Koncert humanitar në Çarshi të Shkupit

Dëshira për të ndihmuar dikë që ka nevojë, ka bashkuar një grup të rinjsh të cilët nëpërmjet muzikës organizojnë një koncert humanitar  me qëllim që të mblidhen mjete për një familje shqiptare nga Shkupi.  

Bëhet fjalë për një familje 4 anëtaresh e cila nuk ka aspak të ardhura, as ndihmë sociale dhe fëmijë me sëmundje të rënda. 

Koncerti  do të mbahet më datën 21 Shkurt 2014 në ora 21:00 në lokalin Square Bar në Çarshinë e vjetër. Do të performojnë artistë të ndryshëm nga skena shqiptare si Benjamin Ajrullahu, Gillespie (grup nga Prishtina), Leonora Poloska, Fullstop, Leana Thaqi dhe Martina Blazheska, Këpurdha (grup nga Tetova)  edhe DJ Pitti.  

Ky aksion është organizuar dy herë deri tash në Kapan an dhe këtë vit do të mbahet përsëri për here të tretë  me shpresë se do të ndihmohet edhe një familje dhe do të ngritet vetëdija e rinisë për nevojat e të varfërve dhe se ata me të vërtetë mund të sjellin ndryshim tek këto familje.
Këtë vit përveç mbledhjes së parave do të bëhet edhe shitja e punimeve të dorës, piktura dhe mbledhje të veshmbathjeve për të varfrit – në përkrahje të Kryqit të Kuq. 

Organizatorët dëshirojnë që muzika të sjellë ndryshime pozitive sociale e jo të përdoret vetëm për profite individuale, t’ju ndihmohet familjeve të cilat jetojnë në kushte shumë të vështira dhe kanë nevojë për ndihmë.

Ndiqeni aksionin në Facebook. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button