Ja cilat xhami do t’i restaurojë organizata TIKA, nuk tregon sa para do të harxhohen

Organizata TIKA dhe Bashkësia Fetare Islame në Maqedoni sot kanë nënshkruar Marrëveshje për restaurimin e tre xhamive: Husein Shah- Saraj, Sulltan Murat- Shkup, Allaxha Xhamia- Shkup. Drejtori i TIKA-s, Teoman Tirjaki, nuk ka zbuluar se sa do të kushtojë i tërë projekti me arsyetimin se para fillimit të projektit nuk mund të dihet shuma për faktin se nuk dihet çka do të përfshihet në restaurime, raporton Portalb.

“Husein Shah- Xhamia në Saraj, e cila llogaritet në aspektin histori si njëra nga xhamitë më të vjetra që është ndërtuar në kohën e osmanlinjve. Sa i përket Xhamisë së Sulltan Muratit ne të gjithë e dimë që është njëra ndër xhamitë më të mëdha në Ballkan. Gjithashtu Allaxha Xhamia, që është në qendër të Shkupit është prej monumenteve të rralla historike.  Ne falënderojmë organizatën TIKA, për renovimin e monumenteve kulturo-historike, pas vitit 1912 e këndej”, deklaroi Reis Sulejman Rexhepi.

Reis Rexhepi nënvizoi se bashkëpunimi mes BFI-së dhe TIKA-s, e cila merret me përgjegjësi për ruajtjen e kulturës osmane në këto troje, është në nivelin më të lartë dhe viteve të fundit.

“TIKA jo që merret vetëm me xhamitë, por merret me të gjitha monumentet historike të periudhës osmane, si dhe të kohës së re”, theksoi ai.

Drejtori Tirjaki vlerësoi bashkëpunimin me BFI-në dhe foli për rëndësinë e tre xhamive që do të restaurohen.

“Neve si TIKA kryejmë shumë projekte në Ballkan dhe Maqedoni. Ndër projektet tona janë edhe restaurimet e xhamive. Këto tre xhami janë ndër tre xhamitë më të rëndësishme në Shkup. Janë xhami që funksionojnë mbi 500 vite. Shpresojmë, në një kohë prej dy vjet e gjysmë do ta kryejmë projektin. Përshëndesim BFI-në për përkrahjen, besoj që bashkëpunimi do të vazhdojë”, tha Tirjaki./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button