Militanti partiak, ky vrasës i qytetarisë!

A është e politizuar? Kjo është pyetja me të cilën ballafaqohen më së shpeshti aktivistët e pakët të shoqërisë civile, për ndonjë organizim të caktuar me karakter qytetar.

Në vazhdim do të parashtroj disa argumente se pse te shqiptarët në Maqedoni është vrarë qytetaria.

Në vazhdim do të parashtroj disa argumente se pse te shqiptarët në Maqedoni është vrarë qytetaria. Me qytetarinë nënkuptoj aktivitetet qytetare për të mirën e përgjithshme, sensin e të qenurit zoon politikon (qënie politike).

  1. Nga pyetja e shpeshtë e qytetarëve vërejmë se shoqëria në përgjithësi nuk dinë ta bëjë dallimin elementar mes “politizimit” dhe “partizimit” të aktiviteteve. Në esencë çdo aktivitet qytetar është/duhet të jetë i politizuar, sepse në parim organizimet qytetare kanë për qëllim të mirën e përgjithshme. Ndërkaq, e mira e përgjithshme është vet politika. Kjo mosdije ka vrarë qytetarinë!
  2. Partitë politike në çdo moment tentojnë të marrin përsipër çdo meritë qytetare, organizim/ngjarje kulturore, iniciativa qytetare, protesta … ky tentim për partizimin e nismave qytetare vret politikën dhe vullnetin qytetar. Për faktin se, partitë politike, nga rrjedh edhe vet emri pars- pjesë, janë vetëm një pjesë e politikës, e cila zakonisht udhëhiqet nga një grup klanor, që do të thotë se interesi është parcial dhe jo i përgjithshëm. Partitë politike kanë vrarë qytetarinë!
  3. Qytetarët kanë vrarë vet qytetarinë kur u mbyllën në “boxet” partiake dhe nuk shohin asgjë se çka ndodhë jashtë tyre.
  4. Militantët partiak dhe vet lidershipi i partive dakordohen të ndjekin një aktivitet qytetar vetëm ne raste kur nuk preken interesa klanore/partiake. Ky klientalizëm se vetëm nëpërmes partisë mund të arrihet e mira për shoqërinë ka vrarë qytetarinë.

***

“Xhenis, grupi organizativ për Marshin solidarizues ka persona me ngjyra partiake, prandaj unë nuk do ta përkrah”, kështu mu drejtua një militant partiak i një partie tjetër, pasi që kisha postuar lajmin për organizimin Marshit solidarizues për Familjen Dehari, nga fshati Sllupçan i Kumanovës, për vdekjen e birit të tyre Astrit Dehari në burgun e Prizrenit.

Ky ishte veç shembull i pikave brengosëse që i parashtrova më lartë. Që do të thotë se gjithçka është ngjyrosur partiakisht në Maqedoni. Kulminacioni arrinë deri aty që edhe Marshet solidarizuese “partizohen”. Gjithë kjo si pasojë e mosdijes, injorancës dhe nivelit të ulët të kulturës politike.

Qytetaria ka nevojë për gardianë! Që do ta ruajnë interesin e përgjithshëm, duke ua bërë me dije ithtarëve të klientalizmit se e mira e përgjithshme nuk duhet të parcializohet, por duhet të jetë tërësi. Qasja partiake le të shërbejë vetëm si alternativë për të ardhur deri te e mira e përgjithshme, por jo e njëanshme dhe kategorikisht përjashtuese ndaj qasjeve tjera.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button