Forcimi i ndikimit Rus në Maqedoni

Riaktivizimi i rrjetit agjenturor të ish sistemit komunist në strukturat politike dhe fetare të vendit, i frymëzuar dhe mbështetur nga shërbimet sekrete serbe, greke dhe ruse, përqendrimi i kapitalit të tyre në vend, përmes shumë ndërmarrjeve, fondacioneve të specializuara dhe mediumeve, financimi i disa subjekteve politike dhe fushatave zgjedhore të tyre: mbështetja e drejtpërdrejtë financiare e disa partive politike, organizatave joqeveritare, institucioneve arsimore e kulturore dhe sidomos mediumeve.

Që nga fillimet e ndryshimit të sistemit shoqëror, nga ai komunist në sistemin demokratik pro perëndimor, në vitet e ’90-ta të shekullit të kaluar, në bllokun e shteteve ish socialiste, sidomos në Maqedoni, ky proces u përcoll me një kontroll të posaçëm nga shërbimet sekrete vendëse dhe të jashtme, duke e pamundësuar procesin e pastrimit me të kaluarën komuniste.

Edhe përkundër faktit se në Maqedoni u miratua Ligji për lustrimin e figurave me të kaluar komuniste dhe implikimin e tyre në strukturat e ish sigurimit të shtetit, ky proces u politizua tej mase nga disa forca politike në vend dhe disa organe të pushtetit, prandaj, si i tillë edhe dështoi pa i dhënë rezultatet e pritura.

Edhe përkundër dy rezolutave të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, atë nr. 1096 (1996), në lidhje me “masat për çrrënjosjen e trashëgimisë së sistemeve totalitare komuniste”, si dhe të rezolutës nr. 1481 (2006) për “domosdoshmërinë e dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”, edhe më tej në disa vende ish komuniste, e sidomos në Maqedoni, e kaluara nën diktaturën komuniste mbeti temë e ,,heshtur” dhe ndaluar.

Vlerësimi i gjendjes alarmuese për rrezikun e përhapjes së ndikimit rus në Evropë, sidomos në shtetet ballkanike, nga Parlamenti Evropian, i ndezi dritat e alarmit në lidhje me tendencat e reja të këtij ndikimi, me miratimin e Rezolutës ,,Komunikimi strategjik i Bashkimit Evropian për të kundër balancuar propagandën kundër BE-së nga palë të treta”, të datës 23 nëntor 2016.

Ky ndikim në Maqedoni ka qenë tepër i fuqishëm që nga pavarësimi i këtij shteti, është fuqizuar sidomos gjatë dekadës së fundit, kur në pushtet erdhën forcat ,,përparimtare nacionaliste”, ndërsa me thellimin e krizës politike dhe ekonomike në vend doli në sipërfaqe edhe ndërhyrja e drejtpërdrejtë e politikës ruse, duke pretenduar në mbështeten e saj të pa rezervë nga forcat politike udhëheqëse të pushtetit.

Favorizimi i ndërmarrjeve ruse për investime në Maqedoni, në mënyrë të drejtpërdrejtë, ose përmes firmave të regjistruara në vende të treta, aziatike dhe evropiane, më së miri e ilustron këtë ndikim, për kundërshtimin e të cilit do të duhet mbështetje e fuqishme nga faktori i jashtëm evropian dhe amerikan, por sidomos përmes vetëdijesimit të popullatës vendëse, e cila nuk posedon nivel të pjekurisë politike për ta kundërshtuar dhe luftuar këtë ndikim në mënyrë institucionale.

Vetëm nga qarkullimi i kapitalit rus në kombinatin ,,Jugohrom” të Tetovës, në vlerë prej mbi 270 milionë euro në vit, disa qindra milionë në vit nga kompania ,,Lukoil”, si dhe nga dhjetëra kompani dhe biznese të tjera, askush nuk mund ta dijë saktë sa përfitojnë strukturat politika kriminale të vendit, të cilat i favorizojnë këto investime të kapitalit rus në Maqedoni!

Përderisa të vetëdijesohen qytetarët për ndikimin e këtij rreziku me pasoja afatgjata, armiqtë tanë do të mundohen të zbatojnë skenarë nga më të errëtit në dëm të qytetarëve dhe vendit, sidomos kundër shqiptarëve, të proceseve demokratike, reformave të domosdoshme në sferën shoqërore dhe ekonomike, integrimit në strukturat euroatlantike, me pasoja të pariparueshme për të ardhmen, për të drejtat dhe liritë themelore qytetare, paqen dhe sigurinë e vendit, përmes ndryshimit të politikave gjeostrategjike globale në rajonin e Ballkanit dhe jo vetëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button