Çështja e emrit, ja çfarë premtojnë partitë politike në platformat e tyre

Maqedonia tani më një kohë të gjatë po ballafaqohet me Greqinë për çështjen e emrit, proces ky i cili ende ngelet i pazgjidhur.

Shumë herë u vlerësua se kjo çështje pengon Maqedoninë në integrimin euroatlantik dhe shpeshherë partitë politike premtuan zgjidhje të këtij problemi, mirëpo ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje.

Edhe në këto zgjedhje të parakohshme partitë politike kanë futur ne programet dhe platformat e tyre çështjen e emrit dhe zgjidhjen e mundshme të saj.

VMRO: Nuk do të lejojmë asnjë zgjidhje për kontestin e emrit të imponuar nga Greqia

Lidhur me kontestin politik me Greqinë rreth emrit kushtetues të vendit tonë, në platformën e VMRO-së, thuhet se Maqedonia është e drejtuar për të gjetur një zgjidhje të dinjitetshme të pranueshme për shumicën e qytetarëve në kuadër të bisedimeve nën patronazhin e Kombeve të Bashkuara.

“VMRO-DPMNE është e gatshme të vazhdojë dialogun politik greko-maqedonas në bazë të strategjisë dhe parimeve të përcaktuara tashmë.

VMRO-DPMNE nuk do të pranojë ndryshimin e kushtetutës për të ndryshuar emrin kushtetues të Maqedonisë. VMRO-DPMNE nuk do të pranojë idetë dhe sugjerimet që do të rrezikojnë popullin maqedonas dhe identitetin kombëtar maqedonas, individualitetin e kombit maqedonas, gjuhës dhe kulturës maqedonase.

VMRO-DPMNE, parti popullore dhe e përgjegjshme nuk do të lejojë asnjë zgjidhje për kontestin e emrit të imponuar nga Greqia, të pranohet nga politikanët individual, të qeverisë apo të Parlamentit, pa u shpallur një referendum qytetarët e Maqedonisë, dhe shumica të pajtohet me zgjidhjen e mundshme.

VMRO-DPMNE, pavarësisht këtyre pengesave të imponuara, mbetet fuqimisht e përkushtuar në procesin e integrimit në familjen në të cilën përket politikisht, kulturalisht dhe ekonomikisht. BE dhe NATO do të thotë vlerë e shtuar si për neve ashtu edhe për stabilitetin rajonal, unitetin politik dhe zhvillimin ekonomik”, qëndron në platformën e VMRO-së.

LSDM: Jemi për tejkalimin e çështjes së emrit, por nuk do të pranojmë asnjë bisedë në lidhje me çështjet e identitetit

Në programin e LSDM-së thuhet se duke filluar nga Kushtetuta, çështjet e interesit më të lartë kombëtar dhe shtetëror, qeveria e ardhshme e LSDM-së do të ndërtojë në mënyrë aktive një konsensus të të gjitha palëve të interesuara në vend.

“LSDM me të vërtetë do të jetë e angazhuar për tejkalimin e kontestit të imponuar nga Greqia, por nuk do të pranojë asnjë bisedë në lidhje me çështjet e identitetit.

Për zgjidhjet e mundshme mbetemi të përcaktuar për një referendum në të cilin do të shprehen qytetarët.

LSDM-ja nuk do të lejojë një ndryshim themelor të nacionalitetit, gjuhës apo identitetit kulturor të popullit maqedonas, si dhe të cilit do qytetar të Maqedonisë, pa marrë parasysh nga nacionaliteti, feja apo përkatësia etnike.

Ndryshe nga qeverisë së mëparshme, LSDM-ja do të fokusohet në bashkëpunimin rajonal dhe fqinjësi të mirë. Kështu, për të përmirësuar zhvillimin rajonal dhe stabilitetin, do të rrisim bashkëpunimin me fqinjët”, thuhet në programin parazgjedhor të LSDM-së.

BDI: Do të angazhohemi në gjetjen urgjente të një zgjidhje të pranueshme për çështjen e emrit

Në platformën parazgjedhore Bashkimi Demokratik për Integrim thotë se është për integrime dhe se rruga për integrimet euroatlantike ka shumë vështirësi dhe pengesa.

“Rruga për integrimet euroatlantike ka shumë vështirësi dhe pengesa. Në këtë rrugë, idealet e shqiptarëve të Maqedonisë nuk janë në kundërshtim me interesat e asnjë komuniteti që jeton në Maqedoni. Përkundrazi, ato bashkërenditen në përkushtimin për NATO-n, Bashkimin Evropian dhe përpjekjet e përgjithshme për një Maqedoni stabile e të prosperuar.

Bashkimi Demokratik për Integrim do të angazhohet në gjetjen urgjente të një zgjidhje reciprokisht të pranueshme për çështjen e emrit. Tejkalimi i kësaj çështje do të hap rrugë anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë në NATO, si dhe hapjen e negociatave për aderim në Bashkimin Evropian. Progresi në këtë proces do të rrit sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e vendit”, thuhet në platformën e BDI-së.

Rilindje me Besë: Detyra jonë kryesore është integrimi i vendit në NATO dhe BE

Në platformën parazgjedhore të Rilindjes me Besë, thuhet se politika e jashtme e një shteti është themelore për pozicionin e shtetit kundrejt botës. Kjo, në rastin e Maqedonisë, është jashtëzakonisht e rëndësishme për integrimet e saj në strukturat euro-atlantike.

“Për fat të keq, që nga pavarësia e këndej qeveritë e Maqedonisë nuk u treguan të denja për të zhvilluar politika të jashtme të suksesshme dhe për t’i përmbushur reformat të nevojshme për ta afruar dhe integruar vendin në BE dhe NATO.

Detyrat kryesore të koalicionit “Rilindje me BESË” në resorin Punëve të Jashtme do të jenë: Integrimi i vendit në NATO dhe BE përmes RIDEFINIMIT të strategjisë rreth çështjes së emrit dhe implementimit të rekomandimeve të Pribes”, thuhet në platformën e Rilindje me Besë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button