Anketat finale: Klinton presidente, Dhomën republikanët, Senati 50-50!

Sot pritet që amerikanët të zgjedhin Klintonin presidente të 45-të të SHBA-ve. Dhomën e Ulët të Kongresit do t’a fitojnë republikanët, ndërsa mbetet tejet e paqartë gara për Senat

Fundi i garës presidenciale. Pas mëse një viti e gjysmë fushate presidenciale, sot amerikanët përfundimisht zgjedhin presidentin e tyre të 45-të. Sot me 8 nëntor, të martën pas të hënës së parë të nëntorit, siç parasheh kushtetuta amerikane, hapen vendvotimet në të 50-të shtetet amerikane. Kur të mbyllen kutitë parashihet se do të kenë votuar rreth 130 milionë amerikanë. Mirëpo vlen të ceket se disa shtete hapin vendvotimet disa ditë përpara, ndërsa disa të tjerë lejojnë votime me poste. Llogaritet se deri sot veçmë kanë votuar mbi 40 milionë njerëz, apo rreth 30% e totalit.

Ditën e fundit para zgjedhjeve anketat tregojnë Hillari Klintonin në avantazh, e cila pra do të jetë femra e parë në historinë e SHBA-ve që zgjidhet presidente. Sot paralelisht mbahen dhe votime për të dy dhomat e Kongresit. Projeksionet janë se Dhomën e Ulët do t’a fitojnë përsëri republikanët, ndërsa deri ditën e fundit vazhdon të bëhet betejë e ashpër për Senatin. Ja ç‘thonë anketat për këto gara.

Klinton favorite për presidente. Dy ditë para fundit të garës FBI ka dalë përsëri me qëndrim duke eliminuar Klintonin si fajtore për tufën e fundit të e-mailave të gjetur te Antoni Uiner. Këto dy ditë Klinton është ngjitur rreth 1% në anketa dhe përsëri ka avantazh rreth 3% ndaj Trampit. Një sërë anketuesish e mediumesh të njohur kanë publikuar anketat e tyre përfundimtare. Ja rezultatet e disa prej tyre:

Anketuesi Rezultati
Bloomberg Klinton +3
Economist/YouGov Klinton +4
IBD/TIPP Trump +2
ABC/Uashington Post Klinton +4
Foks Njuz Klinton +4
Reuters/Ipsos Klinton +3
CBS Njuz Klinton +4
NBC Njuz/Uoll Strit Zhurnal Klinton +4

 

Pra me përjashtim të një ankete të vetme (por që i ka qëlluar zgjedhjet e fundit) ku Tramp udhëheq me 2%, të gjithë anketuesit tjerë relevantë tregojnë Klintonin përpara me 3-4%.

Ja edhe tabela e rezultateve nga agregatorët që i kemi ndjekur gjatë gjithë kohës, e që sintetizojnë një numër më të madh anketash:

Modeli Rezultati
RCP Klinton +3.3%
HuffPost Klinton +4.6%
538 Klinton +3.6%

 

Klinton vazhdon të jetë favorite edhe shtet për shtet, ku rruga e Trampit është tejet e vështirë, pa hapësirë për gabime. Pra sipas të gjitha gjasave presidente e ardhshme e SHBA-ve do të jetë Hillari Klinton.

Dhoma e Ulët e Kongresit. Për dhomën e ulët të Kongresit bëhen zgjedhje në 435 njësi zgjedhore. Këto nuk janë anketuar sa duhet, por thuajse dihet se Dhomën do të vazhdojnë t’a ruajnë republikanët. Ata për momentin kanë kontroll të Dhomës me shifra 247-188, ndërsa llogaritet se do humbin mes 5 dhe 20 vende. Pra në rastin më të keq rezulati do të ishte 227-208 për republikanët. Me kontrollë të të paktën njërës Dhomë të legjislaturës republikanët garantojnë se do t’ia bëjnë Klintonit tejet të vështirë presidencën.

Senati. Betejë e paparë në historinë e SHBA-ve po zhvillohet për kontroll të Senatit. Sipas llogaritjeve të deritanishme të dy partitë kanë nga 46 vende të sigurta në Senat, ndërsa beteja për kontroll do të bëhet në 8 vendet e mbetura. Ja ç‘thonë anketat e fundit në këto shtete:

Shteti RCP 538
Pensilvania McGinty (D) +2.0% McGinty (D) +1.2%
Indiana Young (R) +0.7% Young (R) +2.5%
Uiskonsin Feingold (D) +2.7% Feingold (D) +3.9%
Nevada Cortez Masto (D) +1.8% Cortez Masto (D) +1.2%
Misuri Blunt (R) +1.3% Blunt (R) +0.7%
Nju Hempshër Ayotte (R) +1.5% Hassan (D) +2.0%
Florida Rubio (R) +3.2% Rubio (R) +5.5%
Karolina e Veriut Burr (R) +2.0% Burr (R) +2.2%

 

Të gjitha garat pra janë brenda margjinave të gabimit dhe mund të lëkunden në secilën anë. Pritet që rezultati final të jetë maksimum 51-49 për njërën parti ose barazim 50-50. Barazimi do të ishte i kënaqshëm për demokratët, sepse sipas kushtetutës në rast barazimi votën vendimtare e hedh nënkryetari i SHBA-ve. Nëse fiton Klinton siç pritet, vota vendimtare në Senat përherë do të jetë ajo e nënkryetarit të saj Tim Kejn.

Rezultatet përfundimtare. Rezultatet e para të zgjedhjeve do të nisin të rrjedhin rreth mesnatës sipas orës sonë. Nëse Klinton fiton disa shtete kyçe rezultati mund të dihet qysh rreth orës 3 pas mesnatës. Në variantin më ekstrem do duhet të priten rezultatet nga shtetet e perëndimit, në orët e para të mëngjesit.

Portalb do të bëjë azhurimin e të dhënave live gjatë gjithë natës.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button