Universiteti Nënë Tereza, 11 profile studimore për vetëm 183 studentë

Përvjetori i 108-të i “Ditës së Alfabetit” po e gjen Shkupin me Universitetin “Nënë Tereza”. Universitet ky që “jashtë të gjitha pritjeve” numëron gjithsej 183 studentë, të shpërndarë në 11 profile studimore. Të dhënat i konfirmoi vetë rektori i universitetit, gjatë tryezës së rrumbullakët shkencore ,,Arsimi – nga tradita drejt sfidave të reja”, të mbajtur në Qendrën Informative Kulturore, Shkup, njofton Portalb.mk.

 “Kemi kënaqësinë që sot të anoncojmë se procesi arsimor në UNT në Shkup ka filluar tanimë. Java e tretë është që mbahet mësim në 11 programe mësimore nga 14 që kanë qenë të parapara. Dhe që të jem i sinqertë, është përtej pritjeve tona, duke i marrë parasysh rrethanat, kushtet dhe mundësitë kur krejtë kjo u realizua… Janë regjistruar saktë 183 studentë. Kjo po ashtu duke u nisur nga konteksti, nga rrethanat është po ashtu përtej nevojave tona minimale që ishin planifikuar për këtë vit” tha rektori i UNT-së, Aziz Pollozhani.

Sipas Pollozhanit, pritet që në vitin e ardhshëm universiteti të ketë pamje të re, me kuadër më të organizuar dhe numër më të madh të studentëve. Kështu, sepse sipas tij, universiteti paraqet  oferta serioze në drejtim të zhvillimit të studentëve si individë dhe si profesionistë, në mënyrë që t’u bëjnë ballë sfidave të së ardhmes, që i sjell me vete globalizimi.

“Është e vështirë të parashihet saktësisht se çfarë ndryshimesh i presin gjeneratat e ardhshme, por duke i kombinuar kompetencat për mendimin kritik dhe analitik dhe duke inkurajuar shpirtin sipërmarrës të studentëve tanë, ne mund ti ndihmojmë ata në krijimin e konditave të nevojshme për të përballuar më mirë të ardhmen e tyre” tha ndër tjerash Pollozhani.

Hapjen e universitetit të ri e komentoi edhe profesori universitar nga Universiteti “Hamber” i Gjermanisë, Robert Pichler.

“Jam i vetëdijshëm për gjendjen e vështirë të shqiptarëve në Maqedoni kur bëhet fjalë për ndërtimin e institucioneve dhe emancipimin arsimor. Si historian e di rëndësinë e gjuhës, rëndësinë e njohjes së shqipes si gjuhë zyrtare dhe i kuptoj mirë shkaqet për margjinalizimin e shqiptarëve në fushën e arsimit në Maqedoni. Prandaj themelimi i një universiteti ishte i domosdoshëm për të ngritur standardet arsimore dhe për të përmirësuar statusin e shqiptarëve në Maqedoni.”

“Megjithatë themelimi i një universiteti nuk është zgjidhje. Sfidat janë të shumta, vetëm disa do të theksoj: Çfarë duhet të jetë theksi i një universiteti? Ku mund të merrni mjaftë mësues të mirë në një rajon që karakterizohet nga emigracioni? Sa shumë vëmendje të fitojë hulumtimi në universitet? Çfarë lloj autonomie fiton universiteti? Çfarë roli luan politika këtu? Cilët janë mundësitë për të diplomuarit në vendet e punës brenda dhe jashtë shtetit? Si mund t’i shmangeni emigracionit të vazhdueshëm? Si mund t’i motivoni njerëzit e kualifikuar për t’i kthyer në Maqedoni?” shtoi ai.

Megjithatë, gjatë tryezës së rrumbullakët, profesorët universitarë me përvojë të gjatë dhe njëherit panelistët:  Robert Pichler, Dukagjin Pupovci, Robert Gjedija dhe Zeqirija Neziri theksuan se më i rëndësishëm se kuantiteti i institucioneve arsimore është  kualiteti i të njëjtave. Sipas tyre, hapi i parë dhe më i rëndësishëm që duhet ndërmarrë është depolitizimi i sistemit arsimor.

LEXO: Universiteti “Nënë Tereza” një demagogji politike: s’ka studentë, kuadër e as objekt
LEXO: ANALIZË: Universiteti “Nënë Tereza” fabrikë diplomash, ja pse thellon ende më tepër problemin e arsimit cilësor
LEXO: Maqedoni, strategji të dobëta arsimore pa regjistrim të popullatës

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button