Raporti i KE-së alarmon: Parlamenti i RM-së as organ legjislativ e as mbikëqyrës! (VIDEO)

Raporti i KE-së i vitit 2016 për Maqedoninë potencon shumë parregullsi në lidhje me Parlamentin. Ashtu që, haptazi thotë se Parlamenti gjatë kësaj kohe nuk e kreu siç duhej as funksionin legjislativ e as atë mbikëqyrës, për çka dhe ekziston si institucion shtetëror. Sipas raportit, Parlamenti i ardhshëm do të duhet t’i miratojë ligjet në procedurë adekuate dhe pas debateve konstruktive si dhe do të duhet të kontrollojë pushtetin ekzekutiv, njofton Portalb.mk.

Parlamenti i RM-së nuk e kreu siç duhej funksionin legjislativ

Ligji për privatizim dhe qira të tokës, Ligji për planifikim hapësinor dhe urbanistik, Ligji për bujqësi dhe zhvillim rajonal, Ligji për rrugë publike dhe shumë ligje të tjera u ndryshuan, respektivisht u miratuan në Parlament me procedurë të shkurtuar,  pa konsultimet e nevojshme si dhe pa analiza paraprake. Vazhdimi i praktikës së ndryshimit të shpeshtë të ligjeve dhe shfrytëzimit të procedurës së shkurtuar për miratim theksohet në raportet e KE-së për Maqedoninë, tashmë për të tretin vit me radhë. Kjo i le hapësirë dyshimit nëse të njëjtat ligje do të jenë conform interesave të qytetarëve.

“Për shumë ligje në Maqedoni nuk zhvillohet debat. Nuk zhvillohet debat as në Komisione kuvendore e as ne seancë plenarë dhe “shkel e shko” miratohen ligje. Në këtë mënyrë krijojnë kushte që  prej fillimit të dyshohet se vallë ligji është në interes të qytetarëve. Çka është me rëndësi, në raste krizash, parlamenti nuk jep hapësirë që ligjet të analizohen edhe nga opinioni publik edhe nga institucionet. Ajo që ndodh tash përsëri flet se parlamenti nuk e realizon kompetencën konform besimit që i ka dhënë qytetari”, tha për Portalb profesori universitar, Osman Kadriu.

Prandaj, raporti thekson nevojën që të përmirësohet kjo mënyrë e funksionimit të Parlamentit:

“Kriza aktuale i potencoi funksionet e dobëta legjislative dhe mbikëqyrëse të Parlamentit si dhe nevojën për përmirësim thelbësor të punës së këtij institucioni si forum i dialogut konstruktiv politik dhe përfaqësues”.

Madje edhe euro-komisari për zgjerim, Johanes Han këshilloi për debat konstruktiv politik në Parlament.

Parlamenti i RM-së nuk e kreu siç duhej funksionin mbikëqyrës

Në kuadër të përbërjes së fundit parlamentare u formuan komisione të veçanta për të mbikëqyrur institucione të caktuara, por të njëjtat dështuan. Sipas raportit, Parlamenti nuk e kreu në mënyrë adekuate rolin e saj të kontrollit dhe balancit me pushtetin ekzekutiv. Ndërsa kjo vërejtje nuk qe risi për raportin e vitit 2016, pasi e njëjta është theksuar edhe në raportin e progresit të vitit 2015.

Së pari, sipas raportit, dy komisionet përgjegjëse për kontroll mbi shërbimet sekrete (njëra për siguri dhe kundërzbulim dhe tjetra për ndjekje të komunikimeve) duhet ta realizojnë mandatin e tyre.

Megjithatë, Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim ishte jashtë çdo kontrolli, duke mos dhënë kështu llogari as para të zgjedhurve të popullit, respektivisht para Parlamentit. Këtë e vërtetuan në deklaratat e tyre për Portalb, deputetët dhe kryetari i Komisionit kuvendor për mbikëqyrjen e punës së DSK-së.

“DSK-së i ka shërbyer parlamenti për të dëshmuar se gjoja ka demokraci. Tani, jo që s’i jep llogari parlamentit, por nuk bën hesap askënd, qoftë edhe gjykatat” tha ish-deputeti i PDSH-së, Ernad Fejzullahu.

“Nuk kanë qenë korrektë në raport me Komisionin kuvendor. Mund të them lirisht se këta institucione e kanë llogaritur veten se mund të vendosin për gjithçka në këtë shtet, duke mos respektuar as Ligj e as Kushtetutë” tha ish-deputeti Zylfi Adili, nënkryetar i Partisë Uniteti.

 “Në momentin e parë, kur Komisioni dhe unë si kryetar i kërkuam dokumentet bazë, si parakusht që të mund të bëjmë një inspektim thelbësor, dhe jo vetëm formal, të punës së tyre, ata na refuzuan. Nga Drejtoria kërkuam listën e pajisjes që është siguruar më vitin 2006, listën e porosive më pajisje që Drejtoria i ka bërë deri në fund të vitit 2015 … kërkuam të gjithë procedurat interne, protokollare dhe akte nënligjore që janë udhërrëfyes kryesor se si funksionon Drejtoria. Në asnjërën prej kërkesave nuk morëm përgjigje pozitive”, sqaroi Hari Llokvenec nga LSDM, kryetar i Komisionit kuvendor për mbikëqyrjen e punës së DSK-së.

Së dyti, sipas raportit, Komisioni për vlerësim të rastit me përgjimet nuk arriu të vërtetojë përgjegjësi politike për përgjimet, sepse anëtarët e partisë në pushtet nuk morën pjesë në dëshmi ose refuzuan të përgjigjen për pyetjet e parashtruara.

Para Komisionit kanë mohuar të paraqiten dëshmitarët si: Mile Janakievski, Martin Protugjer, Sasho Mijallkov dhe Gordana Jankullovska, të gjithë nga VMRO-DPMNE. Ish-kryeministri, Nikolla Gruevski edhe pse pranoi të dëshmonte para Komisionit të njëjtën e bëri prapa dyerve të mbyllura, pa media. Në mënyrë të njëjtë kishte tentuar të dëshmonte edhe ish-ministri i financave, Zoran Stavrevski, por ish-kryetari i Komisionit anketues, Petre Shilegov, e ndërpreu seancën para se ai të vinte në Komision.

Gazetari dhe analisti Nazim Rashidi vlerëson se përgjegjshmëria është pjesa më e vështirë e klasës udhëheqëse politike.

“Pas gjithë zhvillimeve, nëse kishte pak sens do të kishte dhe reagime konkrete me dorëheqje. Por fakti që kjo nuk ka ndodhur tregon se procesi aktual vetëm sa do shtyhet ose minohet që është në përputhje me të kuptuarit e përgjegjshmërisë politike të klasës qeverisëse. Gjithsesi sfida është e madhe dhe e rëndësishme për shtetin dhe më shumë, për atë se si qytetarët do ta perceptojnë shtetin. Nëse pas këtij procesi del se mund të bësh ç’të duash dhe mund të mos mbash përgjegjësi, as edhe morale, atëherë sfida do jetë e humbur me pasoja shumë afatgjate”, deklaroi Rashidi për Portalb.

Alajdin Demiri, njohës i çështjeve politike, fajin e adreson edhe te Komisioni Anketues për përgjimet. Sipas tij, Komisionet anketuese që i ka prodhuar parlamenti asnjëherë nuk kanë dhënë asnjë rezultat.

Së treti, sipas raportit, Komisioni parlamentar i formuar për ndjekje të vendimeve të Presidentit Ivanov për faljen e 174 persona të dënuar vendosi se nuk ka bazë për t’ia kontestuar vendimin.

Gazetari Naser Selmani, njohës i çështjeve politike dhe gazetar që një kohë të gjatë ndjek punën e parlamentit tha për Portalb se procedura për impiçment në Kuvend ishte një cirk politik, i cili nuk i shërbeu askujt. Insistimi i VMRO-DPMNE-së për të pasur shumicën në Komisionin për impiçment kundër Ivanovit ishte argument i mjaftueshëm, i cili dëshmoi se nisma do të dështonte.

Për këtë raporti i KE-së rekomandon:

“Fokusi i këtij institucioni duhet të jetë pjesëmarrje aktive e të gjitha partive parlamentare, konsultime të duhura dhe vlerësim të ndikimit para sjelljes së ligjeve, kontroll kredibil dhe funksional të punës së qeverisë dhe shërbimeve sekrete, vërtetim të përgjegjësisë politike për përgjimet jo-ligjore, si dhe kapacitet për mbikëqyrje mbi mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe liritë themelore në shtet.”/Portalb.mk

LEXO: Maqedoni, nuk përfillen rekomandimet e KE-së, në pikëpyetje procesi zgjedhor i besueshëm

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button