Është koha e fundit që Maqedonia ta zë trenin për në Bruksel!

Tashmë katër vite përsëriten rekomandimet e njëjta të Komisionit Evropian për Maqedoninë. Por asnjë prej tyre nuk është marrë parasysh nga qeveria, në asnjë sferë nuk është shënuar progres. Ky është përfundimi i analizës krahasuese të raporteve të KE-së për Maqedoninë për periudhën kohore 2013-2016. Analiza është përpiluar nga Fondacioni Shoqëri e Hapur-Maqedoni dhe Qendra Maqedonase për arsimim evropian dhe titullohet “Dështimi i reformave urgjente”, njofton Portalb.mk.

Në konferencën e sotme në Holiday inn në Shkup, përpiluesit theksuan se është koha e fundit që të ndërmerren veprime konkrete për implementimin e reformave urgjente, në të kundërt vendi do ta humb rekomandimin për anëtarësim. Por tani e tutje veprimet reformuese nuk mund t’i lihen në duar vetëm qeverisë, tani duhet kyçje më serioze e shoqërisë civile dhe kontribut më i madh në Parlament, veçanërisht nga ana e opozitës. Kështu duke filluar nga formimi i qeverisë së ardhshme, njofton Portalb.mk.

“Raportet e Komisionit Evropian deri tani kanë qenë raporte mbi progresin, kurse tani janë raporte për vendin pasi që progresi mungon. Në qoftë se e shihni raportin, fjalia e dytë thotë se nuk kemi përparim në asnjë fushë krahasuar me vitin e kaluar” tha ndër tjerash kryetari i Qendrës maqedonase për arsimim evropian, Andreja Stojkovski.

Materiali i vëllimshëm “Dështimi i reformave urgjente” siç sqaroi Stojkovski, përmban kuptimin e analizave dhe përshkrim tabelar të katër viteve (2013-2016), të bazuara vetëm në vërejtjet e KE-së. Kështu, pasi që sipas tij, prej tyre duhet të nxirren konkluzione se çfarë duhet bërë në të ardhmen.

Sipas drejtorit ekzekutiv të Qendrës maqedonase për arsimim evropian, Bojan Mariçiq, qeveria i ka injoruar raportet e KE-së tashmë një kohë të gjatë, andaj duhet kyçje e të gjitha palëve të involvuara.

“…Ashtu që mendoj se pas zgjedhjeve është e rëndësishme që reformat urgjente prioritare të mos i lihen në dorë vetëm qeverisë, sepse deri tani ka dëshmuar se nuk mundet vetë t’i implementojë këto rekomandime. Edhe në kriterin politik pikërisht kjo tregohet, se është i nevojshëm zgjerimi i demokracisë edhe në Parlament, respektivisht dhe opozita (cilado qoftë opozita) të marrë pjesë edhe në krijimin dhe mbështjetjen e reformave… por edhe sektori civil dhe të gjitha palët e involvuara të ndihmojnë në këtë proces. Sepse gjendja është tejet serioze, problemet janë tejet të mëdha, ndërsa ka ide të mira nga më shumë palë se si të dilet nga ky qorrsokak në të cilën ndodhemi me vite të tëra” tha Mariçiq.

Ndërsa drejtoresha ekzekutive e Fondacionit Shoqëri e hapur-Maqedoni, Fani Karanfillova- Panovska sqaroi anën ekonomike të analizës. Analiza sipas saj, vë në pah se: masat financiare të ndërmarra nga qeveria e deritanishme nuk ishin të përshtatshme, ndërsa borxhi i jashtëm shënon rritje rapide (70% të BPV-së); ndërmarrjet e mesme dhe ato të vogla nuk kanë përfituar aspak nga investimet e jashtme, ndërsa ekonomia e zezë ka shënuar rritje (20% e ekonomisë së përgjithshme). Kështu ajo theksoi se qeveria e ardhshme e ka të patjetërsueshme t’i realizojë reformat e nevojshme ekonomike.

“Qeveria e ardhshme duhet të kujdeset se si do ta bëjë kreative dhe motivuese atmosferën ekonomike në shoqëri, për arsye se problemet në ekonomi i gjenerojnë të gjitha problemet e mëtutjeshme. Kemi problem serioz me menaxhimin e financave publike, të cilat seriozisht ndikojnë në zhvillimin e sektorit privat” theksoi Karanfillova.

Sipas drejtoreshës ekzekutive të Komitetit të Helsinkit për të drejta të njeriut të RM-së, Uranija Pirovska tashmë e dimë se të gjitha kritikat ndaj qeverisë konsiderohen si tendencioze dhe kundër-produktive, ashtu që nuk duhet kushtuar aspak vëmendje etiketimeve që mund t’u bëhen individëve nga qeveria, respektivisht mediat pro-qeveritare.

Ajo sqaroi për mediat se personalisht po udhëheq procedura ligjore ndaj etiketave drejtuar asaj, në veçanti për kyçjen në Revolucionin Laraman.

“Secila kritikë shikohet si kundër-produktive dhe tendencioze, megjithatë unë personalisht aspak nuk merrem me atë që mediat pro-qeveritare do të shkruajnë për mua. Kam nisur procedurë për gjithçka që shkruhet për mua, veçanërisht për inkuadrimin tim në Revolucionin Laraman. Tashmë e udhëhoqa procedurën para Agjencisë për të dhëna personale dhe tani do të fillojë edhe procedurë penale ndaj të dhënave personale që janë dhënë, siç shihet, nga Agjencia për të dhëna publike, respektivisht janë keqpërdorur mandej nga ana e mediave, ashtu që nuk shoh arsye që ti kushtojmë vëmendje etiketave që kjo qeveri na i bën vazhdimisht” sqaroi Pirovska./Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button