Të mos skuqesh as para gjakut

 

Mjafton të mos kesh turp që pastaj të shfaqësh sa të duash gënjeshtra, shtrembërime dhe padrejtësi. Pasi nuk kanë turp, kurse në anën tjetër e dinë rëndësinë e mospasjes turp, me çdo kusht mundohen t’i mbulojnë turpet përmes mospranimit të realitetit. Pakëz ato të arritura, shumë shpesh i përmendin në mënyrë që shumë ato dështime të mund t’i mbulojnë. Nëse ndodh të zihen pisk, fare pa ju skuqur fytyra, thonë se qytetari është ai që vendos. Kanë besim në qytetarin, ngaqë ende janë të sigurt se lehtas e mashtrojnë. Qytetarin e përdorin si leckë për t’ia mbuluar shëmtitë trupore, pastaj e trajtësojnë në numër dhe në fund i thonë se ti e meriton të jesh viktimë, ngaqë verbërisht besove.

Ortaku i BDI-së, në mungesë të provave dhe argumenteve akuzoi të pafajshmit, kurse këta që hiqen se shumëçka është në rregull, nuk qenë në gjendje t’i mbrojnë të pafajshmit. Pastaj u arsyetuan se ende nuk kemi prova dhe argumente për ta dëshmuar pafajësinë e tyre. Harruan se provat dhe argumentet të duhen për ta dëshmuar një vepër të caktuar. Kësisoj, nëse nuk e ke vrarë askënd, nuk të duhen prova dhe argumente për të dëshmuar se askënd nuk e ke vrarë, ngaqë mjafton se nuk ekzistojnë prova dhe argumente se dikë e ke vrarë. Mirëpo, nëse e ke vrarë dikë, atëherë kjo vepër duhet të dëshmohet me prova dhe argumente.

Në rastin e Sopotit dhe të Monstrës, njerëzit u akuzuan për vepra konkrete ende pa hyrë në gjykatë. U cilësuan terroristë, edhe pse provat dhe argumentet fare nuk dukeshin në horizont. Ndodh që të arrestohesh pa faj, mirëpo assesi të akuzohesh pa faj, ngaqë akuzës i paraprijnë provat dhe argumentet. Në këto raste kishim arrestime dhe akuza, por jo prova dhe argumente, sepse nuk kishim njerëz të drejtë në pushtet. Tani që kishim arrestime dhe akuza, por jo prova dhe argumente, doli që për lirimin e tyre duhej të sigurohen prova dhe argumente se këta janë të pafajshëm. Kjo nuk do të ishte gjithaq e dhimbshme nëse do të kishim vetëm arrestime, por jo edhe akuza. Paramendojeni se sa të ulët dhe të padrejtë janë njerëzit e pushtetit. Pa prova dhe argumente të akuzojnë, pastaj për ta zhbërë akuzën në fjalë, kërkojnë argumente dhe prova!

Pronat e shqiptarëve në Gjorçe u dogjën, mirëpo zjarrvënësit ende nuk i pamë prapa grilave dhe as që u janë kompensuar dëmet nga kjo djegie. Po ashtu, për muaj të tërë u rrahën nxënësit shqiptarë nëpër autobusë, mirëpo ende rrahësit nuk i pamë ta kenë marr dënimin e merituar. Në të dyja rastet viktima ishin shqiptarët, kurse agresorët ende shëtitet lirshëm. Në (pa)drejtësinë e Maqedonisë, shumë e rëndësishme është përkatësia kombëtare dhe fetare e viktimës dhe pastaj në sajë të kësaj përkatësie vendoset prangosja apo lirimi i kriminelit. Po qëlluan të vrarit apo të dëmtuarit shqiptarë, lënda mbulohet me arsyetimin se hetimet vazhdojnë, madje duke na ligjëruar organet e drejtësisë se akuzës i paraprijnë provat dhe argumentet. Ndërsa po qëlluan të vrarit apo të dëmtuarit joshqiptarë, atëherë tepër shpejt aktorët e krimit prangosen, njëherësh rrugës për në paraburgim i sajohen provat dhe argumentet përmes mekanizmit të montimit politik.

Kjo është e qartë. Këtë e dinë edhe më mirë ata që udhëheqin me institucionin e drejtësisë. Sa e sa raste tjera kemi që drejtësia veproi tepër padrejtësisht ndaj shqiptarëve, ndërsa ata që duhej t’i mbronin shqiptarët dhe të cilët nuk i mbrojtën, tani pafytyrësish përmes llomotitjes pa asnjë grimcë logjike, sinqeriteti dhe edukate, dalin e na hiqen mbrojtës dhe shpresë për shqiptarët. Gjithsesi, ata që e duan drejtësinë, tani kanë mjaftueshëm argumente dhe prova për të mos e legjitimuar këtë shpurë keqbërëse.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button