SHIJET E FËMIJËRISË

Asokohe njerëzit vizitoheshin shpesh, por më së shumti më kujtohet kuzhina jonë e madhe në mbrëmjet dimërore. Përjashta bardhë, krejt bardhë, degët e drunjëve të rënduar nga bora, rruga para shtëpisë si e pajetë, kurse brenda erë kungulli i pjekur ose gështenja zihen. Mbi qoshin e koftorit me dru çdoherë rrinte një tenxhere e vogël jeshile dhe gjithandej shpërndahej aroma e blirit… Druri ishte moshatar me shtëpinë, rrënjët veçmë i kishin mbërrirë tek themelet e saj, kurse çaji…i kuq nga të qëndruarit e gjatë mbi koftor – ajo erë e dimrave të vegjëlisë. Asnjëherë më vonë dhe askund tjetër nuk kam shijuar çaj bliri më të kuq e më aromatik. Po, shqisa e të nuhaturit më së shumti i rreziston harresës.

Dhe shijet tjera… Mollasheqerat e rradhitura në karrocën me vitrinë që axha Xhabir e sjellte çdo pushim të gjatë në oborr të shkollës “Istikball“.Trashaluq e shtatshkurtër prej larg nuk dallohej nga fëmijët që dilnin turrevrap jashtë dhe e rrethonin me zhurmë dyqanin e tij mbi rrota. I tërë lezeti fshihej tek mbështjellësi xhelatinoz plot shkëlqim e kur mbetej veç molla s’kishte më as shije as erë.

Karshi shkollës ende qëndron baraka e njohur Te Baci. Dy vëllezërit punonin tok, thuhej që ishin nga Prizreni, por figura e biznesit ishte Baci shtatgjatë, me “beretkë françeze”, çuditërisht i shpejtë. S’qe kollaj të dilje në krye me fëmijët që vetëm këtu ushqeheshin, tjetër furrë në afërsi nuk kishte, sanduiçet ende nuk ishin zbuluar. Tollovi e madhe e zhurmshme, ndërsa kur afroheshim tek banaku i vjetëruar i drurit trokitnim me monedhat, secili më i uritur dhe më i padurueshëm se tjetri “baci, baci”. Specialitet i shtëpisë ishin petullat. Varijanta luksoze ishte petulla me një lugë marmeladë që kushtonte sa dy copa. Këtë rrallëkush ia lejonte vetes pasi ishte kohë kur as të pasurit nuk i azdisnin fëmijët, të paktën në shikim të parë ishim të barabartë. Gjatë sezonit të ngrohtë baci shiste akullore me ngjyrë qumështi që mbahej në një enë të thellë llamarine mbuluar me kapak. Të kem ta hap kapakun,  mbi atë bunar të rri sa të më dojë zemra, një ditë kur të rritem, kur të kem rrogë…ishte një nga fantazitë e mia!

Sa herë që dilnim në qytet me nënën, përfundonim tek sheshi (në librin për dituri natyre dhe shoqërie shkruante se sheshi iTetovës është më i bukuri në vend), kurse për mua kulmi qe fontana…me ato vrushkuj uji që shpërthenin lartë dhe rrezëllinin në diell! Mundesha me orë të rrija mbështetur tek pllakat e mermerta anësore, të shikoja lojën e ujit dhe diellit…Rrinim sa rrinim aty, pas kësaj edhe një kënaqësi: dyqani i Krash-it përkarshi, ngjitur me vetshërbimin e vetëm në qytet.  Derisa nëna blente për mysafirët (sado që mundoheshim asnjëherë nuk e zbuluam se ku e ruante atë thesar të fshehtë), unë s’ngopesha duke shikuar rraftet e duke prekur prodhimet e rradhitura më poshtë, me ndjesinë që jam në “Agimi dhe Shpresa”. Kur kryente blerjet dhe muhabetin, para daljes nga përralla, nëna më thoshte të zgjedh një, vetëm një gjë, e nënkuptoja pa ma thënë që s’duhej të ishte e madhe.

Rrugës për shtëpi e mbaja dhuratën në xhep, mes gishtash, duke imagjinuar momentin kur do ta shijoj.

Kuptohet shumë më eksitues ishte të menduarit se sa vetë çokollada.

Kur rritesh e mëson që kjo nuk vlen veç për ëmbëlsirat.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button