Urrejtja, rruga që nuk të çon askund!

Në mendime, shikimi më ka ngecur në dritare, shoh përballë qytetin e mbytur në smog dhe atmosferën që të jep një ndjenjë të zymtë, gjethet kanë rënë, tek – tuk kalon ndonjë veturë, peisazhi të jep pamjen e ndonjë filmi të frikshëm nga ato ku urrejtja ka marrë te gjithë dhe shpresat për botën kanë mbaruar. Mendja ime bëhet një me peisazhin dhe mendoj për urrejtjen dhe njerëzit, talljet, përqeshjet, fjalët e këqija…

Të flasësh për urrejtjen nuk është aspak e lehtë, jo sepse është një temë e panjohur, por sepse është diçka aq aktuale dhe e dhimbshme. Është diçka që e përjetojmë në rrugë, televizion, rrjete sociale, shkolla dhe në çdo ambient tjetër jetësor, që përbëjnë pjesë të përditshmërisë tonë. Po, a thua vallë, nga rrjedh e gjithë kjo urrejtje për persona të cilët janë të njejtë si na, jetojnë në të njejtin qytet, mësojnë në të njejtat shkolla me ne, ndriçohen  nga i njëjti diell, lagen nga i njëjti shi, marrin frymë në të njëjtin vend si ne, atëherë përse duhet të ekzistojë e gjithë kjo urrejtje?

E para që më vjen në mëndje në këto ҫaste janë fjalët e të madhit Nelson Mandela, “Askush nuk lindën duke urryer një person tjetër për shkak të ngjyrës së lëkurës së tyre, ose prapavijës, ose religjionit. Njerëzit duhet të mësohen të urrejnë dhe nëse një person mund të mësohet të urrej, ato mund të mësojnë edhe të duan, dashuria vjen në zemrën e njeriut shumë më natyrisht se sa e kundërta e saj”. Por, përse vallë një qenie të udhëhiqet nga emocione aq negative kur mund të përçojë mirësi dhe dashuri? Si lind urrejtja tek njeriu? A nuk jemi lindur dhe rritur të gjithë nga nëna të cilat na kanë ushqyer me mirësi, na kanë ngritur ndjenja dashurie për gjithkënd?!

Një gjë është e qartë. Të gjithë lindim të pafajshëm dhe nuk paragjykojmë askënd, nuk kemi mendime të këqija dhe të gjithë i konsiderojmë si të barabartë, derisa në mendjen tonë futet dikush të na mësoj se çka është gabim dhe çka është në rregull.

Fjalimet urryese gjithnjë po bëhen më aktuale, mund të shohësh shumë fytyra publike duke i ‘u referuar një grupi të caktuar njerëzish me shprehje ofenduese, duke i thirrur të zinj, të bardhë, me erë, krishterë, islamik, terrorist. E më i dhimbshëm është fakti se nëse unë i them një personi tjetër se është i zi, nuk do të më bëjë kjo ngjyrën time më te bukur e as personit tjetër nuk do t`ja ndryshojë ngjyrën! Nëse mua dikush do më thërret musliman, nuk do të më detyrojë mua të ndryshoj religjionin tim, por vetëm do më jep motive shtesë që unë të luftoj më tepër dhe t`u mundësoj personave tjerë të njohin më mirë se kush jam dhe t’më vlerësojnë për atë që jam dhe jo për atë që ata mendojnë se unë jam.

Si një idealist, gjithmonë do luftoj për ideale. E një ndër to, është edhe liria e shprehjes. Jam i lumtur që jetoj në një shoqëri me vlera demokratike, ku gjithësecili ka të drejtë të shpreh lirshëm bindjet dhe idealet e veta. Por, gjithmonë do jem kundër që mendimi im të cënoj dinjitetin, bindjen ose idealet e personave tjetër, sepse mbi të gjitha besoj në barazi dhe njëtrajtshmëri të të gjithë njerëzve në botë.

Tek njeriu ekzistojë dy ndjenja që janë tepër të fuqishme, dashuria dhe urrejtja. Kur njëra anë konsumohet atëherë e merr fuqinë tjetra. Neve, nuk është se na ngelet edhe shumë për të thënë, kur heronjtë e filozofisë njerëzorë si Hygo, Dostojevski, Tolstoji e të tjerë me idetë e tyre i janë futur njeriut modern deri në palcë, dhe me definicionet e tyre të holla logjike kanë përcaktuar idilikat njerëzorë. Në njëfarë mënyrë është thënë gjithçka, neve na ngelet vetëm të zbatojmë rregullat e jetës dhe kaq edhe di të bëj njeriu.

Të largohemi pak nga urrejtja dhe të mësohemi të duam, ti pranojmë të tjerët ashtu siç janë, të mësohemi ti duam të tjerët që ta duam edhe veten, ti respektojmë të drejtat e të tjerëve dhe bindjet e tyre, mendoj se një ndjenjë si urrejtja ka qenë shumë gjatë në krye të detyrës dhe ka ardhur koha e dashurisë për të lulëzuar në mesin tonë.

Mendimet janë bërë si një koshere bletësh shumë të zhurmshme në mendjen time, imazhe të shumta të urrejtjes po qarkullojnë nëpër mendje, fjalë të rënda që janë thënë dhe menduar, me një pincetë selektive tentoj t`i ndaj ato të këqijat nga të mirat. Përpiqem të ndërtoj një murr mes tyre që ti ndaj qartë, dhe kuptoj se është një dështim. Nuk ka murr që mund të ndaj urrejtjen nga dashuria, këtë fuqi ka vetëm njeriu dhe dashuria e tij e madhe, sepse ai, mbase nuk mund të bëj gjithçka por mund të bëj shumëçka kur atë e bën me shumë dashuri.

Blerim Salihi, vullnetar në Multikultura, Tetovë

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button