Matematikat zgjedhore, zona numër 2

Konfiguracioni i zonës. Njësia numër 2 njihet si njësia shkupjano-kumanovare. Ajo përfshin pjesën e mbetur të Shkupit, Kumanovën me Likovën dhe disa komuna të vogla rurale si Çuçer-Sandeva e Staro Nagoriçane.

Njësia numër 2 ka numër më të madh shqiptarësh se njësia 1 dhe njëlloj si gjashtësha përherë ka numër më të madh votuesish se njësitë tjera. Për momentin ajo tejkalon mesataren me 3,5%, ndërsa është 9% më e madhe se njësia numër 3. Pra mosbalancimi i njësive zgjedhore shkon në dëm të kësaj njësie.

Ndër votuesit shqiptarë zona mund të ndahet në tre pjesë: në dy boshte kryesore ku mblidhet pjesa dërmuese e votave dhe një grup tjetër me vota shtesë. Njëri bosht përfshin Kumanovën me Likovën. Boshti tjetër poaq i rëndësishëm është grupi i komunave të mëdha shqiptare të rajonit të Shkupit: pjesa e mbetur e Çairit, Buteli, Gazi Baba dhe Haraqina. Ndërkaq në grupin e tretë janë komuna me më pak vota shqiptare si Gjorçe, Çuçer Sandeva dhe Shuto Orizari.

Zgjedhjet e mëparshme. Me rritjen e trupit votues të zonës, numri i votave shqiptare ka shkuar duke u rritur nga 45.000 në vitin 2008 në 50.000 në vitin 2014. Por si përqindje vota shqiptare ka mbetur konstante, duke përbërë 27% të trupit votues ditën e zgjedhjeve, pjesërisht si pasojë e daljes më të ulët në krahasim me elektoratin maqedonas. Një numër i ngjashëm votash duhet të pritet edhe kësaj rradhe. Megjithëse ka indikacione se dalja do të jetë më e madhe, një pjesë të votave shqiptare të kësaj zone do të shkojnë te LSDM-ja, e cila në këtë njësi ka kandidat shqiptar në pozitë fituese.

Potenciali i vërtetë i shqiptarëve në zonën 2 është të nxjerrin gjashtë deputetë. Por për shkak të daljes së ulët të shqiptarëve numri i deputetëve ka ndryshuar nga zgjedhje në zgjedhje. Në 2014 kanë dalur pesë deputetë, me rezultat 4:1 për BDI-në. Në vitin 2011 kanë qenë vetëm katër deputetë, 3:1 për BDI-në. Maksimumi është arritur në vitin 2008 kur kanë dalur gjashtë deputetë, katër për BDI-në dhe dy për PDSH-në. Por deputeti i dytë i PDSH-së atëherë ka fituar mbi deputetin e LSDM-së për vetëm 30 vota. Ky është shembulli që ilustron më së miri rëndësinë e daljes në zgjedhje dhe forcën e një vote të vetme për të ndryshuar rezultatin.

Ja edhe rezultatet nga zgjedhjet e mëparshme në këtë zonë:

  2008 2011 2014
BDI 28.900 24.200 32.000
PDSH 13.900 12.000 13.800
RDK 3.900 4.500
DR 7.300

 

Për të fituar një deputet në zgjedhjet e fundit janë dashur 7.500 vota. Ky numër mund të rritet me dalje më të madhe, por hë për hë kjo do të thotë se për një deputet duhen 7.500 vota, për dy 15.000 vota dhe për tre deputetë duhen 22.500 vota.

Matematikat e BDI. Rastet si Sopoti, Monstra, ngjarjet e Kumanovës apo konflikti brendapartiak që përfundoi me vrasje e kanë goditur rëndë BDI-në në zonën 2, sidomos në rajonin e Kumanovës. Nëse BDI në boshtin Kumanovë-Likovë përpara ka fituar 12-14 mijë vota, nuk është për t’u habitur nëse këtë rradhë kjo shifër përgjysmohet. Aspak më e mirë nuk duket situata as në boshtin e Shkupit apo komunat e vogla, ku BDI ndoshta nuk ka humbur si në Kumanovë, por pa dyshim ka rrënie nga paraqitja e Besës dhe shkëputja e Unitetit. Faktor tjetër komplikues është LSDM-ja, e cila kërkon votat shqiptare këtu më tepër se kudo tjetër, duke pozicionuar kandidat shqiptar në pozitë të fortë fituese. Frikën e BDI-së nga LSDM-ja në këtë zonë më së miri e dëshmon retorika e ashpër kundër kësaj partie në tubimet në Shkup e Kumanovë.

Nëse nisemi nga këto fenomene, duke supozuar se BDI mund të humbë gjysmën e Kumanovës dhe 30% të Shkupit, vota e saj duhet të sillet në gamën 14.000-17.000. Tashmë as që mund të bëhet fjalë se BDI do të fitojë tre ose katër deputetë; në esencë shifrat flasin se BDI po lufton me mish e me shpirt që në këto zgjedhje të shpëtojë kandidatin e dytë. Njëlloj si në zonën 1, BDI ka frikë se mund t’i ndodh djegje e madhe e votave, ashtuqë të sigurojë lehtë deputetin e parë, ndërsa të humb për pak vota të dytin. Dallimin final, ato pak vota që i nevojiten për deputetin e dytë, eventualisht mund t’a bëjnë komunat e vogla si Gjorçe e Çuçer-Sandeva.

Matematikat e PDSH. Si kudo, PDSH edhe në këtë zonë ka patur një elektorat tejet stabil, 12.000-14.000 vota. Këto vota i kanë lejuar komoditet për të fituar deputetin e parë, por asnjëherë nuk kanë qenë të mjaftueshme për të dytin. Përjashtim bën viti 2008 kur LSDM pësoi debakël dhe PDSH i morri deputetin për 30 vota. Sfida e PDSH-së pra në këtë zonë është të ruajë deputetin e parë, pa gjasa për të fituar të dytin.

Ndryshe nga zona 1, PDSH këtu ka komoditet më të madh. Së pari ajo përherë ka më tepër vota te dyshi se te njëshi. E dyta, pragu këtu zakonisht është më i ulët. E treta, nuk duhet harruar se PDSH me siguri kishte fituar BDI-në në zgjedhjet lokale në Likovë, por humbi ngase nuk ju pranua kërkesa për rivotim në një fshat ku statistikat tregojnë qartë se votat ishin manipuluar.

E gjithë kjo flet që PDSH-ja në këtë zonë ka struktura stabile. Tani asaj i duhet të ketë ruajtur vetëm 50-60% të kësaj strukture për të fituar një deputet. Popullariteti personal i kandidatit Orhan Ibrahimi është garancë shtesë se PDSH këtu do të fitojë një deputet, por assesi më tepër.

Matematikat e “Aleanca për SHQIPTARËT”. Aleanca është pikëpyetja më e madhe në njësinë zgjedhore numër dy. Ajo duhet të mbështetet kryesisht te ish-votuesit e PDSH-së, por këtë do t’a ketë të vështirë pasi një deputeti të njohur dhe strukturave kompakte të PDSH-së i del përballë me kandidat pak të njohur nga e njëjta komunë. Aleanca pra pret që të grumbullojë vota nga boshti i Kumanovës, por shifrat nuk janë të mjaftueshme nëse nuk ka kontribut të ndjeshëm nga Uniteti.

Nëse për shembull Aleanca merr 40% të votuesve që i ka patur PDSH, ndërsa Uniteti arrin të shkëpusë 10% të votave të BDI-së nga viti 2011 (gjithmonë pasi rezultatet e BDI-së nga 2014 nuk janë reale), kjo nuk do të mjaftojë për të nxjerrë një deputet. Gjithçka bëhet edhe më e vështirë nëse Aleanca nuk ka arritur të kthejë as 10% të votuesve të BDI-së, mundësi tejet reale pasi këta votues kryesisht kanë migruar te BESA. Në atë rast Aleancës i duhet performancë edhe më e mirë te votuesit e PDSH-së, diku rreth 60%. Nëse arrin këtë ajo fiton deputetin, por atëherë bie deputeti i PDSH-së. Zona 2 pra duket se nuk do të ketë vend për PDSH-në dhe Aleancën; me gjasë deputet do të fitojë vetëm njëra prej tyre.

Matematikat e “RILINDJE ME BESË”. Për Rilindjen me Besë zona 2 është zona “do or die”. Besa, e cila po bën depërtim direkt në elektoratin e BDI-së, këtu i ka gjasat më të mira për t’a mposhtur atë dhe për t’u legjitimuar njëherë e përgjithmonë si konkurente serioze në skenën politike.

Shenjat e para tregojnë se Besa ka arritur të kapitalizojë me të madhe dështimet e BDI-së në rajonin e Kumanovës. Nëse ky depërtim në territorin e BDI-së është substancial, atëherë partia pa shumë kokëçarje do të sigurojë deputetin e parë. Nëse Besa në Kumanovë merr gjysmën e elektoratit të BDI-së, atëherë në Shkup i mjafton vetëm 10% për të siguruar një deputet.

Por matematikat për deputetin e dytë pastaj bëhen shumë më të vështira. Për të arritur këtë Besa duhet t’i merr BDI-së 60% të votuesve në Kumanovë dhe gjysmën në Shkup e në komunat e vogla. Nëse Besa eventualisht arrin këtë, atëherë ky do të jetë debakli më i madh i BDI-së në ekzistencën e vet, sepse do të mposhtet për herë të parë në një njësi të tërë zgjedhore.

Matematikat e LSDM-së. LSDM jorastësisht kërkon më së shumti votat e shqiptarëve në njësinë 2, sepse kjo njësi mund të jetë kyçe për partitë maqedonase. Nëse dallimi mes dy partive vërtetë është ngushtuar në nivel nacional, kjo do të thotë se LSDM do të fitojë në zonën 1, VMRO do të fitojë në zonën 3, ndërsa do të barazojnë në zonat 4 dhe 5. Për partitë maqedonase zona 2 përherë ka qenë më fluidja, kështuqë votuesit shqiptarë të kësaj zone mund përnjëherë të bëhen vendimtarë për fitoren e LSDM-së. Target i saj me siguri është që me votat shqiptare të sigurojë një deputet plus, ndërsa për më tepër është vështirë të flitet.

Rezultatet e mundshme. Në skenarin më të keq për partitë shqiptare, mund të ndodhë që me dalje të madhe tek maqedonasit pragu zgjedhor të rritet, dy parti të fitojnë nga 15.000 vota, dy tjerat nga 7.000, dhe me këtë shqiptarët të përfundojnë me vetëm dy deputetë. Në rastin më të mirë njëra parti mund të mbledhë mbi 16.000 vota dhe tre tjerat nga 8.000-9.000, me çka zona përsëri do të nxjerrë pesë deputetë shqiptarë.

Në realitet pak janë gjasat që votat të ndahen në mënyrë kaq precize, qoftë për skenarin minimal, qoftë për atë maksimal. Realisht duhet të pritet që të përsëritet rezultati i vitit 2011 kur shqiptarët këtu nxorrën katër deputetë. Kjo edhe për faktin që një numër votash shqiptare këtë rradhë do të shkojnë në konton e LSDM-së.

Nëse do duhej t’i ndajmë këto katër deputetë nëpër parti, do të thoja që tre deputetët e parë do t’u takojnë BDI-së, PDSH dhe Besës. Deputeti i fundit duhet të kërkohet mes të dytit të BDI-së, të dytit të Besës dhe të parit të Aleancës.

Çka të ndiqni natën e zgjedhjeve.

Beteja për Kumanovën. Kumanova në këto zgjedhje do të jetë alfa dhe omega e zonës 2. Pa dashur të nënvlerësoj votat e komunave tjera, them se këtë rradhë zgjedhjet në zonën 2 do të fitohen apo humben në Kumanovë. E në këtë drejtim rajoni i Kumanovës paralelisht do të shohë dy beteja: BDI-Besa dhe PDSH-Aleanca.

Në Kumanovë dhe Likovë duhet të ndiqet raporti mes këtyre partive. Cilado nga BDI ose Besa që kalon mbi 4.500 vota në Kumanovë e Likovë, po hapëron drejt deputetit të dytë. Nëse ndonjëra ka rënë nën 2.000 vota, atëherë kjo është sinjal se po bie gjithandej.

Për PDSH-në dhe Aleancën, që do të luftojnë për mandatin e parë, pragu është më i ulët. Secila duhet të ketë nga 2.500 vota në Kumanovë e Likovë, për të mbuluar pjesën e mbetur në komunat tjera të zonës.

Eksperimenti i LSDM-së. Zona 2 ka dy komuna të pastra shqiptare, Likovën dhe Haraqinën. Këto dy komuna do të jenë indikatori më i mirë i votave që do të fitojë LSDM nga shqiptarët. Nëse arrin të fitojë 1.500 vota në total në këto dy komuna, atëherë LSDM ka nxjerrë një deputet vetëm me vota shqiptare në këtë zonë. Por sukses për të do të paraqesë edhe shifra përgjysmë më e ulët, sepse edhe këto vota shtesë nga shqiptarët mund t’i sigurojnë një deputet plus me modelin e D’Hondtit.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button