Shakaja: Optimizmi është opiumi i llojit njerëzor

“Optimizmi është opiumi i llojit njerëzor. Mendja e shëndoshë kutërbon era budallallëk. Rroftë Trocki!”- ishte shakaja e parë, që ndryshoi rrënjësisht jetën e studentit Ludvik Jahn.

Student në Pragën e viteve ’50, Ludvigu ishte një komunist i patundur, me një të metë: kishte sens humori. I irrituar me të dashurën idealiste, shprehjen e mësipërme Ludvigu ia nisi me një kartolinë, ndërsa vajza me emrin Marketa ishte duke bërë stazhin.

Një shaka naive?! Jo për anëtarët e partisë dhe Marketën vetë. Ludvigu doli para komitetit të partisë dhe u ndëshkua nga miku i tij, Pavel. Pasojat nuk ishin të lehta. Ludvigu u përjashtua nga universiteti dhe u internua në një minierë, ku punoi për vite të tëra. Ndërsa dilte në zonë gjatë ditëve të lira, ai u njoh me një vajzë të frikësuar, gati pa fjalë, Luçinë, historia me të cilën, ashtu si çdo gjë në jetën e Ludvigut, nuk solli asgjë…

“Shakaja” është një libër brilant, i përshkuar nga një humor i hollë që të stampos buzëqeshjen në fytyrë. Ludvigu ka ngecur në një kurth shakash.
Portalb.mk ju rekomandon të lexoni këtë libër.

Në fillim të 1960-s, Ludvigu është kthyer në Pragë dhe ka nisur një punë për së mbari, e megjithatë e kaluara e përndjek, Kështu vendos të vërë në jetë një plan për të joshur Helenën, gruan e ish-shokut të vet, Pavel, si një mënyrë për t’u hakmarrë ndaj tij. Por … Ludvik mëson se Pavel është i kënaqur ta heqë qafe Helenën, të shoqen, pasi ka në krahë një vajzë të re.

Të gjitha ngjarjet e fundit ndodhin në një qytezë, vendlindjen e Ludvigut, ndërsa zhvillohet “Kalërimi i mbretërve”, një traditë e rrënjosur në folklorin vendas, që sipas Kunderës ka filluar të zbehet.

Autori Milan Kundera ka shkruar për një shoqëri në kulmin e dekadencës. E vetmja pjesë e librit ku nxjerrin krye vlerat njerëzore është ajo mbi kulturën popullore, për të cilën Kundera shkruan me dashuri.
Libri nuk u është shmangur dot referimeve politike. Vetë Kundera thotë se ky është një libër dashurie. Por për të qenë të sinqertë, edhe pse ky libër tregon histori dashurie, dhe ofron elemente folklorike, të gjitha janë të mbingopura në politikë. Ashtu si personazhi i tij, Ludvigu, edhe Kundera duket si i zënë në kurth nga rrethanat e kohës.
Autori: Milan Kundera
Botuesi: DITURIA

Portalb.mk ju rekomandon të lexoni këtë libër.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button