Figo: Lashë Barcelonën pasi nuk më vlerësonin

Një prej futbollistëve më të mëdhenj në historinë e futbollit portugez, Luis Figo, iu rikthye edhe një herë një prej momenteve vendimtare të karrierës së tij, vitit 2000 kur vendosi që të kalonte nga Barcelona tek Reali i Madridi.

Një transferim i tillë shokoi tifozët katalanas dhe bëri që Figo të merrte kërcënime të shumta për jetën në muajt e vitet në vazhdim.

Në një intervistë për të përditshmen “Sport”, Figo theksoi se vendosi të bënte atë lëvizje pasi nuk ndihej i vlerësuar në “Camp Nou”, transmeton Supersport.

”Barcelona nuk më trajtoi mirë dhe kjo më inatosi. Edhe pse kaloi kohë, zemërimi mbeti brenda meje, pasi përgjegjësit e klubit nuk më jepnin vlerësimin e duhur. Nga ana tjetër, unë isha lojtari që Florentino Perez dëshironte. Vendosa të pranoja ofertën e Realit kur në një ndeshje më lanë në stol pa më dhënë asnjë shpjegim”, zbuloi Figo.

Në intervistën e tij, gjithsesi Figo refuzoi që të binte në kurthin e krahasimit midis Ronaldos dhe Messit.

“Bëhet fjalë për dy futbollistë të mrekullueshëm. Unë do të doja që t’i kisha të dy në skuadrën time”, tha legjenda Figo.

Lajme të ngjashme

Back to top button