Halucinacionet e Mustafës për shtetin e pasur të Kosovës, mashtrim i radhës për qytetarët!

Halucinacionet janë semundje mendore, janë përceptime pa prezencën e informatave, janë një fenomen shumë i zakonshem, që nuk është i lidhur vetëm për të parë gjëra që nuk ekzistojnë, por edhe për të pasqyruar realitetin në mënyrën më të shtrëmbëruar.

Kësisoji, njëra nga paraqitjet e fundit të kryeministrit Isa Mustafa në facebook, i ngjante një halucinacioni të nivelit më të lartë, i ngjante një ëndrre të bukur apo një imagjinate përrallore, duke e paramenduar vendin të cilin e drejton në një parajsë të vërtetë.

Me ëndërrimet syhapur, kryeministri po mundohet t’i vëjë në gjumë të thellë edhe një herë qytetarët e vendit, duke ua premtuar parajsen në mesin e ferrit të Dantes!

Si zakonisht kryeministri i vendit ëndërrimet dhe përrallat e tij i shpalos përmes facebookut, aty ku i ka fansat e vet, ku për fat të keq edhe mediat i shëndrrojnë në lajme ditore ëndërrimet dhe meditimet e kryeministrit të facebookut.

I tillë ishte edhe rrëfimi i fundit i Isa Mustafës, sigurisht i zgjuar pas një ëndrre të bukur, ndër të tjera u shpreh kështu, po citoj: “Së shpejti nuk do të jemi shtet i varfër, jemi bërë shteti me normën më të lartë të rritjes ekonomike në këtë pjesë të botës, me një dinamikë të shpejtë të uljes së papunësisë,…andaj t’i shfrytëzojmë fondet e organizatave ndërkombëtare për vende të varfëra, për shkak se Kosova pas një kohe të shkurtër nuk do t’i plotësoj këto kritere”!

Për t’i besuar kryeministrit në halucionacionet e tij, ekzistojnë vetëm dy mundësi; duhet të jesh totalisht injorant ose verbër. Ndryshe realiteti i krijuar në Kosovën e ditëve të sotme e thotë të kundërtën.

Nuk e kam të qartë, si ka mundur kryeministri ta ëndërroj shtetin e pasur të Kosovës pa zhvillim ekonomik, me këtë shkallë të lartë të evazionit fiskal, me këtë lulëzim të krimit të organizuar dhe rritje enorme të korrupsionit në vend.

Si mund të bëhet i pasur një shtet me një buxhet varfërie, pa industri të zhvilluar, me një bujqësi dhe blektori të nivelit më të ulët në rajon, pa investime kapitale nga jasht!

Vallë si ka pasur mundësi të shijoj ëndërra kaq të bukura kryeministri i vendit, në kohën kur mbi 50 % e qytetarëve të vendit jetojnë në varfëri të skajshme, 16 % prej tyre në varfëri ekstreme, si pasojë e rënjes ekonomike të vendit nga mbyllja e qindëra bizneseve, fabrikave dhe uzinave shkaku i mungesës së energjisë elektrike, tatimeve të larta dhe kërkimit të haraçit, si kusht për vazhdimin e punës.

Nuk e kam të qartë, pse nuk ju ka kujtuar në ëndër kryeministrit, se çdo vit nga universitetet publike dhe private prodhohen me mijëra kudro të profileve të ndryshme, të cilët shkaku i mungesës së vendeve të punës në shtetin e tyre, detyrohen t’ia mësyejnë vendeve euro-përëndimore, për t’u shndrruar në fuqi punëtore e kapitalistëve përëndimor, duke u detyruar të kryejnë punët më të rënda fizike për sigurimin e kafshatës së gojës për familjet e tyre.

Është edhe një e vërtetë e madhe që kryeministri Mustafa e dinë fort mirë, ato janë të hyrat nga mërgata që janë duke e mbajtë gjallë jetën e pjesës dërmuese të poullatës në Kosovë.

Poashtu është e vërtetë  e madhe se të hyrat apo siq po i quajnë në zhargonin ekonomik, remitencat e mërgatës sonë, shënojnë rritje nga viti në vit, si rezultat i rritjes së numrit të emigrantëve kosovar në vendet euro-përëndimore,…para të cilat riciklohen siq është më së keqi; një pjesë e tyre përfundon në xhepat e  pushtetarëve, ndërsa pjesa tjetër pasuron oligarkët ekonomik (biznesmenët) dhe  arkën e shtetit serb.

Zoti kryeministër, deshët apo nuk deshët ta pranoni, kjo është  e vërteta e hidhur e jetës së qytetarëve në shtetin e varfër apo në “parajsën” që ju e ëndërroni ta realizoni brenda një nate.

Edhe unë i bashkohem dëshirave tuaja zoti kryeministër, dhashtë Zoti të bëhen realtet, por shteti nuk bëhet dhe as nuk mbahet me ëndrra të bukura, por me punë vetmohuese, sakrifica dhe angazhim të përditshëm, me urtësi dhe tolerancë njerëzore, me bashkëpunim dhe respektim të vlerave dhe gjitha kapaciteteve intelektuale të vendit tuaj.

Kësaj radhe zoti kryeministër kam vendosur t’ju kursej nga kritikat për dështimet tuaja të njëpasnjëshme në qeverisjen  e vendit, pasi një gjë të tillë e provojnë çdo ditë qytetarët e vendit, të cilëve ua keni humbur të gjitha shpresat për jetë në vendin e tyre të shënjtë.

Zgjohu nga gjumi zoti kryeministër, mos u bëjë sikurse puna e asaj dhelprës, të cilës edhe pse ujku i kishte ngrënë gjysmën e prapanicës, thoshte; “ishalla jam në ëndërr”!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button