‘Ahmeti dhe Thaçi të jenë partizanë debati në kuvend’

Aktorë të shoqërisë civile dënojnë mospjesëmarrjen në Kuvend, të krerëve partiakë-deputetë. Të pyetur nga Portalb, ata thonë se asnjë arsyetim nuk mund të shfajësoj Ahmetin dhe Thaçin, nga mos përmbushja e obligimeve për të cilat kanë marrë besimin e qytetarëve. 

“Krerët politikë nuk e kanë për herë të parë që sillen si administratorët që paguhen në shtëpi, nëse mund ta quaj kështu! Por, fenomeni i tillë është i arsyetueshëm deri diku për shkak se politika në Maqedoni bëhet pa ballafaqime të drejtpërdrejta. Debati politik, marrja e vendimeve etj akoma funksionon me dërgime “haberesh” nga deputetët korrierë më të vegjël. Ndërsa krerët partiakë duan të ruajnë primatin e të shfaqurit publikisht vetëm për vendime të mëdha. Fatkeqësisht, ky stil komunikimi shkelë edhe institucionin e deputetit, atë të llogaridhënies në kuvend, e për rrjedhojë çon edhe në shmangie debati”, thekson Admir Qose, gazetar.

 “Qasja e dy liderëve të dy partive më të mëdha ndër shqiptarët e Maqedonisë, flet për një sjellje fyese ndaj votuesit shqiptar. Ahmeti dhe Thaçi, si dy figura më të më votuara ndër shqiptarët, me këtë sjellje dëshmojnë qartë se nuk e përfillin shumë votën dhe demokracinë për të cilën aq shumë flasin gjithandej. Kuvendi, nëpër të gjitha vendet e botës, e sidomos në Evropë, është vendi ku në mënyrë të qartë artikulohen mendimet politike dhe përcillen mesazhet, si nga mazhoranca ashtu edhe nga opozita. Por, tashmë shihet qartë si ky parim nuk vlen për këta dy liderë, të cilët me gjasë ende nuk e kanë ndërtuar elokuencën e tyre politike për t’u përballur me replika të ndryshme nga oponentët, të cilitdo blloku qofshin ata!”, vlerëson Ismail Sinani,  gazetar.

“Mosprezenca e tyre me siguri arsyetohet me angazhimet e mëdha partiake. Nëse kjo është arsyeja atëherë ata nuk kanë kohë të përmbushin misionin e deputetit dhe duhet të dorëhiqen nga aty. Në vend të tyre të vijnë përfaqësues më të denjë të qytetarëve, të cilët do të kenë kohë dhe do të dinë t’i artikulojnë interesat e qytetareve që i përfaqësojnë në Parlament. Nëse këtë dorëheqje nuk e japin atëherë do të ishte shumë humane që rrogat e pamerituara që i marrin t’ua dhurojnë familjeve që kanë problem me bukën e gojës”, shprehet Xhelal Neziri, analist. 

“Nuk kam informacion të thuktë çka nënkupton “mungesa e arsyeshme në Kuvend”, sidoqoftë për mua do të ishte e arsyeshme të justifikonin rrogën dhe besimin e dhënë nga qytetarët. Mbasi të dy i japin prioritet vendit të liderit partiak e jo atij të deputetit, e arsyeshme do të ishte gjithashtu nëse mungesa e tyre në kuvend dhe “arsyet” për të, do të rezultonin me avancimin e gjendjes në vend, në veçanti të popullatës që i ka votuar”, thekson Anita Latifi, zëdhënëse e Teatrit Shqiptar. 

“Kjo sjellje, gjykoj se dëshmon se politika shqiptare ende nuk ka evoluuar nëpër të gjitha stadet, pavarësisht se këtë vit po mbushen plot 23 vite të pluralizmit politik. Ahmeti dhe Thaçi, me gjasë më lehtë e kanë të paraqiten nëpër foltore të ndryshme të improvizuara, nëpër lagje e fshatra të ndryshme, se sa fjalën e tyre ta thonë aty ku thuhet në gjithë Evropën, pra në foltoren e Kuvendit”, shton gjithashtu Ismail Sinani, gazetar.

“Mungesa e liderëve nuk ka se si të arsyetohet sepse ata janë të barabartë si gjithë deputet e tjerë në parlament, dhe ata njejtë i ka zgjedhur populli që t’i përfaqësojnë interesat e tyre. Opozita deri diku mund të shfajësohet për faktin që dhe ata deputetë që janë çdo ditë në parlament nuk marrin asnjë përgjigje të pyetjeve të tyre të shumta. Z.Ahmeti mendoj që arsyeja pse nuk është i pranishëm nëpër seanca është se s’ka fjalë e mundësi të arsyetoj qeverinë e tij në gabimet e shumta” shprehet Enisa Bajrami nga Instituti Alternativa Liberale. 

“Në vendet e mirëfillta demokratike, angazhimi i deputetëve për interesin e votuesve është obligim që shpërblehet ose ndëshkohet në zgjedhje. Në rastin tonë, shihet qartë që pozita e deputetit nuk kuptohet si shërbim për qytetarët, por si vend pune për të përzgjedhurit partiakë – jo vetëm kryetarët e dy partive politike, por edhe deputetët e shumtë të cilët nuk shquhen as për një diskutim të vetëm gjatë tërë mandatit. Kjo mungesë e përkushtimit flet për mosinteresimin e liderëve që të përfshihen në procesin legjislativ, që e prek jetën e secilit qytetar”, vlerëson Gjakush Kabashi, aktivist.

Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi dy liderët shqiptar, sipas raportit të “Deputeti im” një publikim nga Kuvendi, kanë më shumë mungesa të arsyeshme në shtëpinë ligjvënëse. Respektivisht vetëm për periudhën korrik-dhjetor 2013, Ahmeti ka munguar 56 herë, ndërkaq Thaçi 53. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button