“TOP LISTA NADREALISTA”

Lindita Kadriu

Lindita Kadriu

Ra një obligim i përkohshëm në vendin e punës dhe u njohtova me premtimet parazgjedhore.

Asnjëherë nuk kam ndjekur fushatat, më është dukur humbje kohe, ashtu si edhe ndjekja e politikës në përgjithësi.

Por këto ditë përkthimi i emisioneve më ndikon shkëlqyeshëm në disponim.

Punoj dhe qeshem me zë të lartë.

Hahahaha.

Vjen një tjetër margaritar,

mandej një tjetër,

shumë

plot.

Kështu më duket fushata dhe ndonjëherë qeshem me lot.

Gjatë emisionit të parë e kam kthyer audion se di saherë, kisha përshtypjen që dëgjoj gabimisht. Ndoshta veshët më bëjnë, thosha.  Nuk më zihej besë që njerëz të moshës madhore mund të deklarohen asisoj dhe që njerëz të moshës madhore, hiq ata që e kanë detyrim profesional, mund të ndalen dhe t’u kushtojnë kujdes.

Si ka mundësi liderët partiakë t’a mbajnë fytyrën serioze gjatë deklaratave për ardhmërinë hiç pa probleme? Kur i shikojnë transmetimet e fjalimeve në shtëpi, çka u thonë anëtarëve të familjes? Fëmijët dhe bashkëshortet a u zënë besë “kur hyjnë në filma”? A krijohet ndonjë humor aty në dhomë?

Si i komentojnë në zyrat e veta partiake fjalimet e veta me fytyrë të skuqur dhe grusht të shtrënguar dhe ato shifrat ëndërrimtare?

Në një shtet sa një grusht pak a shumë njihemi ose kemi dëgjuar për njëri-tjetrin.

Si në barcoletën me kinezin që ka menduar se të gjithë jemi far e fis.

Kur dikush e kryen si dihet punën e vet, fjala këtu merr dhenë, në hapësira kështu të vogla jehona është e madhe.

E konsideroj parim që nëse dikush e ka kryer mirë një punë, mund ta kryejë mirë edhe një tjetër, përfshirë dhe postin politik.

Jam e prirur t’i shikoj me dyshim ata që s’kanë biografi tjetër përpos asaj politike.

Jam e prirur t’i besoj më shumë fytyrës se sa fjalëve.

Fjalët ujdisen kollaj, kurse fytyra flet pa fjalë.

Njëherë me një mik kemi shikuar disa edicione lajmesh televizive pa zë.

I ftohtë edhe ai si ndaj televizionit si ndaj politikës,  thoshte që pa zë këto edicione propagandistike kuptohen më mirë. Ishte përvojë zbavitëse.

Por jo sa puna ime e përkohshme me përkthimin e emisioneve humoristike të sezonit akual në Maqedoni.

Dozë e mirëseardhur serotonine në këtë vjeshtë të vonë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP