Zendeli premton: “Do fitojmë për “Shvercerat” dhe tifozërinë”

Skuadra e Shkupit të dielën luan ndeshjen e fundit të sezonit vjeshtor, kur në kuadër të xhiros së 18-të do të jetë në Çair nikoqire e Makedonija Gj.P.

Ndeshja në fjalë është e një rëndësie të madhe, ndërsa Shkupi ka nevojë të madhe për tri pikë të plota dhe për përkrahjen e tifozëve të saj, që sigurisht edhe në këtë ndeshje nuk do të mungojë.

Trajneri i ri Ardian Nuhiu, është munduar që gjatë këtyre ditëve të rikthejë atmosferën dhe me punë të përgatiten për duelin e radhës. Pas disfatës së pamerituar nga Sileksi, ku në mënyrë klasike dhe evidente klubit i është mohuar gol i pastër dhe nga ana tjetër Sileksi ka shënuar gol pas lojës me dorë, skuadra gjithçka ka lënë pas vetes dhe është koncentruar maksimalisht për të marrë vetëm tri pikë ndaj Makedonija Gj.P, skuadër të cilën e kishte mundur në ndeshjen si mysafire në lagjen e Gjorçe Petrovit.

Edhe ekipi kundërshtarë do të udhëtojë në Çair me dëshirë për të marrë pikë, pasi janë në pozitë të palakmueshme në tabelë, por kapiteni i skuadrës së Shkupit, Suat Zendeli me plot optimizëm beson te grupi, duke thënë se kjo fitore i duhet ekipit dhe vet tifozëve të cilët meritojnë më shumë.

“E kemi parasysh të gjithë se ndoshta edhe e kemi tepruar për faktin që ka kohë që nuk kemi fituar në Çair, por tani më është koha e duhur, pasi është momenti kur me çdo kusht duhet të marrim tri pikë ndaj Makedonija Gj.P. Ndaj Sileksit ishim shumë afër që së paku të marrim një pikë, ku të gjithë e patë përmes videove se çfarë skandali bënë arbitrat. Jemi të mbledhur dhe kemi punuar duke akumuluar energji për të dhënë dhe atomin e fundit në këtë ndeshje. Padyshim se në asnjë ndeshje nuk e kemi kursyer veten, atë që është kërkuar nga ne e kemi zbatuar në terren. Jemi një grup me karakter dhe zemër të madhe që këtë e kemi dëshmuar shumë herë. U bëj thirrje tifozërisë që në numër sa më të madh të vijnë të dielën që në ta japin përkrahje, pasi që nuk e kisha pa ndonjë herë që tribuna në Çair të jetë e zbrazur si në ndeshjen e fundit me Bregallnicën. Mbështetja dhe brohoritjet nuk kanë munguar nga ata, por i dua në numër sa më të madh, që ndeshjen e fundit të këtij gjysmë sezoni ta fitojmë dhe ta festojmë bashkë me ju, pasi që ju e meritoni këtë edhe pse ju meritoni më shumë se kjo”, ka thënë në fund kapiteni i skuadrës Suat Zendeli.

Në ekipin e Shkupit pas pauzës shkaku i pesë kartonëve të verdhë, rikthehet mbrojtësi Mevlan Adili, ndërsa lëndimi i të mërkurës në Kratovë i Edis Maliqit nuk ishte serioz, kështu që mbrojtja do të jetë stabile. Të gjithë futbollistët e tjerë do të jenë të gatshëm për sfidën e të dielës, në përjashtim të të lënduarve Husein Demiri dhe Florian Kadriu, kthimi i të cilëve pritet në sezonin pranveror.

Ndeshja Shkupi – Makedonija Gj.P. luhet të dielën në stadiumin e Çairit me fillim në orën 13:00. /Portalb.mk/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button