Shkëndija fiton derbin, Shkupit i mohohet barazimi

Java e 17-të e Ligës së Parë të Maqedonisë nuk ka sjellë asnjë befasi, sa i përket kreut të tabelës, pasi që fitore kanë shënuar dy ekipet e kreut të tabelës.

Derbi i javës është luajtur në Tetovë në mes dy ekipeve shqiptare, ku Renova ishte nikoqire e Shkëndijës. Në këtë ndeshje fituese ka dalë Shkëndija. Golin e parë të ndeshjes e kishte shënuar Armend Alimi që në pjesën e parë, pikërisht në minutën e 34-të, ndërsa vetëm një minutë para se të kalojnë 90 minutat e kohës së rregullt, ferhan Hasani rriti epërsinë në 2:0, ndërsa më vonë Arxhent Gafuri zbuti disfatën për Renovën, për rezultat 1:2.

Skuadra e Shkupit ishte mysafire në Kratovë e Sileksit, ndërsa ka pësuar disfatë me rezultat të ngushtë 1:0. Ndeshja u luajt në një fushë të mbuluar nga bora që nuk mundësoi të ketë shumë kualitet. Shkupjanët protestuan në golin që shënoi Nedeljkoviq, duke pretenduar se ishte i shënuar nga pozitë jashtë lojë, ndërkohë në anën tjetër Shkupi shënoi gol përmes Ali Traore, por në këtë rast gjyqtari kryesor Dalibor Gjorgjeski, akordoi ndërhyrje të palejuar, që në fakt as që ekzistonte. Deri në fund të ndeshjes Shkupi sulmonte nga të gjitha anët, por duke mos arritur të barazoj rezultatin.

Rabotniçki pas barazimit me Shkëndijën, i është kthyer fitores, kësaj radhe e ka mundur Pobedën me rezultat 3:1, ndërkohë në derbin e dy ekipeve të fundit Makedonija Gj.P – Bregallnica nuk kishte fitues, ku ndeshja përfundoi me barazim 2:2.

Ndërkohë derbi tjetër i javës së 17-të është luajtur në Manastir, ku janë takuar Pelisteri dhe Vardari, e që ndeshja ishte shumë e tensionuar dhe e përcjellë me incident që në fillim të ndeshjes. Huan Felipe kishte shënuar në minutën e 9-të golin e avantazhit për Vardarin, që më pas në minutën e dhjetë është goditur me send të fortë nga publiku gjyqtari ndihmës Kostadinov, e që detyroi gjyqtarin kryesor Aleksandar Stavrev të ndërpresë ndeshjen dhe kishte kërkuar që të zbrazet edhe një pjesë e tribunës, ku ishin tifiozët e Pelisterit “Çkembari”. Ndërprerja zgjati diku rreth 20 minuta, që më vonë të vazhdojë loja. Ndeshja përfundoi me rezultat 0:1, që e mban Vardarin në pozitën e parë me 40 pikë, gjashtë më shumë se Shkëndija e dyta.

Futbollistët e Ligës së Parë nuk do të kenë shumë kohë për pushim, pasi të dielën luhet dhe java 18-të dhe e fundit e sezonit vjeshtor.

Ndeshja derbi e javës së fundit luhet në Tetovë, ku Shkëndija është nikoqire e Pelisterit, Shkupi në Çair do të pret ekipin e Makedonija Gj.P, Renova udhëton për në Prilep ku do të ketë përballë Pobedën, Vardari luan ndaj Sileksit, ndërsa Bregallnica do të jetë nikoqire e Rabotniçkit. Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 13:00. /Portalb.mk/

 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button