Të ndarë shkaku i ngjashmërive,  të bashkuar shkaku i dallimeve

Kam disa miq që garojnë në zgjedhjet parlamentare si kandidatë partish të ndryshme politike. Disa prej tyre, më parë, nuk kanë pasur ambicie politike. Disa po. Për disa kam besuar se s’do mund të merreshin me politikë. Për disa kam besuar se do të ishin të vlefshëm si politikanë. Ka edhe mashtrues me të cilët nuk më lidh asgjë. Janë prej atyre që përligjin çdo ligësi. Unë mbetem, si përherë, përtej sferës së vendimmarrjes politike. Kam ndërgjegje të lëndueshme. Udhëhiqem nga një kryefjalë e Kishit: “Qindra flamuj le të valojnë tani, prej tyre imi nuk është asnjë”. Jam njëfarë antipolitikani, sipas botëshikimit të Konradit. Antipolitikani nuk është apolitik. Nuk është indiferent në shoqëri. Nuk e përçmon politikën, sepse gjykon se nuk ka popull të lirë pa politikë. As nuk është prej racës që mendon se për fatin e tij duhet të vendosin vetëm “ata lart”. I kundërvihet sistemit të gënjeshtërt politik, sikurse është edhe ky i tanishmi, por në mënyrë individuale. Për aq sa ka mundësi. Me idetë e tij. Me veprimet e tij. Me rezistencën e disidencën e tij.

Individët e këtillë s’mund të rreshtohen në grupime. Janë dyshimtarë ndaj “metanarracioneve”. Nuk magjepsen nga refrenet e sloganet. Nuk mund ta kufizojnë mendimin brenda kuadrateve të programeve dhe statuteve partiake. Nuk e shohin botën me syze ideologjike. E konsiderojnë (ose e mashtrojnë) veten se janë njëfarë princi, sikurse thoshte Marciali, prandaj princ mbi vete nuk duan. Nuk lejojnë që autoritetet politike t’ua imponojnë mendimin. Nuk janë hakmarrës. Janë përherë me të mundurit.

Për këta demokracia nuk është shantazh, kërcënim, demonstrim dhune. Demokracia është institucionalizim i lirisë, është shprehje e vullnetit të lirë, mundësi e të qenit disident, është debat, bindje, dialog, bashkëpunim, konkurrencë, bashkëbisedim, pranim i tjetrit të “ndryshëm” nga ne. Demokracia nuk lejon t’i kërcënosh njerëzit me humbjen e vendit të punës, duke cenuar vullnetin e lirë të qytetarit. Demokracia nuk lejon të favorizosh të dhunshmin dhe nëpërmjet tij të sigurosh pushtet të pamerituar, i cili nuk buron nga vullneti i lirë i qytetarit. Ata që e promovojnë dhunën janë dhunues. Demokracia nuk është as blerje votash. Ata që e blejnë votën janë tuxharë të fateve tona. Demokracia nuk është vjedhje votash. Ata që vjedhin vota janë hajna që vjedhin mirëqenien, ëndrrat, iluzionet, dëshirat, ambiciet tona. E vjedhnin të tashmen dhe të ardhmen tonë. E shesin edhe të kaluarën. Demokracia nuk është as keqpërdorim i pronës publike. Ata që premtojnë vende pune në administratë shtetërore vetëm nëse i takon një partie politike, janë keqpërdorues të pronës publike. Ata e konsiderojnë shtetin pronë private dhe udhëhiqen sipas logjikës “shteti jam unë”…

Me disa miq kemi bindje të ndryshme politike. Ide e vizione të ndryshme. “Ndahemi për shkak të ngjashmërive dhe bashkohemi për shkak të dallimeve”, sikurse thoshte Sabato për Borgesin. Të ndahesh për shkak të ngjashmërive dhe të bashkohesh për shkak të dallimeve duhet vetëdije dialogjike dhe jo monologjike. Duhet kuptuar se bota në të cilën jetojmë nuk është njëngjyrëshe.

Disa kandidatë do të fitojnë. Disa të tjerë do ta shijojnë “pelinin” e humbjes. Ata që do të bëhen deputetë do të doja ta mbronin dinjitetin pasi të marrin besimin e votuesit. Personalisht zgjedhja e tyre nuk më hyn në punë. Të kesh ose jo ndonjë mik në politikë, për mua, nuk ka ndonjë rëndësi. Nuk më ndihmojnë në punën time krijuese, e cila është individuale. Ajo që dua (dëshirat, megjithatë, janë tjetër gjë), është mos ta humbin dinjitetin e tyre, ndonëse përvoja jetësore na servon befasi të pakëndshme. Thjesht, nuk dua ta përjetoj atë që e kishte përjetuar Izet Sarajliqi nga miqtë e dikurshëm, të cilët politika i kishte shpërfytyruar: “Çfarë ndodhi miq, kështu brenda natës? / Nuk e di / çka punoni. / Çka shkruani. / Me cilin pini./ Çfarë librash lexoni./ Madje, nuk e di / a jemi më miq.”

Fatkeqësisht, gjatë jetës time më ka ndodhur kjo humbje miqsh, të cilët, me të hyrë në politikë, u udhëhoqën nga thënia: “Të dashur miq, nuk ka miq”. Nuk është se kam merak që më nuk jemi miq, por vuaj kur i shoh se si janë shpërfytyruar.

Ne antipolitikanëve, edhe pas zgjedhjeve, na presin ditë të vështira. Ne udhëhiqemi sipas vargut të një rokeri: “Çfarëdo sistemi që të shpikni pa ne do të përmbyset”. “Ne” nuk jemi turma që u duartroket. Jemi “unë”. E dimë se njeriu duhet të jetojë i lirë. E dimë që liria është gjendje aktive e shpirtit që nuk e pranon diktatin. Mund të dukemi si utopistë e ëndërrimtarë, por pikërisht liria është shumë e lidhur edhe me ëndrrën.

Ne antipolitikanët, sa të kemi frymë nuk do të heshtim. Kemi një ëndërr që do ta shohim deri në çastin e mbramë, me shpresë se pastaj atë ëndërr do ta shohin pasardhësit. Për këtë ëndërr ja vlen të përpiqesh…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button