Matematikat zgjedhore, zona numër 5

Konfiguracioni i zonës. Njësia numër 5 kryesisht përfshin pjesën jugore dhe jugperëndimore të Maqedonisë. Zona dominohet nga tre komuna të mëdha: Manastiri, Struga dhe Ohri, pastaj përfshin një pjesë të Dibrës e Kërçovës dhe në fund disa komuna më të vogla rurale.

Nga zonat ku vijnë votat shqiptare, zona 5 ka numrin më të vogël të votuesve shqiptarë, ndërsa komunat ku ka vota shqiptare mund t’i ndajmë në dy grupe. Së pari grup në vete është komuna e Strugës ku janë 50% e votuesve shqiptarë të gjithë zonës. Në grupin tjetër janë të gjitha komunat tjera së bashku, të kryesuara nga Kërçova e Dollneni me rreth 3-4 mijë vota shqiptare, e pastaj Dibra, Ohri, Manastiri, Krusheva e Resnja. Shpesh vota shqiptare vijnë edhe nga Plasnica e cila është e banuar me turq e torbeshë.

Zgjedhjet e mëparshme. Zona numër 5 përherë është ndër zonat më të vogla, andaj është riorganizuar dy herë. Në vitin 2008 këtu ka patur rreth 27.000 vota shqiptare, por më pas zonës i është shtuar gjysma e Dibrës, me çka në fund janë arritur rreth 32.000 vota shqiptare. Sidoqoftë pjesëmarrja e shqiptarëve në total këtu është vetëm 16% deri 18% të elektoratit.

Me këto vota shqiptarët tradicionalist kanë fituar tre deputetë. Rezultati përherë ka qenë 2-1 në favor të BDI-së, përpos zgjedhjeve të fundit kur PDSH pati bojkot të brendshëm rezultati ishte 3-0 në favor të BDI-së.

Ja si kanë qenë rezultatet nga zgjedhjet e mëparshme në këtë zonë:

  2008 2011 2014
BDI 15.400 15.700 23.900
PDSH 9.900 7.800 5.200
RDK 3.700 2.400
DR 5.200

 

Deputeti i fundit në zgjedhjet e vitit 2014 është zgjedhur me 7.200 vota, por në zgjedhjet paraprake pragu ka qenë 7.800. Nëse ngel dalja e zgjedhjeve të fundit për një deputet do të duhen 7.200 vota, për dy do të duhen 14.400 dhe për tre 21.600 vota. Në të kundërtën për dy do të duhen 15.600 dhe për tre 23.400.

Matematikat e BDI. Prezenca e Kërçovës, e cila voton 80%-90% për BDI-në, lartë-poshtë i siguron BDI-së deputetin e parë në këtë zonë. Për të arritur këtë asaj i duhet vetëm të përsërisë rezultatet e 2011 (jo të fryrat e 2014) nga Dibra e Dollneni për të siguruar deputetin e parë.

Por matematika për deputetin e dytë përnjëherë bëhet më e komplikuar. Nëse pragu mbetet ai i vitit 2014 atëherë BDI do t’a ketë më lehtë, por gjithçka komplikohet nëse kthehet pragu i vitit 2011. Sipas raportit të përgjithshëm të votave BDI duhet t’i arrijë 2000-2500 vota në Manastir, Resnjë, Ohër e Krushevë, me çka do t’i duhen rreth 5.000-6.000 vota në Strugë e Plasnicë.

Në Strugë BDI ka patur 7.000 vota në 2008, pastaj 6.400 dhe në fund 7.700 vota. Por e gjithë kjo ka ndodhur para shkëputjes së njërës prej figurave më markante të saj nga Struga. Pra dilema e vërtetë e BDI-së është efekti Arben Labënishti. Varësisht nga numri i votave të saj nga Struga që kanë shkuar drejt Besës, BDI do fitojë dy deputetë ose do të ngelet me një. Dilemë shtesë është Plasnica dhe nëse ajo do të furnizojë shifrat e njëjtë për BDI-në si përpara. E përbashkëta e Strugës dhe Plasnicës, dy komunave që do të përcaktojnë fatin e deputetit të dytë të BDI-së, janë votuesit muslimanë, turq e torbeshë. Nëse BDI ka ruajtur këtë trup votues ajo mund të hapërojë drejt deputetit të dytë; nëse këta ja kanë kthyer shpinën, atëherë rrezikon të mbetet me një.

Matematikat e PDSH. PDSH nuk ka ndonjë matematikë në këtë zonë. Në 2011 ajo nuk ka qenë as afër deputetit të dytë, në 2011 mezi e ka fituar të parin, ndërsa në 2014 me bojkotin e Zijadin Selës ka mbetur pa asnjë deputet.

PDSH-së do t’i duhen 2.000 vota shtesë për të siguruar një deputet. Por në ndërkohë Sela ka formuar parti dhe garon vetë në zgjedhje, ndërsa si revoltë ndaj BDI-së është shfaqur Lëvizja Besa. Pasi PDSH nuk fitoi deputet në vitin 2014, është e pabesueshme që kjo të ndodhë tani, me këtë konkurencë të shtuar. Prandaj është mëse e sigurtë se PDSH në zonën 5 përsëri do të ngelë pa deputet dhe vota për të në këtë njësi është votë e djegur.

Matematikat e “Aleanca për SHQIPTARËT”. A mund Zijadin Sela të përsërisë rezultatin e zgjedhjeve lokale 2013? Çuditërisht përgjigja është se Aleancës as nuk i duhet ai rezultat për të fituar deputetin e parë. Lista e PDSH-së e atij viti ka fituar 9.300 vota dhe nëse siguron vetëm 80% të tyre, Aleanca fiton deputetin e parë vetëm më votat e Strugës. Thënë ndryshe, edhe nëse Selës i ka rrënë rejtingu për 20% në Strugë, ai do të fitojë deputet pa patur nevojë për komunat tjera.

Mirëpo zona ka edhe komuna tjera ku një pjesë e strukturave të PDSH-së kanë kaluar te Aleanca, pikë së pari Ohri, Resnja dhe Manastiri. Më tutje duket se ajo ka depërtuar deri diku edhe në Kërçovë, ndërsa partneri i koalicionit Gëzim Ostreni mund të sjellë vota shtesë nga Dibra. Sadopak vota të fitojë këtu, ato do të jenë të rëndësishme për të siguruar deputetin. Shifra magjike kështu bie në 60%. Nëse ka ruajtur 60% të elektoratit të vet nga zgjedhjet lokale në Strugë, Aleanca pa problem do të sigurojë deputetin e parë.

Matematikat për të dytin duken thuajse të pamundshme. Sela duhet të shtojë elektoratin e vet në Strugë dhe të depërtojë shumë thellë (mbi 50% të votave) në territor të BDI-së në Kërçovë, Dibër, Manastir, Ohër e Resnjë për të arritur këtë; gjëra që nuk duket se kanë ndodhur.

Matematikat e “RILINDJE ME BESË”. Matematikat e Besës përsëri na kthejnë te nëna e kësaj zone, Struga. Nëse do të ketë sukses në këtë zonë, Besës i duhet patjetër rezultat i mirë në Strugë, prej 4.000 deri 5.000 vota. Nëse shifra është më afër 5.000, atëherë Besa është në rrugë të mirë sepse mund të sigurojë pjesën e mbetur në komunat tjera. Nëse shifra është më afër 4.000 vota, atëherë Besës nuk i mbetet hapësirë për gabim gjithkund tjetër.

Edhe për Besën, njëlloj si për BDI-në, faktor kyç mund të dalin votat e muslimanëve turq e torbeshë që zakonisht votojnë partitë shqiptare. Kjo do të thotë rezultate të mira në vende si Labunishta, Oktisi, Podgorca e të tjera në komunën e Strugës dhe gjitha komuna e Plasnicës.

Rezultatet e mundshme. Në rastin më të keq, nëse dështojnë Aleanca dhe Besa, shqiptarët mund të ngelin me një deputet të vetëm në këtë zonë, ndërsa në rastin më të mirë përsëri do të fitohen tre deputetë. Realisht duhen pritur dy ose tre.

Për mendimin tim është reale të supozohet që dy deputetët e parë në këtë zonë do t’u takojnë BDI-së dhe Aleancës. Deputeti i tretë shqiptar nga kjo zonë do të jetë Arben Labënishta i Besës ose Adem Karaga i BDI-së.

Çka të ndiqni natën e zgjedhjeve.

Beteja Sela-Labënishti-Merko. Çdo gjë në këtë zonë do të vendoset në Strugë. Megjithëse listat e BDI-së e Aleancës kanë bartës tjerë, përplasja realisht do të jetë mes tre figurave më markante në skenën politike strugane në dekadën e fundit: Zijadin Sela i Aleancës, Arben Labënishti i Besës dhe Ramiz Merko i BDI-së.

Shifra magjike në Strugë është 4.500. Cilado parti që do të kalojë e para pragun prej 4.500 votash në Strugë do të ketë përparësi drejt qëllimit të saj. Nëse ndonjëra bie nën 4.000 vota, mund të themi se shkon drejt dështimit në këtë zonë.

Kërçova. Këtu vlen vetëm të shihet nëse BDI përsëri merr mbi 80% të votave, apo ka rënë dukshëm nën këtë prag. Rezultati në qytet është indikator edhe për pjesën tjetër të Kërçovës, që gjendet në njësinë 6.

Dollneni. Dollneni është ndër komunat e rralla ku PDSH ka shtuar votat në vitin 2014. Prandaj këtu ia vlen të ndiqet raporti mes saj dhe Aleancës, për të parë nëse këta votues kanë ndejtur me PDSH-në apo kanë migruar drejt Aleancës. Ky raport është sidomos i rëndësishëm për pozicionim për zgjedhjet lokale, ku pritet betejë e ashpër mes gjitha partive shqiptare dhe maqedone.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button