Zgjedhjet amerikane – rezultatet përfundimtare

Republikanët kanë fituar pushtetin në të gjitha nivelet, ndërsa demokratët janë në pikën e tyre më të ulët në 100 vitet e fundit. Paradoksalisht në referendume kanë fituar çështje të afërta me demokratët si legalizimi i kanabisit dhe rritje e rrogës minimale.

Numërimi. Sado që të duket qesharake, numërimi i votave nga zgjedhjet e javës së kaluar në SHBA ende nuk ka përfunduar. Secili shtet ka rregullat dhe procesin e vet zgjedhor dhe në disa prej tyre ende priten që të vijnë të gjithë votat me postë, sidomos nga diaspora amerikane. Mirëpo kjo nuk është pengesë që veçmë të dihen rezultatet përfundimtare, pasi votat e mbetura nuk do të ndryshojnë gjë.

Rezultatet finale tregojnë se president i 45-të i SHBA-ve është zgjedhur Donald Tramp. Tramp ka arritur fitoren në kolegjin elektoral me rezultat 290-232, edhepse Klinton ka fituar më tepër vota në nivel nacional.

Përveç presidencës republikanët kanë fituar edhe në nivelet tjera të pushtetit. Ata kanë korrur fitore në Senat, Dhomën e Ulët të Kongresit dhe kanë fituar 33 guvernatorë.

 

Rezultatet për president. Përfundimisht pra Klinton ka rreth 1.3 milionë vota më tepër se Donald Tramp, apo rreth 1% të totalit.

Kandidati Vota Vota %
Donald Tramp (Republikan) 61.500.332 46.7%
Hillari Klinton (Demokrat) 62.842.333 47.7%
Geri Xhonson (Libertarian) 4.308.548 3.3%
Xhill Shtajn (E gjelbërt) 1.324.523 1.0%
Evan McMullin (Pavarur) 516.365 0.4%
Të tjerë 1.160.655 0.9%

 

Pakënaqësia e amerikanëve me të dy kandidatët është manifestuar me votat e dhëna për kandidatë të tretë. Më mirë ka kaluar Geri Xhonson i cili ka rritur votat e veta nga 1 milionë në vitin 2012 në mbi 4 milionë sivjet. Partia e gjelbërt ka fituar 1% të votave, ndërsa 1.3% tjera kanë fituar kandidatë të pavarur që kanë garuar vetëm në shtete të caktuara.

 

Rezultatet për Senat. Para zgjedhjeve të së martës republikanët kontrollonin Kongresin me rezultat 54-46. Por në këto zgjedhje atyre ju desh të mbronin disa vende të fituara para gjashtë vitesh e që janë tradicionalisht demokrate. Megjithë këto mundësi të hapura për demokratët, republikanët përsëri kanë shënuar rezultat të mirë.

Pas zgjedhjeve të 8 nëntorit republikanët ruajnë kontrollin mbi Senat me rezultat 51-48. Në Luiziana që ka sistem të posaçëm të votimit për Senat do të shkohet në rreth të dytë të votimeve, por aty favorizohet kandidati republikan. Sido që të jetë republikanët do të vazhdojnë të kenë Senatin deri në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2018.

 

Dhoma e Ulët. Ashtu siç pritej republikanët arritën të rifitojnë Dhomën e Ulët të Kongresit. Ata kanë fituar 239 mandate, ndërsa demokratët 193. Në 3 vende të mbetura do të rivotohet në rreth të dytë.

 

Guvernatorët. Me 8 nëntor është votuar për guvernator në 12 shtete. Republikanët kanë fituar 6 prej tyre, ndërsa demokratët 5. Gara në Karolinën e Veriut ende nuk ka përfunduar dhe nuk janë shpallur rezultatet zyrtare.

Me këto fitore republikanët tani kanë 33 guvernatorë, ndërsa demokratët 16.

 

Referendume – triumfe për legalizimin e kanabisit dhe rrogën minimale. Në të njëjtën ditë janë mbajtur edhe një sërë referendumesh në shtete të ndryshme, ndërsa pikat më interesante kanë qenë referendumet për legalizimin e marihuanës dhe ata për rrogën minimale.

Për legalizimin e kanabisit është votuar në 9 shtete, diku për përdorim rekreacional, diku për medicinal. Sipas rezultateve të fundit kanabisi është legalizuar në 8 prej tyre (4 rekreacionale dhe 4 medicinale), ndërsa ka dështuar vetëm në Arizona.

Me këtë kanabisi tani është legalizuar për përdorim rekreacional në 8 shtete dhe si bar në 25 shtete tjera. Vetëm 17 shtete amerikane ndalojnë kanabisin e çfarëdo lloji.

Katër shtete poashtu kanë votuar për rritje të rrogës minimale.

Rezultatet e referendumeve tregojnë kompleksitetin e politikës amerikane, sepse në të njëjtën ditë kur kanë fituar republikanët, kanë kaluar plot iniciativa të këtilla që janë në kundërshtim të plotë me dogmën republikane.

 

Çka më tutje. Pas rrënies drastike në vitin 2008, republikanët kanë arritur të rikthejnë pushtetin në mënyrë absolute vetëm 8 vite më pas. Sipas një analize të RCP partia republikane asnjëherë nuk ka qenë më e fortë në 100 vitet e fundit.

Mirëpo tani që kanë pushtet të këtillë republikanët duhet të tregojnë rezultate. Nuk duhet harruar se kandidati i tyre presidencial megjithatë ka marrë më pak vota se Klinton dhe natyrisht ata duhet të kenë shembullin e demokratëve se si një pushtet në të gjitha nivelet mund të kthehet në pësim total për vetëm 8 vite.

Nga ana tjetër rezultatet poashtu dëshmojnë se demokratët janë larguar tepër nga realiteti. Koalicioni i tyre që duhej t’i fitonte pandërprerë zgjedhjet ishte ai i pakicave, grave, të rinjve dhe elitës liberale. Por ata si duket kanë harruar dhe nënçmuar votuesin e bardhë. Më shqetësues është fakti që demokratët kanë humbur një pjesë të madhe të klasës punëtore që gjatë kohë ka qenë shtylla kryesore e partisë së tyre. Në vijim tek demokratët pritet betejë e ashpër mes për kahjen që duhet të marrë partia: të vazhdojë të mbështetet te pakicat dhe elitat liberale, apo të kthehet te baza e tyre a kahmotshme.

Testi i parë i të dy partive do të jenë zgjedhjet e vitit 2018. Atëherë demokratët do të tentojnë të marrin Dhomën që e kanë humbur në 2010, apo edhe Senatin që e humbën në 2014.

Gjithçka gjithsesi do të varet nga mënyra e qeverisjes së shumicës republikane, e sidomos presidentit Tramp.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP