë regjistruar tetëmbëdhjetë donatorë, nga të cilët nëntë janë persona juridikë, gjegjësisht firma, ndërsa nëntë të tjerët janë persona fizikë. Kompania “Golec Trans DOOEL” me pothuajse 30 mijë euro, sa është edhe shuma maksimale e lejuar për donacion nga personat juridikë. Ka dhuruar më shumë para gjatë dhjetë ditëve të para të fushatës zgjedhore për partinë e Ali Ahmetit. Gjithsej, gjatë kësaj periudhe, BDI-ja ka harxhuar 75.000 еuro më pak se sa që ka mbledhur donacione. Pjesa më e madhe a parave, ose 76.600 еuro janë harxhuar për reklamë dhe propagandë.

Sipas financave të paraqitura, Koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, për dhjetë ditët e para të fushatës zgjedhore kanë harxhuar gjashtë herë më shumë para se sa që kanë mbledhur donacione. Kështu, në periudhën e analizuar në llogarinë e partisë janë derdhur 120.838 еuro, ndërsa janë harxhuar 714.819 еuro. Sa i përket të ardhurave, paratë janë siguruar nga 427 donatorë. Në mesin e tyre, ka funksionarë aktualë dhe të mëparshëm të partisë: ministresha Мarta Arsovska Tomovska, drejtori i Drejtorisë për çështje hidrometeorologjike, Viktor Mizo, drejtor i Drejtorisë për ZZHTI, Zharko Karaxhoski, drejtori i Pyjeve të Maqedonisë, pastaj, Dime Spasov, Silvana Boneva, Vlladimir Taleski, Emil Dimitriev dhe të tjerë. Nga të gjitha paratë e harxhuara, 461.000 еuro janë përdorur për reklama dhe propagandë, njofton Portalb.mk

Sipas raportit të parë financiar për fushatën zgjedhore, më shumë para nga donacionet ka mbledhur LSDM-ja dhe Koalicioni i udhëhequr nga kjo parti. Kështu, gjatë dhjetë muajve të parë, në llogarinë partiake janë derdhur 155.788 еuro si rezultat i donacioneve dhe 379.539 еuro të tjera nga anëtarësia, ose gjithsej 535.327 еuro. Nga ana tjetër janë harxhuar 320.000 еuro. Për reklama dhe propagandë opozita e bashkuar ka harxhuar 155.700 еuro. Shumën më të madhe në vlerë prej 184.350 denarëve i ka dhuruar Betiane Kitev, Renata Deskoska ka dhuruar 180.000 denarë, ndërsa Radmilla Shekerinska, 120.000 denarë.

Sipas raportit financiar për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2016, Partia Demokratike Shqiptare nëpërmjet donacioneve ka siguruar pothuajse 10 mijë euro. Donatori më i madh është kryetari i partisë, Menduh Thaçi me 2.800 euro, e njëkohësisht ai është lideri i vetëm që ka dhuruar para për fushatën zgjedhore. Në periudhë prej dhjetë ditësh, PDSH-ja ka harxhuar pothuajse 7.000 еuro.

Përndryshe, partia e cila nuk do ta paraqesë burimin e financimit, gjegjësisht organizatorin, sipas dispozitave ligjore do të ballafaqohet edhe me dënim me burg. Kështu, sipas nenit 165-а të Kodit Penal:

“Organizatori i fushatës zgjedhore i cili me mosparaqitjen e burimit të financave të fushatës zgjedhore, me pengimin e mbikëqyrjes mbi shpenzimin e mjeteve të planifikuara, me mosparaqitjen e raportit financiar për mjetet e shpenzuara, me tejkalimin e përkufizimeve ligjore të mjeteve të lejuara për fushatën zgjedhore, me shfrytëzimin e mjeteve të palejuara për fushatën zgjedhore, me pagesa në kundërshtim me fushatën për financimin e fushatës ose në mënyrë tjetër e keqpërdor autorizimin e vet të përcaktuar me ligj si organizator i fushatës, do të dënohet me burg së paku pesë vjet.”, njofton Portalb.mk

Sipas monitoringut të një pjese të sektorit të joqeveritar, financimi i partive politike u shoqërua me një sërë shkeljesh edhe në ciklet e mëparshme zgjedhore.

Kishte edhe raste kur persona gjendeshin në listë e donatorëve, mirëpo thonin se ata nuk kanë dhuruar fare mjete financiare. Një pjesë e llogarive të partive në fund të procesit zgjedhor nuk ishin në përputhje me rregullativën ligjore, gjegjësisht një pjesë e parave nuk kishin mbulesë. /Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button