Maqedonia e treta në botë me 52,9% e të rinjve të papunë (Infografik)

Maqedonia me 52,9% është vendi i tretë në botë me numrin më të madh të papunësisë së të rinjve. Nga të rinjtë e papunë 40% prej tyre nuk kanë punuar asnjëherë më parë, 27,4% kanë punuar punë sezonale, 16,8% kanë punuar me kontratë, 8,8% kanë punuar në projekte, kurse 7,7% kanë qenë në marrëdhënie të rregullt pune. Edhe atë kryesisht në sektorin privat.

60,9% e të rinjve që kanë kërkuar punë, mendojnë se nuk janë zgjedhur në vendin për të cilin kanë aplikuar për shkak se nuk kanë pasur persona të njohur që do të ndërmjetësonin. Këto janë disa nga të dhënat e hulumtimit “Papunësia e njerëzve të rinj në Republikën e Maqedonisë” të Friedrich Ebert, prezantuar sot në “Kino Kultura” në Shkup. Dhe panelistët kanë disa porosi për qeverinë e ardhshme, njofton Portalb.mk.

Marija Topuzovska Latkoviq
Marija Topuzovska Latkoviq

Nga Instituti për hulumtime sociologjike dhe politiko- juridike, Marija Topuzovska Latkoviq sqaroi se hulumtimi ka matur qëndrimet e të rinjve të papunë në aspekt të pjekurisë së tyre profesionale, çfarë masash ndërmarrin për tu punësuar, a kanë plan për punësim dhe karrierën, vetëbesimin dhe gjëra të ngjashme.

“Tek të rinjtë vërehet se nuk ka aktivitete për të gjetur punë, respektivisht vetëm 55% kërkojnë punë, të tjerët ose presin që dikush tjetër t’u gjejë ose rrallë paraqiten në Agjencinë për punësim ose nuk ndërmarrin asgjë. Gjithashtu 40% e tyre nuk marrin pjesë në arsimin joformal dhe mund të thuhet se të gjitha aftësitë dhe njohuritë i kanë marrë gjatë studimeve deri-diplomike, studimeve post-diplomike ose në arsimin e mesëm. Ndërsa si fakt paraqitet se arsimi i mesëm është periudha kyçe kur ata e zgjedhin profesionin. Të dhëna tjera interesante janë ato se në preferencat për punë mbi 50% duan të punojnë për pagë” tha Latkoviq.

Gjithsesi, sipas saj, pozitive është se këta të rinj nuk e kanë humbur vetë-besimin, që sipas saj negativisht do të ndikonte në jetën mëtutjeshme.

Biljana Sekulovska-Gaber
Biljana Sekulovska-Gaber

Drejtoresha e parë e qendrës trajnuese për integrim evropian dhe pro-dekania e mëparshme e Fakultetit Ekonomik në Universtitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, Biljana Sekulovska-Gaber, tha se nuk beson në vërtetësinë e të dhënave, sipas të cilave është ulur papunësia. Kështu për shkak të mos regjistrimit të popullsisë që nga viti 2002 dhe mungesës së të dhënave të sakta rreth të mërguarve (përveç shifrës prej 500 000 bazuar në të dhënat e Eurostatit dhe Bankës Botërore).

Duke sqaruar se lokomotiva e ekonomisë ndodhet në popullatën e re, respektivisht në fuqinë punëtore të rinisë, ajo theksoi se Maqedonia  ndodhet në një situatë të jashtëzakonshme. Kjo për shkak, sipas saj, të hapjes së vazhdueshme të fakulteteve duke mbjellë dëshirën e të gjithëve për të studiuar, por pa i përshtatur ato me nevojat e tregut. Sipas saj, duhet të reformohet sistemi arsimor, në atë mënyrë që të ketë lidhje më të madhe mes teorisë dhe praktikës.

“Është koha e fundit që të përfundojë bashkëpunimi mes akademisë, sektorit të biznesit dhe institucionet shtetërore” tha Gaber.

80% e të rinjve të papunë ndërmarrin diçka ose të paktën mendojnë që ta lëshojnë vendin. 41% mendojnë se shteti nuk i motivon mjaftueshëm të kyçen në tregun e punës. Kështu, panelistët theksuan se politikat e deritanishme nuk dhanë rezultate në zvogëlimin e papunësisë. Andaj ata propozuan disa masa, që duhet të ndërmerren nga ana e qeverisë së ardhshme.

Dragan Tevdovski
Dragan Tevdovski

“Për fat të keq papunësia e të rinjve në Maqedoni është një nga më të lartat në botë. Shkalla e papunësisë së të rinjve arrin 52,9% dhe sigurisht është një nga treguesit më të mëdhenj pse të rinjtë largohen nga Maqedonia. Nuk duhet të ketë kurrfarë dileme se politikat që ekzistuan gjatë të gjitha viteve të kaluara nuk dhanë kurrfarë rezultatesh. Prandaj pyetja kryesore duhet të jetë se çfarë duhet të bëhet, çfarë të ndryshohet” tha profesori i Fakultetit Ekonomik në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, Dragan Tevdovski.

“Mendimi im është se të paktën për tre herë duhet të zmadhohen mjetet financiare që ndahen nga buxheti për masa aktive për punësim, para së gjithash për të rinjtë, sepse gjatë viteve të kaluara për këto masa u ndanë më pak para sesa kushtoi një prej përmendoreve. E nga ana tjetër papunësia është problemi më i madh në Maqedoni” shtoi Tevdovski.

Sipas Tevdovskit, disa nga masat që duhet të ndërmerren janë: në të gjitha komunat e mëdha të hapet “Qendër start-up”, ku shteti do të ofrojë shërbime konsultative, kontabilitet, arkivim dhe kushte tjera në ndihmë të sipërmarrësve të rinj; të ndërpriten presionet partiake; të qartësohen dispozitat ligjore dhe të ketë parashikueshmëri në ndryshimin e ligjeve; të reformohet procesi i sanksionimit; të bëhen lehtësime fiskale; të rriten pagat si dhe të bëhen reforma afat-gjate në  sistemin arsimor. Sipas tij, modeli më i mirë që duhet ndjekur është Gjermania.

Nita Starova
Nita Starova

“Rezultatet treguan se para së gjithash janë të nevojshme reforma në sistemin arsimor dhe përshtatjen e tij me tregun e punës, kurse është i patjetërsueshëm këshillimi profesional i të rinjve, pasi që ka shumë të rinj që nuk e dinë se profesioni i tyre në cilën industri bën pjesë, cila është paga minimale dhe ajo më e larta. Ndërmarrja e masave në këtë drejtim, duhet të jetë në fokus të qeverisë së re”-tha nga Fondacioni Friedrih Ebert, Nita Starova.

Ajo ceku hiper-produksionin e kuadrove me arsim të lartë. Ashtu që, në vitin 2013 të rinjtë për shkak të mos-pasjes së vendin të punës, vendosën të vazhdojnë me procesin arsimor.

“Duhet të punohet në rritjen e reputacionit të shkollave profesionale, sepse pikërisht ato prodhojnë kuadro që janë të nevojshme në tregun e punës” tha ndër tjerash Starova.

Ndryshe, 45,8% mendojnë se punësimi në 3 vitet e ardhshme do ta zgjidhte problemin e pavarësisë financiare./Portalb.mk

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button