“Zani i Naltë” thesari kulturor, fetar e kombëtar

Nën organizimin e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Maqedonisë këto ditë në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup, u mbajt konferenca shkencore “Zani i Naltë, thesari kulturor, fetar e kombëtar”.

Në këtë konferencë shkencore morën pjesë tre liderët shpirtëror shqiptar, Reisul Ulema i BFI-së H. Sulejman ef. Rexhepi, Myftiu i Republikës së Kosovës Mr. Naim ef. Tërnava, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Skënder ef. Bruyça, si dhe shumë mysafirë, teologë, shkencëtarë, studiues, profesorë, publicistë e personalitete të ndryshëm.
Në fjalën e vet Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi, pasi i përshëndeti të pranishmit nënvizoi se “Zani i Naltë”, nuk është vetëm një revistë e rëndomtë fetare por, mbi të gjitha, është një hartë arkeologjike e fjalës së shkruar.

“Thonë që, fjalët e shkruara paraqesin gjurmët e shpirtit. Fjala e shkruar është profili i një kohe e cila risillet në kujtesë sa herë që ta lexoshë atë fjalë të shkruar. Përmbledhja e fjalëve të shkruara nëpër të gjitha ato numra të organit të Komunitetit Mysliman Shqiptar, ZANIT TË NALTË, në fakt shpreh përkushtimin tonë për t’ju dhënë vlerave nacionale dimensione institucionale! Sot ne, para vetes kemi një arkiv shpirtëror me peshën e një institucioni nacional. Para vetes kemi një epokë e cila mbanë vulën e të parëve tanë, vulën e pishtarëve të islamit autokton; kemi epokën përplot ngjarje, përpjekje, sakrifica e kontribute për të cilat ia vlenë të organizojmë debate, konferenca e takime me qëllim të ndriçimit të kësaj epoke si dhe të personaliteteve që e bënë atë epokë”, ka nënvizuar efendi Rexhepi.

pjesemarresit-ne-konferencen-zani-i-nalte-670x447

Në fjalën e vet Myftiu i BIK-ut, Naim ef. Tërnava tha se themelimi i revistës “Zani i Naltë” është një nga vendimet më madhore intelektuale të Kongresit Mysliman Shqiptar, i cili nxori edhe vendime të tjera që u bënë themel i fortë dhe i qëndrueshëm për zhvillimin e jetës fetare, arsimore e kulturore të vendit. “Sot, të gjithë ne, përmes kësaj konference sikur e shlyejmë një pjesë të borxhit që kemi ndaj të parëve tanë, prijësve tanë të shquar, ndaj brezit të intelektualëve e ulemave që krijuan vlera që i rezistuan kohës edhe sot e gjithë ditën. Kontributi i tyre ishte i prekshëm e real, si dhe me vlerë shumë dimensionale, gjë që na bën të ndihemi krenarë me atë brez atdhetarësh, dhe në të njëjtën kohë na bën përgjegjës të vazhdojmë rrugët, mësimet e porosit e tyre të urta e fisnike”, ka thënë myftiu Tërnava.

Ndërsa Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skender ef. Bruça, në fjalimin e vet tha se kjo revistë pati rëndësi të madhe jo vetëm për edukimin fetar islam të popullatës shqiptare por zgjoi edhe ndjenjat e patriotizmit dhe të ngritjes kulturore e arsimore të popullit shqiptar. “Edhe pse ka kaluar një shekull nga dalja e kësaj reviste, artikujt e revistës mbeten sa aktual aq edhe edukues, si dhe me mjaft vlera kulturore e arsimore, duke u bërë kështu një tribunë e trashëgimisë intelektuale te shqiptarët”.

Pas fjalëve përshëndetëse konferenca ka vijuar me një seancë shkencore, ku studiues të shquar kanë nxjerrë në pah rolin dhe vlerat mbarëkombëtare dhe fetare të kësaj reviste.
Fillimisht të pranishmëve iu drejtua Doc. Dr. Naser Ramadani më temën “Mendimi pedagogjik në revistën Zani i Naltë”. Pastaj vijuan Prof. Resul Rexhepi më temën Zani i Naltë, projekt i mendimeve vizionare”, Ziber Lata më temën “Shumëdimensionaliteti dhe reflektimet e Zanit të Naltë”, Genti Krtuja “Zani i Naltë, një shekull në shërbim të dijes”, Beqir Memeti “Zani i Naltë zëdhënës i mendimit intelektual të myslimanëve shqiptarë”, si dhe Gazmend Aga ligjëroi më temën “Pozita e gruas në Zanin e Naltë”.
Revista “Zani i Naltë” është organi i parë zyrtar i KMSh-së, dhe është themeluar më 1923. Nga tetori i vitit 2012 ka filluar ribotimin si një revistë që përmban artikuj të mirëfilltë shkencorë në fusha të ndryshme të shkencave islame dhe sociale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button