Prokuroria Speciale: Rasti “Sopoti” del nga përgjimet

Prokuroria Speciale nëpërmjet një kumtese ka reaguar ndaj vendimit të Këshillit të Prokurorëve, për mosdhënien e lëndës “Sopoti”, njofton Portalb.mk.

Prokuroria Speciale njofton se  kërkesa e tyre për marrjen e lëndës në fjalë është në bazë të bisedës së përgjuar e cila është publikuar.

“Duam të sqarojmë se akuza e dorëzuar kundër të akuzuarve të rastit “Sopot” është e lidhur me përmbajtjen dhe me veprat penale të cilat dalin nga përmbajtja e bisedës e cila ka të bëjë më rastin e lartpërmendur. Duke e pasur parasysh bisedën e përgjuar e kemi për detyrë ligjore që ta kërkojmë këtë lëndë, dhe me qëllim që të deklaromi për kompetencat tona ndaj të njëjtës. Duam të theksojmë se sipas ligjit për Prokurori Speciale ka të bëjë me kohën se kur janë realizuar përgjimet dhe jo kur ka ndodhur ndonjë ngjarje e caktuar”, thonë nga Prokuroria Speciale.

Më 4 nëntor të këtij viti, nga ana e Prokurorisë Speciale deri te Prokuroria Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është dorëzuar kërkesë për marrjen e lëndës të njohur në opinion si “Sopoti”, transmeton Portalb.

Lënda është e kërkuar me qëllim që të vendosim për këtë lëndë që a bie nën kompetencat e Prokurorisë Speciale, duke e pasur parasysh se është publikuar përgjim nga ndjekja e komunikimeve të paligjshme.

Në procesin gjyqësor “Sopoti”, 11 shqiptarë u dënuan me 156 vite burg. Ata u shpallën fajtorë për vendosjen e një mine në vitin 2003, në fshatin Sopot të Kumanovës, ku mbetën të vrarë dy ushtarë polakë të forcave të NATO-s dhe një shoqërues civil. Edhe pse pas publikimit të dëshmisë për pafajësinë e banorëve të dënuar, ata në vitin 2010 u liruan nga burgu, ndërsa edhe sot e kësaj dite të akuzuarit për këtë rast janë duke u endur në gjykata.

Në shtator të këtij viti, gjykimi për “Sopotin” është prolonguar për datë 28 tetor. Procesi gjyqësor për rastin në fjalë pritet të rifillojë nga fillimi, për shkak se nga rasti është tërhequr gjykatësi, Jani Nica, pasi ai kalon në Gjykatën e Apelit.

Tani pritet emërimi i gjykatësit të ri i cili do të merret me rastin e Sopotit, dhe më pas të rifillojë nga e para i tërë procesi gjyqësor.

Nga materialet e përgjuara të publikuara nga lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, dëgjohet se si ish ministrja e MPB-së, Gordana Jankullovska dhe ish shefi i Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov, diskutojnë për rastin në fjalë dhe thonë se të akuzuarit pafajsisht janë burgosur.

Në një bisedë tjetër telefonike dëgjohet se si deputeti dhe koordinatori i grupit parlamentar të VMRO DPMNE-së në Kuvend, Ilija Dimovski, ka kërkuar nga Gordana Jankullovska dhe prokurori Marko Zvërlevski paraburgim për bashkëqytetarët e tij në procesin gjyqësor “Sopoti”, në kundërshtim me vendimet e mëparshme të Gjykatës. Dimovski kërkoi nga Jankullovska ta detyrojë Marko Zvërlevskin dhe të caktojnë burgim, pa e respektuar gjykatën dhe prezumimin e pafajësisë.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button