PASIGURIA KRIJUESE

Frika nga dështimi, kjo frikë frytdhënëse, e përcjell çdo krijues të ri ose me përvojë shkrimi. Për shkak të kësaj frike ata i rishikojnë, i përsosin, por edhe i dëmtojnë veprat e tyre.

Gabriel Garcia Markes thoshte se në laboratorin e tij krijues më shumë punonte makina e grisjes se sa makina e shkrimit. Falë kësaj frike frytdhënëse, mund të kesh sukses në art.

Ne këtë nuk e themi për të inkurajuar artistët e rinj. Në fund të fundit, nuk ka artistë të rinj e pleq, por ka që janë të mirë apo të dobët. E atyre nuk u mjafton vetëm dhuntia krijuese. U duhet edhe kultura e gjerë, jo vetëm përvoja personale, por edhe përvoja e marrë nga librat.

Nuk njoh artistë që kanë i dhënë vlera kulmore, qoftë artit kombëtar apo botëror, vetëm nëpërmjet dhuntisë krijuese. Duhen të dyja: dhuntia dhe kultura.

Shpesh jeta e artistëve na mashtron. Besojmë me naivitet se ndonjëri prej tyre krijon falë talentit dhe jo edhe kulturës që ka. Le të marrim si shembull Bodlerin. Jeta e tij ishte e mbushur me skandale e marrëzi të panumërta. Ky “princ qelbësirash”, ky jetështhurur,  ishte njohës mitologjish e qytetërimesh të ndryshme; ishte lexues i pasionuar.

Historia e letërsisë njeh shumë shkrimtarë jeta e të cilëve ishte e makthshme, plot me demonë, me helme mëkati dhe fshikullime. Njeh plot shkrimtarë që vuanin prej sëmundjesh të ndryshme, si pasojë e trazimeve të vazhdueshme. Qeniet e tyre aktivizonin alarme të çuditshme për rreziqe të paqena. Vetëm ata që kanë provuar të zhyten thellë e më thellë në absurdet e jetës, mund t’i kuptojnë trazimet e tyre. Vetëm ata, si askush tjetër, zbulojnë përmasa të reja ekzistenciale të kësaj jete e të kësaj bote. Dhe tek ata, përkundër gjenialitetit, shfaqet frika. Ajo frikë e pashpjegueshme, pa të cilën nuk krijojmë dot. Ishte kjo frikë që e kishte shtyrë Kafkën t’i linte dhiatën mikut të tij Maks Brod-it t’ia digjte librat. Kishte frikë nga dështimi, por nuk ishte i sigurt nëse kishte dështuar. Falë “tradhtisë” së Brodit, libra të tij, nuk u shndërruan në hi harrese. Nga të njëjtat alarme frike qe tronditur Gogoli. Më pas Nabokovi. Falë Verës, gruas, nuk u humb një kryevepër e tij. Stefan Cvajgu, ky stilist i përkryer, shikimi i të cilit depërtonte në anët më të errëta të qenies njerëzore, e thotë me sinqeritetin e gjeniut se gjatë gjithë jetës ishte përballur me pasigurinë e krijimit, e cila i bën mirë artit sepse kështu synohet e përsosura. Synohet maja. Ndërkaq ngjitja nëpër shkallët e suksesit artistik nuk është e lehtë. Nuk është udhë e shtruar me dafina, por me gjemba. I ngjan ngjitjes së një atleti në piedestal, në gjoksin e të cilit, pas shumë vitesh mundimi, vezullon medalja e kampionit, por ama vetëm ai e di se sa i vështirë ka qenë rrugëtimi deri në majat e suksesit. Atëherë kur bota ka bërë gjumin e zakonshëm, ai i ka ndjerë gërryerjet e tmerrshme të lodhjes e të dhimbjes. Ka ëndërruar, ka shpresuar, ka besuar, ka ngulmuar me fuqinë përtej njerëzore, prandaj ka arritur tek triumfi. Edhe rruga deri te finalizimi i një vepre arristike është e vështirë, e shoqëruar me tundime, net pagjumë, me makthe, me tronditje, zhgënjime, por edhe me lumturi fëmijërore.

Të gjithë ne që kemi kaluar nëpër makthet e krijimit, e njohim këtë rrugëtim. E njohim tundimin në botën e trishtë, ku dita është tjatër ditë dhe nata tjatër natë!

Edhe në këtë shkrim kam shumë pasiguri. Nuk di nëse ja ka vlejtur që të botohet. Pa keqkuptim: kam dilema nëse mund të ishte shkruar ndryshe dhe jo se kam merakun e atyre që janë shumë të sigurtë. Ata gjithnjë i kam parë me njëfarë përçmimi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button