Rekordi me kreditë e këqija rrezikon rritjen ekonomike në Shqipëri

Hua apo kredi që bankat i humbin, pasi bizneset apo individët, që i kanë marrë, nuk i shlyejnë dot quhen “kredi me probleme” apo thjesht” kredi të këqia”.

Të dhënat e sapopublikuara të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, (BERZH) e klasifikojnë Shqipërinë me nivel të lartë të huave të pakthyera ndër ekonomitë në zhvillim në Europë dhe Azi, me 24,4 % të gjithë portofolit të kredive të dhëna, duke zënë keshtu vendin e parë në rajon: Maqedonia i ka kreditë e pashlyera në nivelin 0,8%, Bosnja më pak se 7% dhe të njëjtin nivel ka Mali i Zi dhe Serbia.

I vetmi vend ndër ekonomitë në zhvillim në Europë dhe Azi me nivel më të lartë huash bankare të pashlyera se Shqiperia rezulton Kazakistani , me 36,7% sepse ka patur rritje eksponenciale të totalit të huave në një periudhe relativisht të shkurtër kohe, fenomen ky që nuk haset në vende të tjera, jo vetëm në rajon, por në përgjithësi në Europë. Një nga pasojat e rritjes së shpejtë të portofolit të huave është gjithnjë shpejtësia e lartë e formimit të huave me probleme.

Ndërkohë ulja e dërgesave të emigrantëve ka ndikuar, drejtpërdrejt ose tërthorazi, në uljen e aftësisë paguese të klientëve shqiptarë pa lënë mënjanë uljen e madhe të ritmit të rritjes ekonomike të Shqipërisë, që ka sjellë zbehjen e dinamizmit të ekonomisë dhe operatorëve ekonomikë. Së fundi, një tjetër arsye është dhe detyrimet e papaguara të qeverisë ndaj bizneseve private për punët publike të kryera.

Për nivelin e lartë të huave të pakthyera që ka Shqipëria kanë shprehur shqetësim Banka Botërore, FMN dhe së fund BERZH lidhur me pasojat që sjell në rritjen ekonomike të vendit.

Kreditë e pakthyera mbartin me vehte edhe një problem tjetër serioz: blerjen nga Bankat të kolateralit ose të pronës, që huamarrësit kanë lënë peng tek ato për huanë e marrë.
Ndërkaq reformat ekonomike mbeten çelësi për të ndryshuar situatën e tanishme serioze të kredive problematike.

Bëhet fjalë për reforma që bëjnë të mundur futjen në qarkullimin ekonomik të parave përkohësisht të lira të qytetarëve dhe bizneseve, që nxitin konkurrencën dhe ndëshkojnë rritjen e çmimeve apo shfrytëzimin e dobësive rregullatore nga bankat tregtare, ndëshkojnë korrupsionin me këto të fundit dhe i shndërrojnë bankat tregtare në aktorë dhe faktorë të rëndësishëm në kapërcimin e krizës, rritjes ekonomike të qëndrueshme të ekonomisë kombëtare.

Lajme të ngjashme

Back to top button