Gazetari interpreton porosi, për të lavdëruar një parti

[Recension : POROSITË E ANKETAVE]

Zakonisht, kur bëhet interpretimi i anketave, duhet patur shumë kujdes. Duhet shikuar kredibiliteti i agjencisë, periudha dhe mënyra e anketimit, numri i të anketuarve, anketat paraprake. Nuk duhet nxjerrë vetëm një pjesë e anketës për poentime të caktuara politike. Duke marrë parasysh trajtimin joprofesional që u bëhet sondazheve në përmbajtjet mediatike, Servisi për Verifikimin e Fakteve paradokohe ka analizuar leximin selektiv të anketave, ndërsa rezultatet e kësaj analize flasin për atë se ka mungesë të trajtimit dhe transmetimit të mirëfilltë të hulumtimeve të opinionit publik. Ky tekst, për shembull, nuk ka marrë parasysh asnjë normë të transmetimit të anketave, duke mbajtuar anën e vetëm një pale që “del mirë” në anketë.

porosite-e-anketave-aktuale-mk
Linku deri te artikulli origjinal:
POROSITË E ANKETAVE

Data dhe koha e publikimit: 27.11.2016

Data e recensionit: 29.11.2016

Recensuese: Ferikan Iljazi

Që në fillim, duket se lajmi është i shkruar me porosi për një subjekt politik dhe i anashkalon të gjitha detajet e tjera, duke u futur kështu në fushatë politike në favor të partisë BDI.  Mungon qasje më thelbësore e kësaj analize. Si duket, qëllimi nuk ka qenë të përpilohet një tekst i mirëfilltë siç i ka hije, por të propagandohet në interes të partisë. Për të qenë teksti edhe më i pakompletuar, ai është pa autor, ndërsa si burim figuron vetëm nënshkrimi i një portali.

Fotografia e vendosur në krye të tekstit duket të jetë nga anketa e IRI-t, po në tekst nuk saktësohet se kush e ka bërë anketën, vetëm përdoret kualifikimi “agjencitë  e pavarura”. Ku e di dhe si e dëshmon gazetari se cilat janë agjenci të pavarura e cilat jo?

“Agjencitë e pavarura për hulumtimin e publikut kanë nxjerrë BDI-në fituese eventuale në zgjedhjet e ardhshme. Këto rezultate shprehin shumatoren e të arriturave të BDI-së, dhe do të ishte naive të injorohen ato. Propaganda sterile anti-BDI mori një përgjigje të merituar nga hulumtimet e fundit të publikut. Sërish u konfirmua besueshmëria ndaj BDI-së, si forcë relevante dhe me ndikim e cila do të udhëheq edhe për katër vjet proceset politike e institucionale në vend”

Ky tekst, pavarësisht se është analizë (që nënkupton një vështrim subjektiv, por të ndonjë personi me shkathtësi për të bërë analizë në bazë të argumenteve dhe njohurive adekuate), favorizon një palë, nuk përdor burime ose analistë që do t’i konfirmonin këto teza dhe vetëm lejon që vetë autori i panjohur të japë përfundime se cila qenka partia me më shumë të arritura në Maqedoni. Edhe po të jetë ashtu, gazetari nuk e ka rolin e opinionistit ose politikanit, por të informuesit, i cili nuk duhet të tregojë asnjë lloj anshmërie. Opinionet e tilla zakonisht i shkruajnë njerëz që kanë krijuar një status në shoqëri dhe janë zëra relevantë të opinionit në një temë të caktuar, ose, nëse bëhet fjalë për  koment nga redaksia, kjo duhet theksuar dhe duhet bërë me dije për lexuesit.

“Njerëzit nuk iu besojnë përrallaxhinjëve inatxhinjë , e më së paku atyre të cilët dezonformatën mundohen ta kamuflojnë si kauzë sociale të njerëzve të pakënaqur. Baltosësit e BDI-së është mirë t’i analizojnë pak më mirë rezultatet e fundit të hulumtimit publik dhe t’i rishikojnë qëndrimet e tyre. Vetëm në këtë mënyrë mund të vendoset një rregull në kriteret vlerësuese të mendimit publik, që për bazë do të duhej të ketë faktografinë në terren, e jo animozitetet subjetkive të dashakeqëve. Agjencitë e pavarura për hulumtimin e publikut kanë nxjerrë BDI-në fituese eventuale në zgjedhjet e ardhshme”

Jam e sigurtë se teksteve të tilla u ka zili zyra për informim publik e BDI-së,  pasi që i tejkalojnë edhe lavdëratat e tyre për vetëveten. Për të qenë edhe më dëshpëruese, teksti madje u sugjeron analistëve se si duhet të formojnë qëndrimin e tyre. I ‘mëson’ vëzhguesit kritikë të proceseve politike se si duhet të mendojnë dhe analizojnë, në njëfarë mënyre duke bërë thirrje për njëmendësi.

“Çdo vëzhgues serioz i proceseve politike, do të duhej që mbi këta parametra të mendimit publik të projektojë edhe instrumentariumin e kritikave. Në të kundërtën hapësira publike mbetet bosh dhe në vend të saj instalohet njëfarë xhungle e mendimit që prodhon më tepër mjegull se sa qartësi dhe rezon publik”

Përmbajtja, e tillë siç është, paraqet një tekst kryekëput propagandues dhe sugjestiv, veti këto që nuk lejohen t’i ketë një përmbajtje profesionale.

 


Ky recension është përgatitur në kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky recension është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button