KRIJIMI I GËNJESHTARIT

Danezët e urtë thonë: “Varfëria dhe frika e krijojnë gënjeshtarin”. Një thënie që na shpalos të vërtetën e trishtë. Frika dhe varfëria mbisundon aty ku synohet vetëm mbijetesa dhe jo e vërteta që na bën të lirë. Aty lind gënjeshtari, i cili, nga zori, i gënjen të tjerët, gënjen kundër të tjerëve, gënjen për të tjerët, në fund e gënjen edhe veten…

Jetojmë në kohën ku ka shumicë rrjepacakësh dhe pakicë të pasurish, që kanë rrjepur rrjepacakët. Shoqëria jonë ka dy ekstreme: pak super të pasur dhe shumë rrjepacakë. Në shoqërinë tonë nuk ka mesatare. Dhe është klasa e mesme, sikurse u tha para mijëra vjetësh, ajo që e shpëton atdheun…

Jetojmë nën presionin e frikës. Frikës që vetë e kemi sajuar. Frikësohemi që mos ta humbim ekzistencën mjerane. Frikësohemi se mos e humbim një vend pune, një privilegj, që na kushtëzohet me fshehjen e së vërtetës. Duhet të shtiremi, “të bëjmë sikur” adhurojmë dikë. Duhet t’ia falim dikujt legjitimitetin tonë, fatin tonë, vetëm që ta ruajmë bukën e përditshme. Dhe sërish flasim për heroizma e për trimërira. Ja gënjeshtari. Gënjeshtari që e kemi krijuar me vite, së bashku, duke heshtur, duke u shtirur, duke bërë kompromise për çështje personale apo familjare, duke u lartësuar në olimpet e rrejshme.

Kemi heshtur kur një mjeran na ka shitur mend, kur një kapadahi na ka shitur trimëri. Kështu ata janë bërë shumë, sepse ne jemi bërë me ata. Kemi thënë atë që nuk e kemi menduar. E kemi menduar atë që nuk e kemi thënë. Me kalimin e kohës, kështu, e kemi mbrojtur rrenën për të përligjur vetveten. Jemi bërë njësh me rrenën. Maska na është bërë njësh me fytyrën. E kemi fituar maskën dhe e kemi humbur fytyrën për hir të një mbijetese mjerane. Kështu jemi bërë armiq të përbetuar të lirisë. E armiq më të mëdhenj të lirisë jemi ne që gëzojnë privilegje për ta thënë të vërtetën e që fatkeqësisht e kemi “sinkronizuar” me të vërtetën zyrtare…

Mençuria më e madhe është mposhtja e frikës. Kështu thonë mendimtarët. Duke e mposhtur frikën hedhim hapin e parë drejt lirisë, qoftë personale, qoftë kolektive. Justifikimet se duhet të veprojmë jashtë vullnetit tonë për hir të fëmijëve tanë janë kamuflim i qyqarisë. Duke e përligjur të keqen, në emër të fëmijëve, u lëmë trashëgim atyre një botë të ligë, në të cilën, ata, pra fëmijët tanë, do të paguajnë këstet e borxheve tona. Do të vuajnë për shkakun e prindërve qyqarë, që janë mbrojtur kinse punojnë për trashëgimtarët e tyre, por ua kanë humbur të sotmen dhe të ardhmen…

Kemi krijuar heshtazi, ngadalë, padiktueshëm, atdheun e rrenës. Në vendin e rrenës, thotë Gianni Rodari, e vërteta është sëmundje. Këtë sëmundje të rëndë nuk ta shëron askush nëse nuk dëshiron që ta shërosh vetveten. Kjo sëmundje nuk shërohet pa e parë mbretin lakuriq. Është sëmundje e shpirtit.

Në atdheun e rrenës e kanë të vështirë ata që kanë një ëndërr e një synim, por është ëndrra e synimi që na çon drejt lirisë, e cila mbrohet vetëm nga e vërteta. Është inferioritet dhe qyqari të lejosh sistemin e gënjeshtërt të punojë si ja do qejfi…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Komentet

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button