A e ka lexuar Kurc raportin e KE-së për Maqedoninë?

“Skandal”, “kulmi i dyfytyrësisë…”, “evropianët ishin kumbarë i Përzhinës, evropianët e transferuan atë në letër tualeti”… Këto janë vetëm një pjesë e reagimeve në opinion pas porosive të djeshme për mbështetje të VMRO-DPMNE-së, që i dërgoi ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurc, në mitingun e koalicionit në pushtet “Për Maqedoni më të mirë” në Shkup, shkruan sot DW në gjuhën maqedonase, transmeton Portalb.

Edhe pse pjesëmarrjen e ka paralajmëruar “si përfaqësues i partisë simotër”, nga nikoqirët zyrtarisht u paralajmërua si ministër i Punëve të Jashtme të Austrisë, ndërkaq edhe Kurc vet e relativizoi “dallimin”, duke deklaruar se është i gëzuar që kolegu i tij si ministër i Punëve të Jashtme të Maqedonisë është Nikolla Poposki.

Politikologët dhe ambasadorët pajtohen se pjesëmarrja e përfaqësuesve të huaj nga partitë simotra është normale, por duke u mbajtur në parime, të kenë vëmendje në zgjedhjen e participimit të tyre dhe më së shumti në kontekstin politik se në kujt do t’i japin mbështetje.

“Pyes vetëm se cilët kanë qenë motivet e vërteta të kësaj paraqitje dhe çfarë do të kishte stimuluar”, thotë ish ambasadori, Nano Ruzhin.

“Gjatë kohës kur në Maqedoni kriza politike kulmoi me zbardhjen e indikacioneve për krim dhe korrupsion të pushtetit dhe krizës për të cilën dy vjet kërkohet zgjidhje me participim dhe ndërmjetësim zyrtar të Brukselit, këto reagime nuk sjellin asgjë në atë drejtim, veçmas jo me deklarata të cilat janë thellësisht në kundërshtim me konstatimet e raportit të Komisionit Evropian”, thotë Ruzhin, përcjellë Portalb.

Sipas tij, VMRO-DPMNE më së shumti duhet t’i jetë falënderues Kurcit që ai nuk i përmendi “bombat”.

Përndryshe, Kurc, gjatë mitingut të djeshëm të VMRO-DPMNE-së tha “veçmas jemi të gëzuar që Maqedoni është në rrugë të mirë të Bashkimit Evropian”, gjatë kohës kur Maqedonia sikur asnjëherë më parë është larg prej BE-së. Sipas tij, suksesi i Maqedonisë është në parandalimin e valës së emigrantëve.

“Veçmas jam falënderues për mbështetjen që e kemi marrë nga ana e Maqedonisë vitin 2015 de 2016. Kriza e emigrantëve ishte sfidë e madhe për Austrinë. Në vitin 2015 90.000 emigrantë erdhën në Austri, ndërkaq më shumë se 1 milion kaluan nëpër shtetin tonë. Pa Qeverinë tuaj nuk do të ishim në gjendje që ta mbyllim Rutën Ballkanike. Me Qeverinë tuaj arritëm që ta mbyllim. Shumë u jam falënderues që na keni përkrahur në këtë gjendje të rëndë për ne”, tha Kurc.

Mbështetje e autokratëve

Kjo, por veçmas fjalimi i ministrit austriak i “nxehu” rrjetet sociale: “Për shkak emigrantëve do ta shohin nëpërmes gishtave regjimin?, “A kjo është luftë principiele për vlerat evropiane|”, “A e ka lexuar Kurc raportin e KE-së për Maqedoninë?” Këto ishin një pjesë e pyetjeve që i ka parashtruar ish ambasadori dhe negociues për çështjen e emrit të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov.

“Komisioni Evropian thotë se Maqedonia është shtet i robëruar. Ministri austriak i Punëve të Jashtme, Kurc, erdhi në Shkup që t’u jep mbështetje atyre që e kanë zënë rob. Mos të ju habisë. Mbështetja për zgjerim në Austri është më e ulëta në Evropë – 71% janë kundër. Sipas të gjitha gjasave u vjen mirë që Maqedonia asnjëherë të mos u trokasë në derë. Do të përkrahin autokratë dhe do të thonë se nuk ka mjaftueshëm demokraci, drejtësi dhe luftë kundër krimit të organizuar, për këtë nuk do të mundet të fillojnë bisedimet”, shkruan Dimitrovi. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button