Zgjedhjet në SHBA: Çfarë të pret Maqedonia nga fituesi eventual?

Duke pasur parasysh ndikimin e SHBA-ve në politikën botërore, sot gjithë sytë janë drejtuar ka SHBA dhe po presin rezultatet nga zgjedhjet presidenciale. Në deklaratat tyre për Portalb.mk, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare flasin për pritjet nga fituesi eventual.

“Ndryshe nga vitet e mëparshme, zgjedhjet e sivjetme ne SHBA mund të shënojnë ndryshim radikal të politikes së jashtme. Nëse befasisht president zgjidhet Tramp kjo do të shënojë katastrofë të madhe për Ballkanin, sepse ai me siguri do të tërhiqet nga angazhimi dhe do t’i lejë dorë të lirë Rusisë në këtë pjesë të botës. Me të jo vetëm që nuk mund të presim ndonjë progres, por mund të jemi të sigurt se situata në rajon, në mungesë të “policit global” edhe më tej do të përkeqësohet”, tha për Portalb analisti Robert Nesimi.

Nesimi mendon se te Klintoni kemi një figurë që ka njohuri të dorës së parë për rajonin, më tepër se ç ’është e zakonshme për një president.

“Angazhimi amerikan nën dirigjimin e saj pritet të rritet, pas anashkalimit 8-vjeçar nën presidentin Obama. Me këtë mund të presim progres jo vetëm në çështjen e emrit, por edhe në konfliktet e ngrira nëpër rajon si në Kosovë e Bosnje. Por, natyrisht kjo do varet pikë së pari nga vullneti i mirë i lojtareve vendas, ndërsa administrata e Klintonit do jetë vetëm katalisti që do t’i çojë këto procese përpara”, nënvizoi Nesimi.

Sipas politologut Muhamed Jashari, epilogu i zgjedhjeve presidenciale të 56-ta me radhë të cilët do të përcaktojnë presidentin e 45-të të SHBA-së ngjallin kureshtje në opinion përfshirë edhe atë të Ballkanit.

“Për kandidat të SHBA-së kësaj radhe kemi dy personalitet të cilën dallojnë dukshëm në qëndrimet e tyre. Ardhja e kandidates së demokratëve në këtë rast Hilari Klintonit në krye të Shtëpisë së Bardhë konsideroj se do të çonte papara projektin amerikan për Ballkanin. Në rastin e Maqedonisë Klinton do të kërkonte zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, luftimin e korrupsionit, gjykatat e pavarura etj. Në nivel rajonal Klinton do të angazhohej për forcimin e shtetësisë së Kosovës nëpër institucione ndërkombëtare, shpejtimin e integrimit -të Maqedonisë, Shqipërisë- në NATO dhe BE, kufizimin e ndikimit rus në rajon etj. Në anën tjetër Trampi gjatë deklaratave të tija herë pas herë kritikoi NATO-n, mbështeti BREXIT-in, pra qëndrimet e tija janë në kundërshtim të plotë me vizionin amerikan për Evropën, pra për një Evropë të Bashkuar me vendet Ballkanike si pjesë të saj. Fitorja e eventuale e Trampit për partitë euroskeptike në Maqedoni do të ishte e mirëseardhur. Maqedonisë do t’i ngadalësohej rruga e të qenurit pjesë e Evropës politike”, u shpreh për Portalb Jashari.

Rezultatet e para të zgjedhjeve do të nisin të rrjedhin rreth mesnatës sipas orës sonë. Nëse Klinton fiton disa shtete kyçe rezultati mund të dihet qysh rreth orës 3 pas mesnatës. Në variantin më ekstrem do duhet të priten rezultatet nga shtetet e perëndimit, në orët e para të mëngjesit.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button