Fishkëllimat nëpër vreshta (VIDEO)

Në botën e klisheve mediale, njerëzit po kanë prirje të magjepsen nga e rëndomta, nga mesatarja. Në botën time, njerëzit gati se nuk magjepsen me asgjë, dhe as që e çajnë kokën se çka është kah ndodh në oborrin e tyre. “Perspektiva e frigoriferit” mbizotëron në narrativën e jetës së përditshme, së paku për shumë njerëz që jetojnë në favellën time.

Në këtë klinikë të vrugët sociale vlerash të fabrikuara dhe pëlqimesh të Facebook-ut, janë dy djem që po e zhvillojnë një betejë të denjë për ta kultivuar një narracion të ri, pozitiv të mjedisit tonë të turbullt duke përçuar një mesazh muzikor. E mira e mesazhit muzikor është se nuk ke nevojë ta lexosh; do ta kuptosh në momentin kur e krijon lidhjen me shqisat e tua.

Këta dy djem, Arbri dhe Tomori, janë në të vërtetë si dy personazhe imagjinare, apo më shumë si njerëz hologrami — ata jetojnë brenda tingujve që i prodhojnë.

majlinda-hoxha-oborri-arifs-story-10-2016-4Pasi kanë peshkuar për tinguj të ri me shumë durim, dhe pasi kanë kaluar nëpër fazat e tyre kreative, Tomori dhe Arbri po e pjekin tortën e tyre të parë, dhe po e them me plot gojë, do të jetë kjo një tortë që nuk e keni provuar kurrë; e freskët dhe e lëngshme si shalqini. Tingujt e tyre të ri burojnë prej guximit, diçka që më ka munguar për një kohë të gjatë.

Në këtë kimi tingujsh të fermetuar mirë, albumi i Oborrit jehon me inteligjencë të Brian Eno-së (me ritmin e ‘Taking Tiger Mountain’ dhe karakterin e ‘Another Green World’), derisa futen në përdorim truqet e lezetshme, veshzgjeruese të Zappa-së. E gjithë kjo me një dozë mesatare të Thom Yorke-imit. Sinqerisht, pak gjëra janë të parashikueshme në muzikën e tyre dhe befasia vjen me tingullin më të thjeshtë, në gati secilën këngë.

Këta djem nuk janë si gjithë të tjerët. Tregimi për aranzhmanet e tyre soditëse artistike vetëm me një vështrim e rrëzon injorancën e rëndomtë, drejtpërdrejt dhe guximshëm. Muzika e tyre paraqitet si një Dirty Harry me lëpirëse në gojë. Shkathtësia për t’i konceptualizuar me mjeshtëri meloditë pa zhanër dhe për t’i bërë ato bashkë e për të vendosur shtresa tingush mbi tinguj tjerë… është si përsëritja e një përralle legjendare pas së cilës secili mbetet i shtangur.

Lista e këngëve:

1. Tash njejtë pi ujë
2. Karrigat
3. Alfabeti ecën vetë
4. I vjeshtun
5. Po zihet supa
6. Oh more djali i nones
7. Plaku i ri
8. Gjuj me dritë
9. Shpia ka mbetë vetë
10. Kangë janari
11. Hajde te unë
12. N’ kohna

 

Për më shumë lexo në: Kosovo.2.0

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button