Udhëve të jetës
Me një trastë në krah, për buzëqeshje dal në gjah!
Vetë. Thurr ëndrra për çdo gurë e gjeth mbi dhe,
Dhimbjet i vargëzoj si gjerdan perlash mbi qafë,
Kimen secilës ia di, pa to, s’do isha çfarë jam tani!
Me një thes brengash, nis miliona kërkime në xhunglat e botës sime,
Një guralec bukurie për ta gjetur, një grimë rërë mirësie që zemrën ma mban të etur!
Rrugëve të jetës. Vizëbardhat nuk shihen çdoherë qartë mbi dheun e turbullt,
As semaforët nuk shndrisin saherë që rrugën e humbim,
Thasët e stërmbushur po s’i flakëm mënjanë, hapat s’na lehtësohen kurrë,
Veç zemrës sonë do t’i vemi mur, po vazhduam të bëhemi urë.
Urë dhimbjesh që kalojnë nga vitet e pluhurosura në ditët e kthjellëta që vijnë,
Urë frikërash që ngriten nga varret e shpresat e posalindura na i përpijnë!
Shqipe Palloshi, Tetor 2013