АNALIZË: Subvencionet shtetërore për të rrezikuarit – sa ndihmuan ato?

Madje 9% e të punësuarve jetojnë në rrezik nga varfëria, ndërsa gjendja është alarmante te familjet me më shumë se dy fëmijë. Të dhënat më të reja statistikore tregojnë se në vitin 2015, në krahasim me vitin 2014, varfëria u zvogëlua për 0,6 përqind ose në numra absolutë, vitin e kaluar numri i qytetarëve që jetojnë në varfëri është zvogëluar për 14.000. Përqindja e varfërisë te familjet me dy të rritur dhe me tre ose më tepër fëmijë është 52,2 për qind, ndërsa në vitin 2014 ka qenë 51,1 %, njofton analiza javore ekonomike e Portalb.mk.
Çka e zvogëloi varfërinë dhe sa ndihmuan masat e qeverisë për t’u ndihmuar familjeve që u takojnë kategorive të rrezikuara?

Subvencionet shtetërore për të rrezikuarit – sa ndihmuan ato?

Në rrezik më të madh nga varfëria jetojnë familjet që marrin ndihmë sociale në para nga shteti, edhe pse këto transfere nga buxheti e amortizojnë gjendjen e rëndë financiare të kësaj kategorie të familjeve, megjithatë, ato edhe mëtutje janë në rrezik të madh – vlerëson një pjesë e sociologëve. Sipas Entit shtetëror për statistikë, përqindja e varfërisë në vitin 2015 para pagesës së pensioneve ka qenë 40.5%, ndërsa pas pagesës së pensioneve ka qenë 24.8%. Për dallim nga efektiviteti i pensioneve, transferet e tjera sociale (ku bën pjesë edhe ndihma sociale në para) shumë pak e amortizojnë varfërinë, gjegjësisht vetëm edhe për 3.3 për qind të tjera, komentojnë sociologët për Portalb.mk.

“Ndikimi i vogël i ndihmës sociale në para (NSP) mbi zvogëlimin e varfërisë është rezultat i disa faktorëve, në mesin e të cilëve: vlera e saj e ulët, kriteret për përfitimin e të drejtës për të marrë ndihmë sociale në para, mirëpo edhe elementet dekurajuese në qoftë se të papunësuarit fitojnë ndonjë të ardhur të përkohshme. Vlera e ulët e ndihmës sociale në para është shumë problematike te familjet me më shumë se tre fëmijë, për shkak se ndihma sociale në para nuk rritet në qoftë se familja ka më shumë se pesë anëtarë”, thotë për “Portalb”-in profesoresha Maja Gerovska Mitev dhe shton:

“Hulumtimi që e realizuam në vitin 2012 në një mostër representative prej 1600 familjesh, tregoi se sipas llojit të të ardhurave të familjeve, në rrezik më të madh nga varfëria jetojnë familjet që janë shfrytëzuese të NSP-së, gjegjësisht 90.6%. Poashtu, efektet dekurajuese të NSP-së në lidhje me të ardhurat shtesë, me ç’rast shfrytëzuesit largohen nga sistemi i ndihmës sociale, bën që ata të jenë të varur në afat të gjatë nga ndihma sociale dhe të mos futen në tregun e punës”.

Gjatë periudhës së kaluar, qeveria disa herë e rriti vlerën e ndihmës sociale, nëpërmjet masave të ndryshme për punësim i targetoi kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve, e poashtu e futi në përdorim edhe kompensimin shtetëror për fëmijën e tretë me qëllim që t’i stimulojë familjet me shumë fëmijë. Mu ky lloj i familjeve me më shumë se dy fëmijë janë në grupin e familjeve të rrezikuara nga varfëria.

Sipas hulumtimit të paradokohshëm që e bëri Instituti ZIP, e në organizim të “Finance-think”, efekti nga masa për shtesën financiare për fëmijën e tretë nuk përkon me qëllimin e përcaktuar, njofton Portalb.mk.

“Prej vitit 2011 deri në vitin 2014 përqindja e rritjes natyrore është më e vogël madje edhe se në vitin 2006, kur ka qenë 1.9%. Indikatorët e këtillë tregojnë se efekti i masës nuk përkon me qëllimin e përcaktuar, gjegjësisht numri i shtuar i fëmijëve të tretë të lindur nuk mjafton që ta kompensojë mungesën e fëmijëve të parë dhe të dytë të lindur në numrin e përgjithshëm të fëmijëve të lindur” – thuhet në hulumtim.

Sipas të dhënave të fundit të publikuara, përqindja e varfërisë te familjet më shumë fëmijë vitin e kaluar ka qenë 52,2 për qind dhe në krahasim me dy vitet e mëparshme shënon rritje. Kështu, në vitin 2014, varfëria te familjet me tre ose më shumë fëmijë ka qenë 51,1%, ndërsa në vitin 2013, 49,9%.

“Sqarimi për këtë gjendje mund të bëhet nga disa aspekte. Para së gjithash mund të konstatohet se ka mosshfrytëzim të të dhënave zyrtare statistikore dhe të hulumtimeve reprezentative në RM në procesin e krijimit të politikave publike. Sikur të ekzistonte kjo lidhje atëherë krijuesit e politikës aktuale për popullsinë do ta shihnin se në RM të kesh tre ose më shumë fëmijë paraqet rrezik për varfëri. Ky rrezik posaçërisht është i theksuar te disa lloje të caktuara të familjeve, sikurse familjet rome, familjet nga mjediset rurale etj. Nga ana tjetër, paratë buxhetore që e nxisin këtë lloj të familjeve nuk janë të orientuara kah familjet e rrezikuara sociale, por kah të gjitha familjet. Sikur të ekzistonte një prag i epërm për lartësinë e të ardhurave të familjeve që paraqiten për shtesën prindërpre për fëmijën e tretë (sikurse që ekziston për shembull për ndihmën sociale në para), atëherë ndoshta ndikimi i këtij kompensimi do të kishte rol më të madh mbi zvogëlimin e përqindjes shumë të lartë të varfërisë te familjet me tre ose më shumë fëmijë. Kompensimi prindëror për fëmijën e tretë tërheq më shumë para nga buxheti se sa të gjitha kompensimet e tjera në para nga sistemi i mbrojtjes sociale, me çka mund të konstatohet se në këtë moment transferet sociale nuk janë të orientuara kah kategoritë më të rrezikuara të popullsisë. Në një vend me përqindje dyshifrore të varfërisë dhe të papunësisë, rreziku social duhe të jetë prioritet kulmor në pagesën e transfereve sociale” – thotë për Portalb.mk. profesoresha Mitev.

Deri në fund të vitit 2015, në vend ka pasur 20.581 prindër – shfrytëzues të shtesës prindërore për fëmijën e tretë, dhe ky numër në krahasim vitin 2009 është rritur për 18.683 shfrytëzues të rinj.

Sipas analistëve, statistikisht varfëria zvogëlohet, mirëpo ajo akoma është e lartë dhe duhet të paraqesë nxitje të vazhdueshme për ndërmarrjen e masave për zvogëlimin e saj.

“Мund të konstatohet se mbi zvogëlimin e varfërisë ndijkojnë disa faktorë. Para së gjithash mënyra në të cilën matet varfëria në RM që nga viti 2010 është temë që duhet të diskutohet më tepër nga ana e ekspertëve dhe gjithsesi nga ana e krijuesve të politikave publike. Matja e saj në bazë të të ardhurave në shoqëri, ku paraqitja reale e lartësisë së të ardhurave është problematike, është shkak i mjaftueshëm për brengosje se a e paraqesin këto të dhëna gjendjen reale”, konsideron profesoresha Mitev dhe sqaron se në vendin tonë ka mosharmonizim ndërmjet politikave të ndryshme publike, gjegjësisht se bile ka edhe masa kontradiktore për luftimin e saj.

Sipas të dhënave të statistikës shtetërore, në vitin 2011 është regjistruar përqindje e varfërisë prej 26,8%, dhe në vitet që pasojnë ajo është zvogëluar, dhe kështu në vitin 2012 ajo ka qenë 26,2%, në vitin 2013, 24,2%, ndërsa në vitin 2014 është zvogëluar në 22,1%. /Portalb.mk.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button