VOTËTREGTIMI DHE DINJITETI

Jemi duke hyrë në një cikël zgjedhor të zhurmshëm, me zhvillime interesante, përplot sondazhe, matje, thashetheme, furtuna fjalësore, marketing e propagandë partiake që na përthekon nga të gjitha anët. Secili në “luftë” për një votë më tepër dhe në këtë drejtim shohim se metodat nuk zgjidhen. Në veçanti në rrjetet sociale, fjalori bie deri në thellësirat më të paimagjinueshme të humnerës së imoralitetit. Kultura politike e aktorëve por edhe ajo e ithtarëve e pasuesve, pra zgjedhësve tregon një nivel jashtëzakonisht të ulët saqë na mbetet të lutemi që të kalojmë pa fërkime e incidente në parakohën dhe ditën e 11 dhjetorit.

Është e dukshme që një gjë që deri në ora 19:00 të 11 dhjetorit do të ketë vlerën më të madhe  të këtij muaji është vota, zëri i qytetarit. Në këtë drejtim kemi dy palë, “gjahtarët” dhe qytetarët, politikanët dhe ndihmësit e tyre, ata që tentojnë t’i bëjnë për vete njerëzit, t’i bindin se për kë duhet votuar, që manipulojnë dhe mundohen t’i mashtrojnë disa kategori vulnerabile, të lëndueshme, që për arsye të ndryshme e tregtojnë opinionin e tyre, integritetin dhe unin, ngjyrërat e tyre politike, pikëpamjen e vet për liderin, partinë, bëmat e tyre në të kaluarën dhe të tashmen. Realiteti ynë sociologjik i të së kaluarës politike tranzicionale na rrëfen për një praktikë shumë të ulët, për një formë të re të transaksioneve, atë të tregtimit apo të shitblerjes së votave, që mund të përsëritet edhe në zgjedhjet 2016. Dihet se të tregtueshme janë të mirat ekonomike, mundi, puna manuale dhe intelektuale, por jo edhe bindja qoftë ajo politike, ideologjike apo fetare. Ç’e do që faktet nga ciklet e kaluara zgjedhore na mësojnë se një pjesë e shqiptarëve, por edhe e të tjerëve që jetojnë në këtë nënqiell, për shkaqe të ndryshme e shesin botëkuptimin e tyre, votën e tyre, të familjes së ngushtë, madje ka edhe të atillë që e shesin votën e fisit, klanit, të katundit apo të lagjes. Bile edhe të të gjithë ithtarëve të partisë, u japin direktiva votuesve që t’ia kalojnë votat e veta një partie tjetër që është më e afërt me të ose që i sjell ndonjë dobi subjektit gjegjës politik. Dhe tani shtrohet pyetja se ku dhe kush është qytetari në këtë skenë? Ku mbetet identiteti i dhe integriteti i qytetarit? A shndërrohet faktikisht ai në pjesë të kopesë, të cilën çobani e drejton herë andej e herë këndej? Si të shpëtojë nga kjo gjendje? Duke u vetëdijësuar vetë dhe duke i vetëdijësuar edhe të tjerët që të jenë vetja.

Si qëndron puna me një individ që shitet politikisht për para, për të mira materiale si punësimi, vaji, mielli e të ngjashme? Para kësaj pyetjeje duhet shtruar pyetjen tjetër: Në çfarë gjendjeje moraliteti, etike dhe psikologjike është personi (ose subjekti) që bën një ofertë (më vonë trysni) të tillë? Kushtëzimi i skamnorëve dhe të të mjerëve me para që të votojnë x-in apo y-në paraqet prishësinë, makabritetin, zymtësinë më të pistë që mund të imagjinohet. Keqpërdorimi i gjendjes së padëshirueshme ekonomike dhe financiare të dikujt për qëllime të ulta e meskine politike është fundi i fundit të qenësimit të qenies. Si mund të flejë rehat një i zgjedhur me metoda të nëntokës si deputet e në ndonjë post tjetër? Si e ha bukën rehat, si s’i mbetet në fyt fitorja e pamerituar. Nëse gjithë e ka rrafsh dh s’i bëhet vonë, kjo flet se ai më s’është i gjallë, se është nga “të gjallët e vdekur”, nga të gjallët biologjikisht, kurse nga të vdekurit shpirtërisht. Prej këtj njeriu s’ka dobi as familja, as mëhalla, as komuniteti, as mileti. Kjo është arsyeja pse populli sot është ftohur kaq nga politika. Sepse ka shumë të ngritur në poste në hajdutëri elektorale, të cilët më pas shndërrohen në hajdutë të shoqërisë pa iu bërë pët syri. Kollarja s’i bën njerëz, as kolltukët e parlamentit a të institucionit. Aty ku mungon morali politik, mungon edhe mirëqenia edhe lumturia e demosit.

Në rregull, po si është puna me atë që e shet votën? Atë që është në hall e kanë në qafë mësytët dhe porositësit nga lart, prijatarët që në agjendën e tyre e kanë edhe këtë strategji degraduese. Por një qytetar në gjendje relativisht të mirë që për të bërë ca “para të çastit” shitet çfarë t’i themi? E ky është pra njeriu pa identitet, pa integritet, pa shtyllë kurrizore, pa ndërgjegje. Ai e shet të tashmen dhe të ardhmen e vet, të fëmijëve të vet, të gjeneratave të ardhshme, sepse ia jep votën edhe askushit, edhe të pamerituarit vetëm për një përfitim minimal. Ky person i krijon probleme vetes dhe të tjerëve, sepse në një pozitë me përgjegjësi sociale bëhet sebep që të vijë një njeri pa karakter dhe pa karakteristika të nevojshme, pa aftësi dhe shkathtësi, pa ndërgjegje, pa ndjenjë të llogaridhënies dhe përgjegjësisë. Shitësi i votës kontrabandon ardhmërinë tonë, na “vret” të gjithëve, na bën kurban të idiotizmit të të pashpirtit që përdor të gjitha mekanizmat që ka në dorë vetëm të arrijë deri te destinacioni, te posti i dhe paraja e synuar. Shitësi i votës e tregton dinjitetin e vet, krenarinë e vet, kokën e vet, andaj nuk ka të drejtë të ankohet karshi anomalive që do ta presin në të ardhmen. Ai vetëtjetërsohet, dëmton veten dhe të tjerët. Me dorën e vet e pret degën në të cilën qëndron. Bie dhe e then kokën. Andaj, më 11 dhjetor të votojmë si i ka hije një njeriu të ndërgjegjshëm. Ta votojmë më të mirin jo atë që ofron para dhe gjëra të matshme afatshkurtra, ta votojmë të ardhmen tonë, të votojmë me kokën tonë, sepse në këtë rast edhe nëse gabojmë kemi gabuar vetë, ndërsa nëse gabojmë me cytjet e tjetrit, kemi bërë gabim të tyfishtë. Të mendojmë me kokën tonë dhe të votojmë me dorën tonë jo me dorën e zgjatur të (nën)shefit, të bilderit apo të bosit! Vota jemi ne, fytyra dhe identiteti ynë. T’i themi stop terrorit elektoral të quajtur “tregtim apo shitblerje votash”! Mos e shit! Votën!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button